SIPAS MERITAVE

Megjithëse Shqipëria ka hyrë në rrjedhën botërore të informacionit, të paktën potencialisht, nuk është e thënë që debatet kulturore që hapen në Perëndim mund të zhvendosen mekanikisht në hapësirën shqiptare, pa zhvilluar një reflektim të mëtejshëm. Le të marrim çështjen e meritokracisë.

Meritokracia, term fatlum që shënjon shoqërinë ku përgjegjësitë drejtuese dhe rolet publike u besohen atyre që kanë më shumë merita, inteligjencë e aftësi. Kjo fjalë është përdorur fillimisht me konotacion negativ, por më pas i është dhënë mundësia të tregojë alternativën pozitive të dhënies së posteve në bazë të egalitarizmit, ose ca më keq të nepotizmit.

Debati që lind herë pas here në vendet perëndimore ka të bëjë me aberracionin që sjell meritokracia. Në fakt, termin e krijoi sociologu britanik Michael Young (1915-2002), në librin e tij The Rise of the Meritocracy, të cilin e botoi më 1958. Libri nuk është shkencor, në kuptimin që flet për një shoqëri të imagjinuar ku mbizotëron meritokracia dhe inteligjenca. Për nga tipologjia libri i ngjan pak 1984 të George Orwell. Shoqëria që përshkruhet në libër është regjim despotik, që vë në qendër të vet meritën, duke i ndarë individët sipas kuocientit intelektiv që në fëmijëri. Young praktikisht tallej me zbatimin e një parimi të tillë në shoqëri, e cila nëpërmjet meritokracisë kishte eliminuar klasat e mëparshme, duke i ndarë njerëzit sipas meritave që kishin.

Në një shkrim të vetin për meritokracinë, prof. Damiano Palano, i kujton lexuesit se sociologu Michael Young nuk duroi dot e në një farë pike ndërhyri në debatin për meritokracinë, sepse neologjizmi, sipas tij, ishte shtrembëruar krejtësisht. Ai e kishte shkruar veprën kundër teknikave të matjes së inteligjencës, kurse tani meritokracia kuptohej si parim kryesor i një ideologjie antiegalitare. Përveç kësaj, shkrimi i sociologut britanik polemizonte edhe me Tony Blair, duke kundërshtuar rezultatet e sistemit arsimor.

Duhet të pranojmë se termi “meritokraci” është përdorur edhe me kuptim pozitiv, si antidot i barazisë ekstreme midis njerëzve, ose kur flitet për punësimin e njerëzve sipas aftësive e jo sipas njohjeve. Po të tregohemi metikulozë, përdorimi i termit duhet të quhet i gabuar, sepse do të ishte më saktë të flitej për sistem të meritës, qoftë me ndonjë neologjizëm që mund të tingëllojë keq si p.sh. meritueshmëri ose meritësi. Vetë prapashtesa –kraci e komprometon fjalën deri në fund, sepse kemi të bëjmë me forcën, pushtetin, imponimin e meritës.

Kritikët e matjes së meritave, shprehet Palano, e vënë në dyshim “objektivitetin” e mjeteve që i masin ato. Nga ana tjetër, kur flasim për meritë flasim vetëm për një individ, duke harruar veprimtarinë e bashkësisë, pra të shumë njerëzve. Problemi i vërtetë, nënvizon ai, është moral, sepse meritat duhet të vlerësohen në bazë të objektivave që ka shoqëria, kompania ose organizata çfarëdo. Nyja kryesore gjendet tek qëllimi i sistemit, që shpeshherë nuk njihet asfare nga personat që ekzaminohen nga pikëpamja e meritës. Pra objektivat vendosen nga lart, ose nga jashtë. Pastaj, cili është ai arbitër e mbi ç’baza i vlerëson meritat e njeriut? Këtë pyetje të fundit e bën filozofi Roberto Esposito, i cili e konsideron thelbësisht të padrejtë shoqërinë meritokratike. E nuk është rastësi që këto mendime, na përshoqërohen me romane distopike si Divergent e Veronica Roth, ku klasat (fraksionet) caktoheshin në moshë të re me mjete e vlerësime teknike.

Këtu na vjen në ndihmë përvoja e totalitarizmit shqiptar. Ta zëmë se regjimi mori në punë një spiun/hetues, i cili doli më pas se ishte “As” i hatashëm në aktivitetin e vet, një qen roje kufiri, si i thoshin atëherë, me nuhatje të jashtëzakonshme; një që nuk linte njeri pa rrasur brenda për një fjalë goje e që i përdorte të gjitha mjetet për t’i çjerrë maskën “armiqve të popullit”. Rendimentin e punës ky do ta kishte fantastik, me shifra tejet të larta. I zellshëm deri në vdekje. Pra, sipas sistemit meritokratik, do të thoshim se për njeriun e duhur, u gjet vendi i duhur; ose e kundërta. Çdo gjë në rregull? Jo, aspak, sepse “fuksi” ishte caktuar vërtet sipas meritave të tij në atë vend, dhe Pushtetit të atëhershëm i duhej jashtëzakonisht shumë, por qëllimet e asaj veprimtarie ishin rrënjësisht të mbrapshta, sepse padrejtësisht merrnin në qafë jetë njerëzish.

Mirëpo ky arsyetim, që na shpie direkt tek çështja e etikës, na nxjerr përpara një dileme tjetër. Ishin synime të mbrapshta për etikën e sotme, apo për atë të djeshmen? Sepse “lufta e klasave” pa kompromis ishte detyrë e asaj kohe dhe etika e dikurshme ia lejonte atij të denonconte armikun e Partisë. Porse, siç e dinë dëshmitarët e asaj periudhe, kishte si hetues e gjykatës, ashtu edhe policë e gardianë, që nuk e bënin me aq zell punën e tyre, e gjithsesi një gotë ujë ua jepnin të burgosurve, sikurse e bënin ndonjëherë veshin shurdh përballë ndonjë fjale pas rakisë, ose syrin qorr përballë ndonjë antene mbi çati. Cilës etike i përgjigjeshin ata? Sidoqoftë, nga pikëpamja e meritokracisë, rezulton se kategoria e fundit nuk ishte aq e mirë për regjimin totalitar.

Në qoftë se do ta zhvendosnim këtë arsyetim në kohën e nazizmit, do të na kujtoheshin oficerët çnjerëzorë në kampet e përqendrimit, ku meritokracia matej paradoksalisht me shfarosjen e njerëzve të pafajshëm. Kurse po ta kthejmë muhabetin në ditët e sotme, mund të përmendim prodhimtarinë e laboratorëve të drogës, apo aftësinë e trafikantëve të saj. Sa jetë njerëzish kushton kompetenca e një trafikanti? E po ta shtyjmë çështjen në ekonomi, ku të korruptuarit kanë aftësi të pashoqe, mund të pyesnim: Sa varfëri krijon një politikë e korruptuar?

Mirëpo, ky debat ka kuptim në vende me demokraci të konsoliduar. Në Shqipëri, meritokracia rrezikon të marrë detyrimisht konotacione pozitive, për faj të mjedisit kulturor mbizotërues. Le ta pranojmë se shoqëria shqiptare vuan prej kohësh nga e ashtuquajtura miqësi e sëmurë, ose klientizmi (klientelizmi), sikurse është infektuar rëndë nga nepotizmi. Në rastin e klientizmit kemi një sistem marrëdhëniesh ndërpersonale, që ndërtohet mbi shkëmbimin e favoreve, që ka të bëjë me shpërndarjen e të mirave, jo në bazë të së drejtës ose meritës, por në bazë të njohjeve dhe interesit.

Nepotizmi duket më i thjeshtë si mekanizëm, edhe pse bazohet gjithnjë tek mohimi i meritës. Fjala rrjedh nga latinishtja nepos dhe i referohet periudhës mesjetare kur disa papë e ipeshkëv u jepnin poste e favore fëmijëve të tyre, por që i quanin nipa sepse nuk mund t’i konsideronin si fëmijë natyralë. Në kohët moderne, fjala e ka zgjeruar kuptimin e vet, duke përfshirë favorizimin e paligjshëm e të padrejtë të kushërinjve ose miqve me detyra e ofiqe publike. Pra dukuria është më e gjerë, pavarësisht se etimologjia flet vetëm për nipa. Në Shqipëri, nepotizmi mund të shtrihet deri tek bashkëfshatari, të cilit i jepet një vend pune në shtet thjesht ngaqë vjen nga një krahinë e caktuar.

Të mos harrojmë se shqipja ka edhe shprehjen “i fus mik”, që dikur përdorej më shumë se sa në ditët e sotme. Për një notë të mirë, dikur i fusje profesorit mik, me fjalë të tjera i gjeje një të njohur të përbashkët që i rekomandonte trajtim të mirë në provim. Kjo nënkuptonte që në të ardhmen edhe profesori, mund t’i kërkonte atij mikut ndonjë nder tjetër, ta zëmë një autorizim për lavatriçe, ose për kabinë në plazh. Si të thuash, njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën.

Me kalimin e viteve “miku” erdhi duke u zbehur si mekanizëm; ose më mirë “njohjet” u monedhëzuan, sepse filloi të përdorej paraja si mjet universal rekomandimi. Ky mekanizëm, që duhet të studiohet më tej në shoqërinë parakapitaliste shqiptare, e tregon krimbësinë e vet kur marrim si shembull studentin e mjekësisë. Si dajë, ti vërtet mund t’i gjesh mik profesorit, që t’i japë notë të mirë nipit tënd, ose t’i bësh një dhuratë të çmuar, ose ca më keq, t’i japësh një dorë parà, por ai mjek nesër mund të të operojë në urgjencë, madje pa anestezi, se do t’i humbësh ndjenjat sapo ta shohësh në fytyrë. Më duket se ka pasur edhe një skeç për këtë punë. Por ky model mund t’i aplikohet patentës së shoferit, që drejton automjetin, ose vetë ministrit, që drejton vendin.

Kjo është edhe arsyeja përse e përdorim me kuptim pozitiv fjalën meritokraci, sepse duam që tek një shoqëri të korruptuar si e jona të vlerësohet puna, aftësia, angazhimi, dhe jo aspektet e tjera. Megjithatë, pavarësisht nga pasaktësitë semantike, që mund të korrigjohen duke përdorur një term të ri, nuk mund ta fshehim edhe kontradiktën tjetër. Nuk është e vërtetë se politikani shqiptar fut dikë në punë pa pasur parasysh “meritokracinë”, si p.sh. në rastin kur i gjen punë ministrore drejtuesit të fushatës së tij elektorale, ose militantit të zonës zgjedhore. Politikani pikërisht se ia vlerëson “meritat” i jep një vend pune. A mund të flasim për meritokraci në këtë rast? Siç mund ta kuptojmë pa vështirësi, meritat e punëmarrësit nuk kanë të bëjnë me postin që i jepet, por me të tjera aktivitete, që nuk ka lidhje me punën e shtetit. E këtu shfaqet përsëri çështja e etikës, që ka të bëjë me të gjithë qytetarët, jo vetëm me politikanët.

 

Bibliografi minimale

Michael Young, The Rise of the Meritocracy, (botime të ndryshme).

Michael Young, Down with meritocracy, “The Guardian”, 29.06. 2001.

Roberto Esposito, La grande ingiustizia di una società meritocratica, “La Repubblica”, 12.12.2014.

Damiano Palano, Meritocrazia, l’utopia «rovesciata» della società dispotica, “Avvenire, 13.03.2015.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: