PENSIONI PËR ATA QË KTHEHEN

Një nga problemet serioze të migrantëve shqiptarë është informacioni. Vështirësitë e procesit migrator, përfshirë edhe ato të gjuhës, ndikojnë negativisht mbi njohjen e të drejtave të migrantëve, të cilët shpeshherë nuk i gëzojnë ato thjesht për mosnjohje të legjislacionit.

Gisht ka natyrisht edhe karakteri i ndërlikuar i legjislacioneve të vendeve pritëse, por fakt është që emigrantët shqiptarë – pavarësisht lulëzimit të mjeteve të kumtimit masiv – nuk arrijnë të marrin çka u takon me ligj.

I këtij mendimi është edhe Naim Balluku, zv/President i Inas Albania, që i ka zyrat në qendër të Tiranës, institucion që ofron shërbime falas për të gjithë emigrantët shqiptarë që kanë punuar e punojnë në Itali. Shembullin e fundit që na jep është ai i pensioneve për të riatdhesuarit.

Për ata që nuk e njohin emigracionin shqiptar, fjala pension mund t’u duket e ekzagjeruar, por nuk duhet të harrojmë se emigracioni shqiptar filloi me rënien e totalitarizmit pra në fillim të viteve 1990. Vitet kalojnë për të gjithë, por “më shumë” për ata që e kapërcyen kufirin në një moshë të caktuar. Për këta fjala pension bëhet sinonim i shpresës.

E pra, sipas Ballukut, reforma e qeverisë së Mario Monti-t, bëri ndryshime thelbësore në legjislacionin e sigurimeve shoqërore. Dy ishin risitë kryesore: zgjatja e moshës për pension (duke e lidhur me koeficientin e jetëgjatësisë) dhe mënyra e llogaritjes së pensionit (sipas kontributeve, jo sipas rrogës që personi merrte para daljes në pension). Reforma preku edhe emigrantët shqiptarë në Itali, por nuk është rasti ta shpjegojmë këtu me hollësi.

Rëndësi ka fakti që për punonjësit ekstrakomunitarë të riatdhesuar (jo anëtarë të BE-së) parashikohen disa favore dhe lehtësira, në krahasim me punonjësit e tjerë rezidentë, kryesisht porsa i përket kohës për dalje në pension.

Në rast riatdhesimi përfundimtar, punonjësi ekstrakomunitar, jo me kontratë sezonale, gëzon të drejtën për përfitimin nga sigurimet shoqërore. Sistemi i ri i pensioneve italiane parashikon dy mënyra llogaritjesh për pensionin: sistemi kontributiv (sipas kontributeve që ke derdhur gjatë jetës) dhe sistemi retributiv (sipas rrogave që ke marrë).

Siç e thamë, për ata që riatdhesohen përfundimisht ka disa lehtësira. Personat e punësuar pas 1 janarit 1996, mund të përfshihen për pension pleqërie në sistemin kontributiv, me plotësimin e moshës (66 vjeç e 3 muaj) edhe në qoftë se nuk kanë plotësuar 20 vitet e kontributeve standard. Punonjësit ekstrakomunitarë, të punësuar para 1 janarit 1996 mund të përfshihen, në rast riatdhesimi, me pension pleqërie, të llogaritur me sistemin retributiv, vetëm kur plotësojnë moshën e jo më pak se 20 vite kontribute.

Sidoqoftë, ka disa kushte për përfitimin nga fondi për riatdhesim, siç është rezidenca në Itali, lejeqëndrimi i rregullt, punësimi sipas rregullave e ligjeve, etj. Por nuk po hyjmë në detaje, të cilat mund të gjenden pranë zyrave përkatëse ose duke lexuar materiale informative të posaçme.

Përvoja na tregon se nuk ka asnjëherë dy raste binjake, pra rekomandohet gjithnjë konsultimi me ekspertë të fushës, por në përgjithësi mund të themi se punonjësit e siguruar brenda vitit 1995, kanë të drejtë të dalin në pension me plotësimin e 20 vjetëve kontribute (duke respektuar përherë moshën ligjore), kurse punonjësit e siguruar nga 1996 e këtej, kanë të drejtën e daljes në pension po të kenë jo më pak se 5 vjet kontribute (por dalin në pension në moshën 70 vjeç). Ka lehtësira edhe për invalidët e për punonjësit që rezultojnë me paaftësi te përhershme.

Dallimi me të tjerët, pra shqiptarë që nuk riatdhesohen ose qytetarë italianë, është se këta duhet të kenë minimumi 20 vjet kontribute për të marrë pension, gjithnjë po të kenë mbushur moshën e caktuar me ligj.

Kushti themelor për të riatdhesuarit është që ata të çregjistrohen nga listat e rezidencës në komunat përkatëse italiane, për të dëshmuar kthimin e tyre përfundimtar në Shqipëri.

Sipas ekspertit Naim Balluku, interesi i emigrantëve është në rritje e sipër, çka dëshmohet edhe nga interesimet e shumta pranë zyrës së institucionit që drejton. Që tema ka interes të veçantë mund të vërtetohet edhe nga statistikat e emigrantëve shqiptarë në Itali. Në fund të vitit 1995 në Itali numëroheshin rreth 35 mijë shqiptarë, kurse sot shifra ka kaluar gjysmë milionin. Pra pjesa më e madhe e shqiptarëve janë të interesuar për këtë çështje, natyrisht në bazë të moshës.

Nuk dihet se sa vetë mund të përfitojnë nga mundësitë që jep legjislacioni italian, megjithatë dihet se ka plot qytetarë shqiptarë që vendosin të kthehen përfundimisht në Shqipëri. Sado i vogël të jetë numri i emigrantëve që përfitojnë pension, e sado i vogël të jetë ky nga pikëpamja sasiore, ia vlen që t’i kushtojmë pak vëmendje këtij problemi social. E kundërta do të ishte mëkat i vërtetë.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: