NJË DITË NË EXPO (III)

Pavijonin shqiptar në Expo dua ta shikoj edhe në mbrëmje. Fundja justifikimet i kam: duhet të shijoj spektaklin e “Pemës së jetës” dhe të vizitoj pavijonet e tjera në Cluster Bio-Mediterraneo. Të mjaftueshme për t’i rezistuar forcës magnetike të pavijoneve cult si Brazili, Kina, Kazakistani, Azerbajxhani, Meksika, etj.

Expo-Mali i ZiKështu drejtohem nga pavijoni i Malit të Zi. Mbetem me gojë hapur nga hapësira dhe atmosfera. Nga tavani varen fije të trasha leshi si stalaktite të bardha, që pasqyrohen magjishëm në dyshemenë që riprodhon liqenin malor. Duken si korale të një deti jashtëtokësor. Përballë, mbizotëron një ekran i stërmadh me pamje natyrore, që rimerr e amplifikon të njëjtat motive. Në tryezën e personelit ka fletëpalosje, botime, ilustrime të vendit. Nuk mungojnë souvenir e objekte të tjera që e forcojnë idenë e Malit të Zi.

Pavijoni i Tunizisë më jep idenë e oazës në shkretëtirë dhe pazarit arab. Ka muzikë tradicionale në sfond dhe vitrina të shumta me objekte zbukurimiExpo-Mali i Zi-1 nga vendi. Kam përshtypjen se përgatiten edhe gjellë tipike të Tunizisë. Shkoj më tutje, por gjithnjë brenda Mesdheut. Pritshmëria ime për Greqinë zhgënjehet. Përveç dy instalacioneve që tregojnë Tokën dhe Ujin, ekrane në vertikal e në horizontal, nuk shoh ndonjë gjë të veçantë. Se po harroj, nuk mungojnë nja dy vitrina me produkte greke e bimë aromatike në kova të vogla. Dhe mirësjellja e dy grave që presin vizitorët.

Anashkaloj grumbullin e telekamerave dhe të bodigardëve që kanë rrethuar një personalitet, me siguri të rëndësishëm. Shoh nga larg se janë dy: Presidenti i Senatit italian dhe Ministri i Bujqësisë. Është natyrisht nder për cluster-in e Mesdheut ku dallohet, midis të tjerash, krahina e Sicilisë. Futem në Expo-Tuniziapavijonin e Serbisë, por nuk shoh vizitorë të shumtë. Kaloj pa mëdyshje në pavijonin e Algjerisë, ku më mahnit ekrani rrethor i lëvizshëm dhe mjedisi tradicional. Edhe këtu nuk mungojnë objektet artistike e botimet për vendin. Më tregojnë se kanë aty ngjitur edhe një restorant, ku ofrojnë herë pas here degustim të pjatave tradicionale. Në fund kaloj nga pavijoni i Maltës, i ndërtuar i tëri mbi motivet e zgjoit të bletëve. Ekspozohen disa produkte të kosheres. Mësoj se vetë fjala Maltë rrjedh nga fjalët greke e arabe që tregojnë ëmbëlsinë e mjaltit autokton e të bollshëm të këtij ishulli të bukur.

Shëtis edhe pak e pastaj kthehem në origjinë, pra në pavijonin shqiptar. Vizitorë hyjnë herë pas here, por pastaj dalin menjëherë. Nuk dëgjoj tinguj muzike. Dikush pyet, dikush tjetër kërkon vulën mbi pasaportën e Expo-së, dikush tjetër ikën i heshtur. Shoh një grua shqiptare që ka sjellë familjen e vet dhe të afërmit italianë. Ankohet se përse nuk ka ushqime tipike shqiptare për t’u treguar vizitorëve traditën e pasur shqiptare. Dalloj zhgënjim. Priste diçka tjetër për t’ia treguar grupit me të cilit shoqërohet. E ma merr nga goja batutën për çmimin e lartë të hyrjes në Expo. Por ky nuk është faji i pavijonit shqiptar. I kujtojnë aktivitetin e verës, por nuk bindet plotësisht. Kam kënaqësinë të bisedoj me bashkatdhetarë, por më duhet të largohem.Expo-Greqia

Megjithatë, gjej kohën t’i bie përqark edhe një herë pavijonit e cluster-it, shoqëruar me përshtypjet e ditës. Po ta qërosh diskursin e pavijonit shqiptar në Expo nga retorika politike e kombëtariste, po t’i pezullosh idetë estetike për instalacionin e sistemimin e brendshëm, po ta ndash angazhimin e personelit nga projekti i përgjithshëm, po t’i kalosh në sitë lavdërimet e meritueshme dhe kritikat e detyrueshme, shija që mbetet është ajo e një shansi të madh, por që nuk është shfrytëzuar mirë. Është realiteti dhe imagjinata që e nxjerrin në pah. Pavijoni shqiptar duhet të ishte shkëndija, gjeneratori, strumbullari, gozhda e Nastradinit, dritarja, skena, për të gjitha nismat shqiptare në Expo. Pavijoni është vitrina e Shqipërisë në shëtitoren e globit, ndërkohë që është përdorur më shumë mediatikisht për konsum të brendshëm se sa të jashtëm. Nisma interesante si ajo e verës, por edhe kulturore e artistike, duhet të ishin rregulli i përditshëm e jo përjashtimi. Vështirësitë organizative e financiare, natyrisht të vërteta, janë të kapërcyeshme me pak vullnet të mirë.

Expo-MaltaPavijoni shqiptar në Expo e tregon në mënyrë plastike se Shqipëria nuk punon si sistem, si një vend i vetëm me objektiva të përbashkëta. Përndryshe, pavijoni do të ishte shndërruar në destinacion për të gjithë protagonistët e ushqimit e të natyrës, që duhet ta merrnin rrugën drejt Expo-së si pelegrinët. Do të ishte mënyra më e mirë për ta promovuar brand-in e Shqipërisë. Por kjo kërkon një qasje sistemike, sikurse kërkon një rrjet aktorësh të ndërtuar e të kolauduar gradualisht në kohë e posaçërisht për rastin konkret. Pavijoni shqiptar duhet të kishte mbledhur pikërisht frytet e një pune të përbashkët për t’i treguar botës potencialet e saj. Aktivitetet sporadike, anipse të suksesshme, nuk e sjellin pranverën e zhvillimit. As na zgjidhin shumë punë postimet ose cicërimat në internet.Expo-Algjeria

Është e vërtetë që nga shteti nuk duhet të presim gjithçka, por edhe ky nuk duhet të presë çdo gjë nga qytetarët, sepse shpeshherë kërkohet stimulim i dyanshëm, nëse për dy anë bëhet fjalë. Pavijoni shqiptar duhet të ishte konceptuar si kolektor i gjithë energjive pozitive shqiptare, brenda e jashtë vendit, individuale e kolektive, në mënyrë që ta vlerësonte shqiptarinë nga pikëpamja e traditës ushqimore dhe të jepte kontributin e vet origjinal në Expo.

Expo-ShqiperiaE pse jo, mund të kishte krijuar raste debati kulturor, qoftë edhe për të vënë në pikëpyetje këtë konceptim konsumist dhe edonist të eventit pesëvjeçar, që ngjan si një sagra e fshatit global, prapëseprapë provincial, ku tema të rëndësishme për njeriun e planetin mbeten në hije.

Shqipëria është vend i vogël por ka përvojë të madhe për të hedhur në pjatë jo vetëm traditën e vet kulinare, por edhe tema të rëndësishme si mungesa e ushqimit, varfëria, solidariteti, uria, nënushqimi, harxhimi i ushqimit, energjia, mjedisi, territori, biodiversiteti, deti, pabarazitë sociale, identiteti kolektiv, zhvillimi bujqësor, zhvillimi i mbajtshëm, pasuritë ujore, puna e njeriut, e kështu me radhë. Tema që mund të nxisnin debate jashtë e brenda Shqipërisë. Kjo e fundit, problemet e ushqimit i ka më të freskëta se cilido vend tjetër në Europë, në dyert e së cilës po trokasin sot njerëz të uritur e të vuajtur. Nejse, pavijoni shqiptar do të rrijë hapur për muaj të tjerë. Kushedi e merr shkëlqim siç do të dëshironim të gjithë, për të mirën e përbashkët… E pamundur nuk është.Expo-Pema e jetes

Muzikë e zëra njerëzish më joshin drejt vendeve të tjera. Më ngjajnë me sirenat e Uliksit, kurse unë nuk kam nevojë për dyllë. Përkundrazi. Vazhdoj të shëtis nga pavijoni në pavijon. Këmbët nuk i ndjej më, por lodhja më fashitet kur mendoj se në darkë vonë kam spektaklin e “Pemës së Jetës”. Dulcis in fundo.

 

[Fund – fotografitë janë të autorit]

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: