MES DY KONTRADIKTASH

gome-per-fshirjeKur trajtuam deklaratën e Edi Ramës gjatë konferencës së përbashkët të shtypit me kryeministrin italian Matteo Renzi në fund të vitit të kaluar, e më pas intervistën që kryeministri shqiptar i dha televizionit “La7″, nuk na e mori mendja se tema e sindikatës do të dilte sërish në nivel ndërkombëtar.

Deklarata e parë e Ramës se imprenditorët italianë duhet të investojnë në Shqipëri sepse nuk ka sindikata, u shoqërua nga batuta e kryeministrit italian i cili tha “Bën shaka, bën shaka”, sipas gjasës për të shmangur ndërlikime të tjera. Deklarata e dytë, në mediat italiane, në emisionin “Invasioni barbariche”, kur Kryeministri shqiptar u shpreh se “nuk e ndjente mungesën e sindikatave” pati si përgjigje reagimin e menjëhershëm të gazetares Daria Bignardi që po e intervistonte: “E thënë nga një sekretar i një partie socialiste bën një farë përshtypje”.

Kontradikta e parë që has qëndrimi i Kryeministrit shqiptar është pikërisht kjo: si ka mundësi që një parti e majtë nuk e ndjen nevojën e ekzistencës së sindikatave? Në këtë pikë nuk po zgjatemi, sepse kemi folur herë tjetër, por vështirë të besohet se një parti e majtë nuk ia ndjen mungesën forcave shoqërore që merren me kushtet e pjesës më të dobët të shoqërisë.

Lufta ndaj shfrytëzimit të njeriut, kushtet e punës, pagesa e punonjësve, siguria në punë, të drejtat e grave, të drejtat e migrantëve dhe pakicave, sigurimet shoqërore, puna e zezë, puna gri, aksidentet në punë, mbrojtja e shëndetit, sëmundjet profesionale, lufta ndaj diskriminimeve, kontratat e punës, solidariteti, mbrojtja e familjes, paqja, mjedisi, vendosja e ligjit, e të tjera beteja të sindikatës, përkojnë shpeshherë me përpjekjet e së majtës. Madje e majta politike ka marrë në histori energji të madhe falë betejave sociale që kanë bërë shoqatat e punonjësve.

Shpjegimet e kësaj kontradikte mund të jenë të shumta, deri edhe ngatërresa tradicionale midis të majtës e së djathtës në Shqipëri dhe kriza e përfaqësimit në vendin e vogël ballkanik. Mirëpo, problemi qëndron ende, për sa kohë Partia socialiste shqiptare e konsideron veten të majtë dhe është anëtarësuar në nivel evropian me koalicionin e majtë.

Para pak ditësh, mediat njoftuan se një studim i Fondit Ndërkombëtar Monetar (FMN) ka dalë në përfundim se kapitalizmi i dhjetëvjeçarëve të fundit ka bërë që të arrihen përfitime të mëdha e të përqendrohen pasuri të pallogaritshme në duart e pak personave. Kjo ka ndodhur, gjithnjë sipas studimit, për faktin se sindikatat e kanë humbur disi fuqinë kontraktuale, çka është shkaktuar nga ulja e numrit të punonjësve që regjistrohen në sindikata.

Studimi në fjalë, që titullohet “Power from the people” (në botim e sipër), përgatitur nga Florence Jaumotte e Carolina Osorio Buitron, ka dalë në konkluzionin se dobësimi i sindikatave ka sjellë forcimin e kapitalit ndaj punës; kjo ka çuar në rritjen e pabarazive sociale e në shpërndarjen jo të ekuilibruar të të ardhurave. Si shembull mund të merret edhe rritja marramendëse e rrogave të menaxherëve drejtues të ndërmarrjeve shumëkombëshe. Problemi është se pabarazitë – çka kujtohet edhe nga studimi – mund të shkaktojnë rritje të ulët ekonomike e pambajtshmëri sociale, sepse përqendrimi në pak duar të fuqisë, ofron mundësinë e manipulimit të sistemit ekonomik e politik.

Kontradikta e dytë e qeverisë shqiptare fillon e duket pikërisht këtu. FMN-ja ka autoritet të jashtëzakonshëm në Shqipëri dhe dikton politikat ekonomike së bashku me institucionet e tjera ndërkombëtare. Por siç dihet, Fondi Ndërkombëtar Monetar nuk është ithtar i politikave të majta. Përkundrazi, ka mbështetur dhjetëvjeçarët e fundit politika liberaliste tejet të diskutueshme për vendet në zhvillim. Tani, dy studiueset e lartpërmendura, të cilat janë pjesë e Departamentit të kërkimit shkencor (IMF’s Research Department), pohojnë të kundërtën, duke pranuar rolin e sindikatave të punonjësve në shpërndarjen e të ardhurave e në zhvillimin ekonomik.

A thua do ta dëgjojë FMN-në qeveria shqiptare? Po të jetë kështu, kursi duhet të ndryshojë rrënjësisht, jo vetëm duke mohuar deklaratat e mëparshme, por edhe duke ndihmuar në rimëkëmbjen e sindikatave në Shqipëri.

Që në Shqipëri ka pabarazi të thella midis të ardhurave dhe hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është bërë gjithnjë e më humneror konfirmohet edhe nga të dhënat empirike. Këtë mund ta dallojë lehtë edhe një qytetar i thjeshtë që bredh në rrugët e Tiranës. Por atë çka qytetari i thjeshtë nuk mund të marrë me mend është se kjo pabarazi në fakt është pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit. Si të thuash, pabarazia sjell moszhvillim, kurse ky shkakton pabarazi. Një lloj rrethi vicioz nga ku duhet dalë patjetër.

Nuk e lakmoj pozitën e Kryeministrit shqiptar, sepse nga një anë duhet të vërtetojë se është në krye të partisë së majtë socialiste dhe nga ana tjetër duhet t’i bindet FMN-së. Por të dyja veprimet kalojnë nga mohimi i deklaratave për sindikatat në Shqipëri dhe nga ndryshimi i kursit të deritanishëm. E kush prej nesh nuk do ta pranonte gabimin për hir të zhvillimit socio-ekonomik të vendit?

Advertisements
%d bloggers like this: