EMIGRACIONI: SHKAQE DHE BALLAFAQIME

Për valën e fundit të emigracionit, që përgjithësisht përshoqërohet me azilkërkuesit, është folur shumë, edhe pse nga këndvështrime të kufizuara, me instrumentalizime politike dhe pa ndonjë pretendim hulumtues.

Këto rreshta nuk kanë asnjë lloj synimi shkencor, por janë frymëzuar thjesht nga disa vëzhgime në Shqipëri të zhvilluara së fundi dhe kanë si qëllim ta nxisin debatin rreth dukurisë.

Zakonisht, flitet për shkaqet e emigracionit, me të cilat nënkuptohen motivet që i shtyjnë qytetarët të lënë vendin e tyre dhe të ikin në vende të tjera. Këtu përmenden,midis të tjerash, arsyet ekonomike, që janë pa dyshim shumë afër realitetit.

Mirëpo, pak flasin për efektet e emigracionit. Sepse ikjet drejt vendeve perëndimore shkaktojnë nga pas gjithsesi një boshllëk, që ka pasojat e veta si në rrafshin personal/familjar ashtu edhe në atë shoqëror. Nuk mund të përjashtohen natyrisht efekte ekonomike dhe demografike.

njoftim-ne-vitrineDallimi midis shkaqeve dhe pasojave është e para gjë që më erdhi ndër mend kur pashë njoftimin në vitrinën e një dyqani në Tiranë, ku ofrohej shitja e aktivitetit ekonomik për shkak të emigracionit. Me sa kuptohet nga tabela e shkruar, titullari i biznesit ka vënë në shitje lokalin dhe aktivitetin ngaqë ka ikur në mërgim.

Në njoftim janë vendosur dy numra: njëri shqiptar, tjetri i huaj (dallohet nga prefiksi). Një shenjë tjetër se kemi të bëjmë ende me një person që jeton ende midis dy botësh, por me vendosmërinë për t’i shkëputur lidhjet (të paktën ekonomike) me vendin.

Në të kundërt, njoftimi majtas, që njofton dhënien me qira të dyqanit ngjitur, nga një anë tregon se nuk ka shkëputje përfundimtare me lokalin, ngaqë jepet me qira; nga tjetra dëshmon vërtet krizën ekonomike (njoftime të tilla, kur janë të shumta, flasin për situatë krize), por edhe një farë shprese se ajo do të kalojë herët a vonë.

Nuk do ta mësojmë kurrë, por pas njoftimit qëndron me siguri një person me prirje imprenditoriale që ka vendosur të ikë nga vendi. Arsyet konkrete do të mbeten gjithnjë të paditura, edhe pse mund të merren me mend. Fakt është që një person, që deri dje kishte një aktivitet sipërmarrës në vend, ka vendosur të ikë përfundimisht jashtë shtetit.

Midis të tjerash, një njoftim i tillë publik presupozon se kemi të bëjmë me një dukuri të pranuar nga kolektiviteti. Autori i njoftimit e bën atë sepse nuk ka mëdyshje keqkuptimi. Kjo tregon se përmasa e migracionit është tashmë kolektive në Shqipëri, madje në rend të ditës.

A mund ta krahasojmë emigracionin e viteve 1990 (pra të eksodeve) me emigracionin aktual? Patjetër, me pakt që të vihen në dukje dallimet e ngjashmëritë, çka edhe do të hedhë më shumë dritë mbi dy dukuritë e shqyrtuara.

Le të sqarojmë që në fillim se kërkesat për strehim politik u morën parasysh deri në mars të 1991-it. Për ata që nuk harrojnë, emigrantët e gushtit të të njëjtit vit – ata që u mbyllen në stadiumin e Barit në Itali – i kthyen në Shqipëri pikërisht me justifikimin se nuk përmbushnin më kriteret e strehimit politik. Pastaj, që koncepti i azilit është më i gjerë, sepse mund të përfshijë edhe konceptin e sigurisë, dhe që është praktikuar edhe më vonë, është diçka tjetër që duhet të sqarohet në planin juridik.

Dallimi tjetër qëndron në faktin se largimet e tanishme masive (nën zërin azilkërkues) nuk janë drejt Italisë, por drejt vendeve të tjera si Gjermania. Mund të supozohet se këto ikje e kanë një lidhje me situatën ekonomike të Gjermanisë dhe Italisë (kjo e fundit është ende në krizë), sikurse mund të shpjegohen me kushtet relativisht të mira të pritjes.

Ndryshe nga emigrantët e postotalitarizmit, këta të sotmit janë edhe më të ankthshëm në dritën e perspektivës. Në vitet 1990, ikën ata që kishin duruar mbi kurriz totalitarizmin më të egër të Europës, një përvojë çnjerëzore që i nxiste të largoheshin thjesht në emër të lirisë, për të provuar një jetë në liri. Ishin njerëz që ishin rritur në kafaz, pa liri e pa pasaporta, ndaj edhe mjaftonte kjo gjendje e zgjatur në dhjetëvjeçarë për t’i shtyrë të merrnin anijet dhe avionët. Liria ishte në qendër të ikjes së tyre, edhe kur fshihej me motive ekonomike. Si të thuash, midis lirisë dhe mirëqenies ekonomike, emigrantët e asaj kohe vinin një shenjë barazie.

A mund ta themi këtë gjë sot? Në vitet 2010? Sipas gjasës, sepse na mungojnë të dhëna statistikore, një pjesë e atyre që largohen aktualisht nga vendi, për arsye moshe, nuk e kujtojnë mirë periudhën totalitare, ose e kujtojnë pak. Në mungesë studimesh sociologjike, na mbetet të supozojmë se emëruesi i përbashkët i emigracioneve është zhgënjimi, porse ai i djeshmi kishte të bënte me sistemin e vjetër, kurse ai i sotmi me pluralizmin. Gjithnjë me karakteristikat shqiptare.

Ndoshta e teprojmë, por emigrantët e djeshëm iknin për të ndërtuar një jetë më të mirë, por me shpresën se Shqipëria e lirë dhe demokratike, do të shndërrohej një ditë në vend të begatë e të zhvilluar. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, thuhej në atë kohë. Që këtej edhe një gjysmë ideje se kur Shqipëria do të rregullohej, ata do të ktheheshin nga mërgimi. Emigrantët e sotëm largohen të zhgënjyer si nga e djeshmja ashtu edhe nga e sotmja; një zhgënjim që ka lindur në vitet e regjimit pluralist, ndaj edhe nuk mund t’i faturohet regjimit të kaluar, veçse si pasojë afatgjatë e moszhvillimit dhe mendësisë.

Sa herë që flitet për eksodet ose emigracionin e viteve 1990 përmenden pashmangshmërisht bunkerët, si simbol i autarkisë dhe i çmendurisë totalitare, që i dënonte shkelësit e kufirit me burgim për arratisje, kur nuk i vriste në brezin e kufirit. E pra sot nuk mund të flasim për bunkerë, veçse metaforikisht. Pardje shqiptarët nuk kishin pasaporta dhe regjimi i kishte mbyllur si në burg, dje ishin në kërkim të ethshëm të vizave nëpër Ambasada, sot kanë mundësi të lëvizin pa viza në zonën Shengen. Formalisht janë më të lirë, por migrimi vazhdon.

Do të ishte përnjëmend interesante të matej ndikimi i mungesës së shpresës tek emigrantët e sotëm, për ta krahasuar me ata të djeshmit. Për të kuptuar lëvizjet migratore gjithnjë duhet të nisemi nga fakti se askush nuk e lë vendin pa një arsye madhore. E një nga arsyet madhore (që mund të jenë gjithashtu personale e kulturore) është pikërisht mungesa e perspektivës, për vete ose për familjen. Shqiptarët që ikin nuk e shikojnë veten në Shqipërinë e ardhshme. Kjo ka të bëjë kryesisht me arsye ekonomike, por jo vetëm e jo domosdoshmërisht.

Kush ka përshtypjen se emigrantët që e lënë Shqipërinë e sotme nuk kanë ndër mend të kthehen mund të përgënjeshtrohet vetëm nga faktet e viteve që vijnë. Përndryshe, edhe studimet dëshmojnë se shpeshherë emigrantët e kthyer e shikojnë veten si të përkohshëm në Shqipëri, si një etapë të një ikjeje tjetër.

Në këtë kuadër, do të ishte tejet interesante të dinim moshën e atyre që emigrojnë sot, çka do të na rrëfente shumë gjëra. Por edhe arsimi, përbërja familjare dhe gjendja e tyre ekonomike do të ishin me vlerë si të dhëna, meqë në vitet 1990 emigrantët vinin nga të gjitha shtresat shoqërore, me arsimim të ndryshëm, e përgjithësisht me të njëjtin nivel varfërie. Po tani? Dikush mendon se tani përjashtohen nga emigrimi një pjesë e atyre që kanë arsim të lartë, ose që kanë krijuar një farë mirëqenieje. Të tjerë japin shembuj se po ikin njerëz me arsim të lartë dhe me sipërmarrje të shkatërruara nga kapitalizmi alla shqiptarçe.

Para se t’i mbushin mendjen njerëzve se strehimi politik nuk merret dot, para se të valëvisin rrezikun e rivendosjes së vizave, para se ta shndërrojnë emigracionin në fushëbeteje politike, do të ishte mirë që klasa drejtuese shqiptare të diskutonte për lirinë e shpresën, dy koncepte jashtëzakonisht të rëndësishme për të gjithë qytetarët, për ata që rrinë e për ata që ikin.

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: