LOGJIKA E POSTBLLOKUT

Dy ditë më parë mediat elektronike dhe të shkruara dhanë deklaratën e Zv/Ministres së Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea, gjatë inspektimit në pikën kufitare të Kakavijës, lidhur me numrin në rritje të azilkërkuesve shqiparë.

Zv/Ministrja Gjebrea, gjithnjë sipas mediave, u bëri apel qytetarëve që të mos ndërmarrin aventurë në Gjermani pasi të gjithë do të kthehen, sepse Gjermani nuk do t’ua japë të drejtën e azilit.

Kjo deklaratë vjen pas një sërë deklaratash fotokopje, pothuajse me të njëjtën përmbajtje. Të njëjtat gjëra u thanë nga fundi i korrikut, kur përveç drejtueses së lartë të Ministrisë ishte i pranishëm në Kakavijë edhe Ambasadori gjerman.

Duhet të pranojmë se Zv/Ministrja Gjebrea bën mirë punën e vet. Po kështu Ambasadori gjerman për sa u përket rregullave të hyrjes në vendin e tij. Këndvështrimi i Ministrisë së brendshme është ai i kontrollit, i respektimit të ligjit dhe i ndërhyrjes me autoritetin e tij. Sidomos kur bëhet fjalë për ata që spekulojnë për të fituar në kurriz të emigrantëve dhe azilkërkuesve. Pra asgjë për të thënë për punën e Ministrisë së brendshme.

Problemi lind kur qasja e një ministrie adoptohet si i vetmi qëndrim ndaj një nga fenomenet më të ndërlikuara të botës moderne. Siç edhe e kemi thënë pak kohë më parë, mjafton të shikojmë përvojën e emigracionit të shqiptarëve për të kuptuar se nuk janë apelet dhe vizitat në pikat kufitare ato që do t’i ndalojnë ikjet nga vendi. Mund t’i frenojnë, t’i kushtëzojnë, por jo t’i ndalojnë.

Nga ana tjetër, një fenomen me shumë aspekte si migracioni nuk mund të përballet e të trajtohet vetëm nga këndvështrimi i policit (në kuptimin pozitiv të kontrolluesit). Deri tani kanë munguar qasje të tjera ndaj fenomenit, duke dëshmuar pikë së pari një mosnjohje të emigracionit dhe të ingranazheve të tij.

Po të huazonim një kategorizim klasik e disi të ngurtë të faktorëve të migracionit do ta kuptonim menjëherë se diçka nuk shkon. Në literaturën sociologjike të migracionit përmenden gjithnjë push factors dhe pull factors. Tek të parët hyjnë ata faktorë që i shtyjnë migrantët të ikin nga një vend. Këtu, sa për të dhënë disa shembuj, mund të përmendim luftën, konfliktet, diskriminimin fetar, gjendjen ekonomike, etj. Tek të dytët hyjnë faktorët e tërheqjes, pra ndryshe nga tjetri, kanë të bëjnë me vendin e mbërritjes. Mund të përmendet tregu i punës që mund të ketë kërkesa, gjendja e mirë socio-ekonomike, rendi demokratik, etj. Faktorët e mësipërm mund të veprojnë edhe së bashku, pra nga një anë të ketë shtytje për emigrim e nga tjetra tërheqje.

Çfarë bëjnë autoritetet shqiptare për të ndaluar fluksin e emigracionit drejt Gjermanisë? Veprojnë në mënyrë administrative vetëm ndaj faktorëve tërheqës (pull factors) duke u përpjekur t’u mbushin mendjen qytetarëve shqiptarë se zërat për azil janë thjesht pabaza. Që këtej edhe apele, deklarata, komunikata shtypi, reportazhe televizive. Po sikur kërkesa e azilit të jetë vetëm një nga faktorët e shumtë të tërheqjes? Ose një tentativë, një escamotage, një rrugë për t’u provuar?

Mirëpo, në këtë mënyrë harrohet pjesa tjetër, ose faktorët shtytës. Cilat janë arsyet që i detyrojnë shqiptarët të ikin jashtë shtetit dhe të kërkojnë azil edhe pse u thuhet e kundërta me të gjitha mjetet zyrtare? Përse mesazhi si ai i mësipërmi vijon të mos jetë i efektshëm pavarësisht nga format e përdorura?

Është e vërtetë që veprimi i parë është ai i dekurajimit të migracionit nëpërmjet informacionit, por ky aktivitet qeveritar po vazhdon pa efekt që nga viti i kaluar, ndërkohë që shifrat po bëhen gjithnjë e më alarmante. Ndoshta ka ardhur koha që kjo dukuri të analizohet në shumë plane e mbi të gjitha pa ndjekur politikën e strucit.

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: