SKAFISTËT E LINDJES

Kushedi, të hutuar nga fushata elektorale, nga loja e kandidaturave, nga spektakli i vazhdueshëm parlamentar dhe nga zhbirimet e arsyeve të “eksodit” të shqiptarëve, politika dhe mediat nuk ua vunë veshin gomoneve që u nisën nga brigjet shqiptare.

Duhet të pranojmë që në fillim se, deri dje, njoftimet për gomonet në kanalin e Otrantos, që merren me trafikun e qenieve njerëzore, duhet të konsideroheshin detyrimisht me rezerva, por natyrisht pa indiferencë. Gjithsesi, situata po ndryshon me shpejtësi.

Para pak kohe, shumëkujt i bëri përshtypje heshtja që rrethoi lajmet për gomonen që zbarkoi në Pulja. Gomonia drejtohej nga dy skafistë shqiptarë nga Vlora, që u arrestuan me akuzën e favorizimit të imigracionit të paligjshëm. Përveç lajmeve të shkurtra, të kopjuara nga mediat italiane, nuk vijuan hulumtime të çfarëdolloji, ose reagime nga institucionet shqiptare.

Megjithatë, gomonet e diktuara nga forcat detare italiane, duhet të përbënin sinjal alarmi, si ato llambushkat që ndizen nëpër makineritë e ndryshme, për të treguar se diçka nuk shkon në mekanizmin e kontrollit e të ligjshmërisë. Nuk është për t’u nënvleftësuar fakti se gomonet që nisen nga Shqipëria përdoren tashmë jo vetëm për drogë, por edhe për trafik njerëzor. Mungesa e vëmendjes publike vetëm sa e rëndon gjendjen.

Besoj se pak janë ata që nuk janë në dijeni të anijeve plot migrantë që nisen nga veriu i Afrikës për të zbarkuar në Itali. Shumë prej tyre rrezikojnë jetën, ndërkohë që skafistët e paskrupullt fitojnë më mijëra euro në kurriz të refugjatëve të dëshpëruar. Mesdheu, për fat të keq, po kthehet në varrezë kolektive. Komuniteti ndërkombëtar dhe Bashkimi europian nuk kanë gjetur ende mjetet dhe rrugët e duhura për ta ndërprerë këtë tragjedi të pafund.

Pak ditë më parë (26 prill 2015), mediat italiane njoftuan publikun për mbërritjen në Salento të 64 migrantëve të huaj të tjerë. Për herë të parë flitet qartë për “biznesin e skafistëve shqiptarë”.

“Nuk është rastësi ky rikthim i zbarkimeve në Pulja”, shkruan gazeta La Repubblica. “Sepse ndërsa kanali si Sicilisë mbledh të vdekurit e vet, me projektorët të të gjithë botës të ndezur, trafikantët e njerëzve po zhvendosen në një pjesë tjetër të Mesdheut, më në hije”. Korridori i Lindjes e quajnë specialistët, të cilët janë “shumë të shqetësuar nga çka po ndodh në këto orë”.

Prokuroria e Leçes ka hapur hetimet e veta ndaj një organizate ndërkombëtare që nga Turqia sjell njerëz në Itali. Udhëtimi kushton nga 3.500 deri 5 mijë euro. Zbarkimet e fundit në Pulja, shkruan gazeta italiane, kanë sjellë rreth 200 migrantë me gomone shumë të shpejta, të cilat përdoren zakonisht nga kontrabandistët. Këto gomone drejtohen nga shqiptarë e po i shqetësojnë shumë forcat italiane të rendit.

Në shkrimin e mëparshëm theksuam se një gomone thotë relativisht pak, por kur sinjalet fillojnë e shtohen, si ky rast i fundit, atëherë edhe vëmendja e institucioneve dhe e mediave duhet të fokusohet në drejtim të tyre. Ka shumë aspekte serioze për t’u analizuar, por edhe masa për të marrë. Nuk po dëgjoj ndonjë debat serioz në ligjërimin publik shqiptar për trafikun njerëzor, përveç akuzave e kundërakuzave për azilkërkuesit. Kthimi i kokës nga ana tjetër, ose e ashtuquajtura metoda e strucit, është rruga më e keqe që mund të zgjidhet.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: