INSTITUCIONE 2.0

Lajmin për ministrin e ri të Mirëqenies sociale, Blendi Klosi, e përcollën të gjitha mediat shqiptare. Duhet të themi e përcollën, sepse fillimisht lajmin e dha Kryeministri shqiptar Edi Rama në profilin e tij në facebook.

Ja se si e jepte njoftimin Agjencia Telegrafike shqiptare, me të cilën ngjasojnë pak a shumë mediat e tjera të shkruara dhe elektronike:

Kryeministri Edi Rama emëroi sot, Blendi Klosin si ministër të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se “Blendi Klosi do të jetë ministri ynë i ri i Mirëqenies Sociale për të çuar më tej reformat rrënjësore të nisura nga Erion Veliaj”. Sipas procedurave ligjore, propozimi i kryeministrit për emërimin e ministrit të ri të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i dërgohet për dekretim Presidentit të Republikës, dekret i cili miratohet më pas nga Kuvendi i Shqipërisë. Blendi Klosi zëvendëson në këtë post Erion Veliaj, i cili kandidon për kreun e bashkisë së Tiranës. (Ata, 21.5.2015)

Që komunikimi politik është ndikuar ndjeshëm nga zhvillimi i rrjeteve sociale dhe komunikimi në internet përbën tashmë një realitet të pakundërshtueshëm. Ndryshimin e ndjejnë vetë mediat tradicionale, të cilat marrin shpesh informacion pikërisht nga interneti, ndërsa politikanët i shmangin shpesh mediat mainstream për t’iu drejtuar drejtpërdrejt publikut. Nuk është e rastit që fushatat e reja elektorale në perëndim zhvillohen kryesisht në hapësirën virtuale të internetit, ose duke i dhënë gjithsesi rëndësi të veçantë.

Nuk është rasti të diskutojmë nëse komunikimi i Kryeministrit në facebook ishte korrekt apo jo nga ana institucionale, sepse lipsen njohuri juridike e kushtetuese specifike, por mund të vëmë re pa vështirësi se deri dje emërimi do të shoqërohej me konferencë shtypi zyrtare, me komunikatë shoqëruese, ndoshta me konsultime partiake e brenda koalicionit. Mund të bjerë në sy edhe detaji se ai që quhet emërim i Ministrit, në të vërtetë është propozim për emërim, meqë siç mësojmë nga mediat, kërkohet fillimisht dekretimi i Presidentit të Republikës e më pas miratimi nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Të gjitha këto pasazhe mund të jenë krejt formale, meqë emërimi i Ministrit Blendi Klosi, sipas gjasës, nuk ka përse të ketë probleme politike, kështu që mund t’i bëjmë që tani urimet tona më të sinqerta. Por ndonjëherë forma është përmbajtje, siç na kujtojnë ithtarët e formalizmit juridik.

Pavarësisht nga rasti në fjalë, fakt është se diçka ka ndryshuar në komunikimin politik shqiptar, e jo vetëm. E këtu nuk bëhet fjalë për shpejtësinë e komunikimit, meqenëse rrjetet sociale dhe interneti në përgjithësi i mundësojnë informacionit shpejtësi marramendëse, të paparë në botën analogjike; por edhe për karakterin konciz të komunikimit, ngaqë rrjetet sociale nuk parapëlqejnë shpjegime të gjata, madje Twitter vë në dispozicion një hapësirë vetëm prej 140 shkronjash. Kjo shpejtësi nuk mund të mos ndikojë në vëmendjen e aftësinë analitike të qytetarëve, të cilët bombardohen çdo ditë me postime-rrufe direkt nga politika.

Komunikimi politik modern shqiptar kërkon refleksione serioze, sepse jetësohet në një shoqëri të transformuar, që është njëkohësisht konsumator, produkt e gjenerator i mediave të reja. Nga një anë, p.sh. kemi shoqërinë e lëngshme (Bauman), në kuptimin e një bashkësie që formohet nga struktura që prishen e materializohen me shpejtësi e brishtësi, ku individi dhe marrëdhëniet shoqërore shënjohen përfundimisht nga kjo gjendje lëvizshmërie e përhershme. Nga ana tjetër, kemi një shoqëri që po shkon drejt individualizmit, pra drejt shkërmoqjes së bashkësisë e krijimit të shoqërisë së individëve, ku strukturat e mëparshme, si p.sh. subjektet e ndryshme kolektive, po shkojnë drejt relativizimit e transformimit.

Në politikën shqiptare vihet re prej kohësh prirja e liderit për të komunikuar direkt me popullin, pa ndërmjetësimin e strukturave tradicionale. Interneti krijon mundësitë teknike të anashkalimit të mediave elektronike e të shkruara, kurse populizmi krijon humusin social për ta amplifikuar këtë lloj komunikimi, nga lideri tek masat popullore, pa asnjë ndërmjetësim e interferencë.

Gjithashtu, kjo prirje nuk mund të shihet ndarazi nga personalizimi i politikës, çka mund të vëzhgohet nëpërmjet historisë së partive politike shqiptare në pluralizëm. Edhe në këtë rast, komunikimi digjital e zmadhon dukurinë e personalizimit dhe e përforcon atë duke e riprodhuar çdo ditë. Qytetarit të thjeshtë, kjo dukuri i vjen si risi pozitive, për sa kohë komunikimi i drejtpërdrejtë me liderin, shoqëruar me komentin përkatës, të jep ndjesinë e pjesëmarrjes e të rëndësisë personale në zhvillimin e politikës. Por në thelb, përtej vlerave të komunikimit virtual, kemi të bëjmë me një iluzion e surrogato të pjesëmarrjes së vërtetë; çka varet gjithashtu nga mënyra se si përdoren mjetet moderne.

Në këtë kuadër, koncepti i së thjeshtës merr rëndësi të posaçme, sepse i paraqitet publikut në trajta joshëse. Gjuha shqipe dallimin midis dy koncepteve e ka shumë të qartë. Tjetër është t’i thjeshtosh gjërat e tjetër t’i thjeshtëzosh. I ndan një det i tërë në mes. E sado i zoti të jesh, me 140 shkronja vetëm mund ta thjeshtëzosh ligjërimin politik, pavarësisht se mund të dalin batuta simpatike e xhevahire komunikuese. Bota e ndërlikuar ku po jetojmë dhe problemet e shumta që na dalin përpara, nuk mund të kërkojnë kurrsesi zgjidhje simpliste e të thjeshtëzuara.

Nuk mund të lihet mënjanë as vlera simbolike e vendeve ku ushtrohet debati politik. Mund të thuash të njëjtat fjali, si nëpërmjet rrjetave sociale, ose celularit inteligjent, ashtu edhe nëpërmjet mikrofonit të foltores parlamentare. Por kanë valencë krejtësisht të ndryshme.

Të gjitha prirjet e mësipërme, pa e demonizuar aspak internetin dhe pa ia ulur vlerat e pamohueshme, janë vënë re prej kohësh nga studiuesit e komunikimit dhe të mediave të reja. Shqipëria paraqet disa veçori, si p.sh. e kaluara totalitare dhe apatia e shoqërisë civile, që mund të interferojnë me zhvillimet e reja të politikës, të mediave e të ndërveprimit mes tyre. Por tema kërkon monitorim të vazhdueshëm, sidomos për pasojat që dukuritë e reja lënë mbi idenë e politikës dhe të demokracisë.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: