SI LAKOHET GREVA NË SHQIP

Pluralizmi në Shqipëri, së bashku me të drejta të tjera, solli edhe atë të grevës. Por si është ushtruar kjo e drejtë në vitet e tranzicionit dhe si e koncepton shoqëria shqiptare grevën? Pyetjet nuk janë të thjeshta, sepse këndvështrimet janë të shumta, por edhe lënda është e gjerë.

Ndërsa neni 50 i Kushtetutës së Shqipërisë ua njeh të punësuarve të drejtën e anëtarësimit në organizata sindikale për mbrojtjen e interesave të tyre të punës, ai i mëpasshmi trajton pikërisht të drejtën e grevës. Ja çfarë thotë Neni 51:

E drejta e të punësuarit për grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës, është e garantuar. Kufizime për kategori të veçanta të punësuarish mund të vendosen me ligj për t’i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme.

Në vende të tjera, boja e shkrimit dhe vëllimet që i janë kushtuar grevës, si nga pikëpamja juridike, ashtu edhe socio-politike, janë praktikisht të pallogaritshme. Fjala grevë është përnjëmend e thjeshtë, por mënyra se si zbatohet në realitet dhe në kuadrin juridik është e shumëllojshme. Le ta themi që në fillim se greva është një akt i papranueshëm për sistemet totalitare, që nuk e tolerojnë grevën, e cila në thelb është akt proteste, që realizohet nëpërmjet ndërprerjes së punës. Kjo është aq e vërtetë saqë Fjalori i dikurshëm i shqipes e përkufizonte si:

Ndërprerje e punës për një kohë të caktuar, që organizohet nga punëtorët ose nga punonjës të ndryshëm të një dege to ekonomisë, të një ndërmarrjeje ose të administratës shtetërore në vendet kapitaliste e revizioniste për t’i detyruar kapitalistët të përmbushin kërkesat ekonomike të tyre ose për të detyruar qeverinë e klasat shfrytëzuese të përmbushin kërkesat politike të masave punonjëse

Praktikisht regjimi e konsideronte grevën si dukuri që mund të lindte vetëm në vendet kapitaliste, meqë klasa punëtore në socializëm ishte në pushtet, si rrjedhim nuk mund të bënte grevë kundër vetes.

Aktualisht greva konsiderohet e drejtë e punonjësve, një e drejtë individuale që ushtrohet kolektivisht (e këtu duhet dalluar liria nga e drejta). Por nuk mjafton përkufizimi juridik për ta hulumtuar ushtrimin e grevës dhe konceptimin e saj. Nga ana tjetër, sot kemi mundësinë t’i krahasojmë përvojat tona me ato perëndimore, siç bëri kolegu Lyss me shkrimin interesant “Dhe Zoti krijoi grevën“, ku në shkëmbimin e praktikave në botë ndërhyn elementi tjetër i rëndësishëm, siç është migracioni.

Që çështja e grevës nuk është e thjeshtë e vërtetojnë llojet e saj. Sepse ka grevë të përgjithshme, por edhe sektoriale, ose në një ndërmarrje të vetme. Me fjalë të tjera mund të kemi ndërprerje të punës në të gjithë vendin, ta zëmë në sektorin e transporteve, ose në ndërmarrjen e prodhimit të makaronave. Gjithnjë lidhur me mënyrat e zhvillimi të grevës, mund të përmendim grevën e bardhë, mjaft të njohur, që do të thotë zbatim skrupuloz i rregulloreve të punës, çka në praktikë përkthehet me ngadalësim të ritmeve të punës. Le të marrim shembullin e shoferëve të autobusëve. Në rast se do t’i respektonin verbërisht rregullat rrugore dhe ato të ndërmarrjes, që kanë lidhje me sigurinë dhe organizimin e punës, shërbimi do të ishte shumë i keq dhe pritja e qytetarëve do të ishte shumë e madhe.

E ashtuquajtura grevë me ndërprerje është ajo që zhvillohet me intervale të shkurtra, shpesh pa paralajmërime të posaçme. Por ka edhe greva të tjera që gjuha shqipe nuk i ka kodifikuar ende mirë, siç është ajo me fishkëllimë, kur orari i fillimit nuk njoftohet publikisht, ose ajo që e ndërpret punën në reparte e në kohë të ndryshme.

Po sipas qëllimeve si ndahen grevat? Së pari kemi kategoritë e mëdha: greva politike e greva ekonomike. E para bëhet për arsye politike, e dyta për çështje ekonomike. Një grevë kundër ligjeve që shkelin të drejta të caktuara hyn në kategorinë e grevave politike, kurse ajo që shpallet vetëm për rritjen e rrogës, mund të konsiderohet me plot gojën grevë ekonomike. Megjithatë ka greva proteste, por edhe solidariteti. Varet nga qëllimi që i vënë vetes.

Grevat në Shqipërinë në kapërcyell të sistemeve u zhvilluan në valën e kërkesave politike, të lirive themeltare të qytetarit, ndaj duhet të konsiderohen të tilla, edhe pse kishin brenda kërkesa ekonomike si rritja e rrogave dhe pensioneve. Mund të përmendim grevën e minatorëve dhe atë të përgjithshme në vitin 1991. Megjithatë, fjala grevë është përdorur në Shqipëri kryesisht në formën e grevës së urisë, që nuk ka lidhje me konceptin e ndërprerjes së punës, por të ushqimit. Një lloj greve që kërkon medoemos trajtim të veçantë, sikurse kërkon kapitull më vete greva në sektorin publik, ose në disa segmente specifike si ushtria ose forcat e rendit.

Sindikatat konfliktuale, që zakonisht kanë një vizion ideologjik të marrëdhënieve të punës në ekonominë e tregut, anojnë të shpallin e të nxisin më shumë greva se sindikatat që e vënë theksin kryesisht tek lidhja e respektimi i kontratave me palën tjetër.

Perceptimi i grevës nga ana e grevistëve, ose e qytetarëve të thjeshtë, varet gjithashtu nga komunikimi i synimeve të saj. Shpeshherë, vetë grevistët nuk e kanë të qartë përse mungojnë nga puna dhe përse shkojnë në manifestim, sikurse ndodh që qytetarët nuk e kanë idenë përse metroja ka ngecur në vend, ose përse në pikat e furnizimit nuk ka karburant. Në të dyja rastet e përmendura, defektet në komunikim janë shkaktaret kryesore, sepse punëtori që merr pjesë në grevë duhet të jetë i vetëdijshëm për zgjedhjen që ka bërë; dhe mundësisht t’ia komunikojë pjesës tjetër të shoqërisë për të marrë solidaritet prej saj. Mirëpo, ndodh shpeshherë që udhëtarët janë të nxehur me shoferët e autobusëve, sepse nuk i (mirë)kuptojnë arsyet e grevës. Fusha e transportit ka veçoritë e veta, ngaqë sikleti më i madh bie mbi supet e qytetarëve dhe më pak mbi ndërmarrjet e transportit.

Duhet të pranojmë se greva është një armë që kur përdoret i dëmton të gjithë. Punëmarrësin, por edhe punëdhënësin. I pari nuk paguhet me rrogë, i dyti humbet me ndërmarrjen. Por shpesh e hanë edhe të tretët: udhëtarët, klientët, pacientët, konsumatorët… Një palë mendon se normalisht e idealisht, sindikata duhet të kërcënojë me grevë, por tendencialisht nuk duhet ta përdorë atë, sepse bëhet fjalë për një armë finale, pra duhet të zgjidhet si extrema ratio. Por një palë tjetër sheh tek greva armën më të mundshme e më të përdorshme të sindikatës e të punëtorëve, mobilizimin e masave kundër pronarëve dhe qeverisë. Pluralizmi sindikal nuk është shpikje teorike, bazohet në konceptime të ndryshme të luftës për të drejtat e punëtorëve.

Idealja do të ishte që problemet e punonjësve të zgjidheshin pa e çuar punën deri tek greva, që e rrit detyrimisht konfliktualitetin social, si brenda ashtu edhe jashtë ndërmarrjes, si me punëdhënësit ashtu edhe me institucionet. Por nuk jetojmë në parajsë, as në shoqëri ideale, ndaj edhe grevat ekzistojnë. Përgjegjshmëria jo gjithnjë bën pjesë në bagazhin kulturor të palëve.

Ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të zhvillohen analiza e vlerësime për grevën si formë e përpjekjeve të punëtorëve për të arritur të drejtat e tyre. Por ndoshta ia vlen të fillojmë nga këto të fundit, e nga koncepti i respektit të njeriut e punës së tij. Sepse në fushëbetejë edhe mund të shkosh, por duhet të dish përse lufton.

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: