PICKIMI I BLETËS

Po të interesohesh për bletët në këto momente rrezikon të të kujtojnë atë shprehjen e krehjes ndërsa fshati digjet. Sidoqoftë, ia vlen barra qiranë, për arsye se fshati vërtet po digjet dhe bletët janë kallauzi më i mirë.

Nuk është hera e parë që u kushtojmë vëmendje bletëve, të cilat i kemi parë nga këndvështrimi jo i bletërritësit, por nga ai i dashamirësit, i konsumatorit dhe i vëzhguesit. Megjithatë, nuk i kemi parë kurrë nga pikëpamja e rrezikut të zhdukjes së tyre.

Në vitet 2000 u bë shumë e qartë se bletët rrezikonin të zhdukeshin, sidomos në Europë e në SHBA, ngaqë ekspertët vunë re një ulje të ndjeshme të zgjojeve. Thuhet se në Europë, gjatë viteve dymijë, bletët janë pothuajse përgjysmuar, ndërkohë që tendenca nuk është aspak pozitive. Në dimrat e fundit në Europë popullsia e bletëve është ulur me 20%, por kjo shifër në disa vende është më e lartë.

Në Shtetet e Bashkuara vdekja me 30-40% e zgjojeve më 2006 u shpjegua me sindromën e Colony Collaps Disorder, që shkaktonte zhdukjen e bletëve punëtore.

Përse vallë janë kaq të rëndësishme bletët? Natyrisht jo vetëm për mjaltin, që mbetet ushqim i shkëlqyer që nga kohët e lashta, madje ka plot njerëz që, sot e kësaj dite, e konsiderojnë më shumë si ilaç se sa produkt ushqimor. Po i lëmë mënjanë nënproduktet e tjera të kosheres, të vlefshme si edhe mjalti. Fakti është se bletët kanë rol themelor për pjalmimin (polenizimin) e luleve. Është shërbim kyç për të ruajtur biodiversitetin, florën dhe ekosistemin. Pa veprimtarinë e bletëve, që shkojnë lule më lule, pjalmimi duhet të bëhet me mjete të tjera, që janë të kushtueshme e gjithsesi jo aq efikase.

Albert Einstein-it i kanë vënë në gojë këtë thënie: “Nëse bletët do të zhdukeshin, pas katër vjetësh do të zhdukej i gjithë njerëzimi”. Sipas gjasës, fizikani gjenial nuk e ka shqiptuar kurrë këtë fjali, por fati i përhapjes së saj duhet të shihet jo tek autori, por tek rëndësia që kanë bletët në mjedisin ku jetojmë. Mungesa e bletëve do të sillte një reagim zinxhir që do të dëmtonte disa prodhime frutash e perimesh, çka do të ndikonte më pas negativisht në blegtori. Mendohet se 75% e kultivimeve do të pësonin ulje në prodhim.

Arsyet e uljes së numrit të zgjojeve janë enbletetde duke u studiuar e nuk ka ndonjë shpjegim përfundimtar shkencor. Studiuesit mendojnë se vdekja e bletëve shkaktohet nga një sërë faktorësh, disa prej tyre ende të panjohur. Këtu futen sëmundjet që prekin bletët, bujqësia industriale, përdorimi i pesticideve, ndotjet e ndryshme, ndryshimet e klimës, etj. Për ta thelluar njohjen e kësaj problematike tepër i dobishëm është raporti i Greenpeace “Bees in Decline. A review of factors that put pollinators and agriculture in Europe at risk.

Tema është aktuale në nivel botëror, sepse shumë organizata ndërkombëtare po përpiqen t’i kuptojnë shkaqet e sindromës së mësipërme dhe rrugët e mundshme të shërimit. Problemi është global, ndaj edhe zgjidhja kështu duhet shtruar.

Po Shqipëria ç’po bën në drejtim të bletarisë? Ky sektor ka pasur zhvillim të konsiderueshëm vitet e fundit, çka vihet re edhe nga përhapja në rrethet e ndryshme, me traditë ose jo. Sektori ka qenë dhe është pa dyshim fitimprurës. Nga një vështrim i jashtëm, vihet re mungesa e vëmendjes së duhur nga ana e institucioneve, ndonëse duhet pranuar se bletaria shfaqet të paktën si emër në vendimet e ndryshme programatike. Megjithatë, në sitin e Ministrisë së Bujqësisë mungon një rubrikë që t’i kushtohet bletarisë.

Përshtypja është se bletaria zhvillohet më shumë në plan individual, në bazë të nismave personale, pra pa një vizion sistemik, që vetëm institucionet mund ta sigurojnë. Bletaria nuk mund të krahasohet për nga vëmendja me sektorë si bujqësia e blegtoria, edhe pse, siç e pamë më sipër, mungesa e bletëve do të ishte katastrofike për të gjithë sektorët ekonomikë e për mjedisin.

bletariaPër një hov cilësor ka nevojë edhe organizimi i operatorëve të sektorit, të cilët janë bashkuar në shoqata që promovojnë herë pas here aktivitete të ndryshme. Pozitiv është edhe rritja e komunikimit në internet. Nga kërkimet në rrjet, vihet re se aktiviteti i bletarisë në Kosovë duket më energjik se ai në Shqipëri, çka na sugjeron se bashkëpunimi më i ngushtë do të sillte rezultate pozitive për të gjithë.

Edhe bletët që rriten në trojet shqiptare kanë pësuar ulje në numër, ose luhatje në rritje. Vite më parë, edhe në qytet, duhet të kishe kujdes nga pickimi i bletëve, ndërsa tani, me uljen e gjelbërimit, ky rrezik është shumë i ulët. Si të thuash, për çka përshenjon, bleta pickon edhe në mungesë. Shqetësimi për reduktimin e zgjojeve gjendet edhe në fjalët e bletërritësve, por duket se mungojnë projekte madhore për parandalimin e sëmundjeve. Nga ana tjetër nuk mund të lihet mënjanë cilësia e mjaltit, që duhet të jetë detyrimisht e lartë për të marrë rrugën e eksportit.

Italia ka ndërmarrë një projekt ambicioz, që synon regjistrimin e zgjojeve në të gjithë vendit, që do të jetë një hap përpara për bletarinë, por edhe për shëndetin e konsumatorëve, sepse do të rritet mundësia për ta kontrolluar origjinën e mjaltit, cilësinë e produkteve të ndryshme, por edhe sëmundjet që prekin bletët. Shqipëria duhet të futet menjëherë në rrjetet ndërkombëtare e në projektet europiane që merren me bletarinë dhe produktet e saj.

Një punë e mirë në favor të bletëve ndihmon ekonominë nga një anë, kurse nga tjetra rrit ndjeshmërinë dhe edukatën ndaj mjedisit. Ky aktivitet mund të fillojë që në shkollat fillore, ku vëmendja është e garantuar, pasi bleta ushtron sharm të jashtëzakonshëm tek fëmijët. Por para bletës dhe kurioziteteve të saj edhe të rriturit bëhen fëmijë.

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: