DETAJET E TURIZMIT

E ardhmja e turizmit shqiptar nuk varet shumë nga strategjia e sektorit, sasia e investimeve, përqindja e taksave, numri i pushuesve, zhvillimi i infrastrukturës, e të tjera fjalë të mëdha, se sa nga vëmendja ndaj detajit.

E ardhmja e turizmit shqiptar luhet pikërisht aty: tek detaji. Në fakt, po të shikosh shqetësimet e “mëdha” që brengosin politikën shqiptare të dhjetëvjeçarëve të fundit, del se janë me vend, por jo parësore dhe jetike. Strategji për turizmin gjithnjë ka pasur, të paktën në letër e në programe politike; ligji për turizmin është përgatitur dhe herët a vonë do të miratohet përfundimisht; taksat kanë qenë të të gjitha llojeve: të sheshta, progresive, të papaguara, të vjedhura; numri i turistëve ka qenë në rritje, qoftë ai i të huajve qoftë ai kombëtarist; rrugët, mirë a keq, kanë shkuar deri në pikët më të largëta të turizmit malor.

Mirëpo vëmendja ndaj detajit është zhvilluar shumë pak, pothuajse aspak. Kështu, në një hotel çfarëdo të thonë se ka ujë 24h në ditë, por pastaj zbulon se uji është pusi dhe aspak i pijshëm. Mburren se ka drita gjithë kohës, por ato herë pas here ikin, zakonisht në çastin kur shënohet goli. Dhomat përshkruhen si të pajisura me televizor, kondicioner, frigorifer dhe banjë. Porse përshkrimet janë të përgjithshme, pa asnjë garanci reale.

Kështu, kur të marrësh çelësat e dhomës, qoftë hotel ose shtëpi, do të zbulosh fillimisht se çelësi nuk punon mirë. Mezi futet në bravë, me vështirësi hap derën, po me zor e mbyll. Televizorin nuk ke përse ta pretendosh me ekran Led, por të paktën të marrë dy-tre stacione: e megjithatë do t’i shikosh kanalet me miza, ose vetëm me zë. Për telekomandën ke dy lloj variantesh: mund ta kërkosh më kot dy orë ose mund ta provosh më kot dy orë.

Në rastin e parë nuk do ta gjesh e po t’ia kërkosh kamerierit ose pronarit rrezikon – siç më ndodhi mua – që të të tregojnë se nuk është ndonjë lodhje e madhe të çohesh nga krevati ose karrigia dhe t’ia ndryshosh stacionet me dorë. E drejtë, por nuk e kisha menduar. Midis të tjerash, do të humbësh disa kalori dhe do të të dalë malli i televizorit bardhezi Adriatik ose Iliria. Në rastin e dytë, do të lodhesh më kot duke shtypur të gjitha butonat e telekomandës, ose duke nxjerrë e futur disa herë bateritë e djersitura rrezikshëm. Pas disa kërkesash në katin e parë, do të vendosësh që t’ia blesh vetë bateritë, ose ta çosh tek ustai andej nga qendra.

Aventurën e detajit mund ta shikosh sidomos në banjë. Atje ia kupton rëndësinë dhe perspektivën në kuadrin e turizmit. Po të jesh me fat, rubineti i ujit të ngrohtë nxjerr ujë të ngrohtë dhe rubineti i ujit të ftohtë nxjerr ujë të ftohtë. Ose mishelatori i ujit sillet si në të gjithë botën. Po të jesh njeri normal, do të duhet një gjysmë ore që të rregullosh temperaturën e ujit, ose do të vendosësh ta bësh dushin me ujë të ftohtë.

Mirëpo, koka e dushit e hedh ujin ja majtas, ja djathtas. Nuk do të ishte problem sikur mbajtësja ku kapet dhe qëndron sipër të mos ishte thyer. Ajo dergjet e braktisur diku poshtë në lavaman, ose po të jesh përsëri me fat, gjendet tek mbajtësja e sapunit. Them me fat se mbajtësja e sapunit nuk gjendet kudo. I shkumuar siç je, mezi do të gjesh një vend ku ta lësh sapunin, ndoshta edhe në tokë, me frikën primordiale të ndonjë infeksioni të paparashikuar.

Duhet të parashikosh edhe problemin e peshqirit, i cili për fat të keq duhet varur dikur, sikurse të mbathurat e tua. E pra jo gjithnjë do të gjesh një grep, varëse, ose kunj çfarëdo. Këtu, mund të të ndihmojë rastësia, nëse ekziston, që ka të bëjë me fantazinë dhe iniciativën e pushuesit paraardhës, i cili ka vendosur dy gozhda prapa derës, duke e shëmtuar pak, por duke e shndërruar në funksionale. Një lloj personalizimi i hapësirës turistike.

Detaje të tjera nuk i kap dot syri i mashkullit. Janë punë femrash. P.sh. mungesën e fshesës ose të shkopit a leckës për të pastruar banjën; mungesën e detergjenteve për dezinfektimin dhe larjen e mjedisit; mungesa e varëseve në dollap; sirtarët që nuk hapen e nuk mbyllen; karriget fantazmë ose të paqëndrueshme. Janë hollësi të vogla, por edhe të mëdha njëkohësisht.

E kur ia qan hallin kamerierit, të shkel qyrin si bashkëfajtor dhe të pëshpërit: “Mos u mërzit. E rregullojmë këtë punë. Po ia marrim një dhome tjetër”. Çka mund të lexohet edhe kështu: “Unë po ia fus një tjetri, por ti duhet ta lyesh rrotën”. E të kujtohet detyrimisht zbori dhe ushtria, ku nuk kishte vjedhje, por vetëm zëvendësim. E po ta vësh veten në vend të pushuesit që do t’i marrin gjërat e ndjen veten më keq. Por nuk është nevoja: je ti ai pushues, se frigoriferin dhe telekomandën tënde funksionuese ta kanë marrë atë mëngjes, pesë minuta para se të mbërrije.

Zhvillimi i sektorit dhe i shërbimit në turizëm? Fillon tek detaji, ku bën pjesë edhe ti si turist.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: