KUR E KTHEN PLLAKËN

Jo vetëm termi i sforcuar “hasanizim”, i krijuar rishtas nga Ben Blushi për të treguar dukurinë e kalimit nga një parti në tjetrën, por edhe fajësimi i tij si shkak i të gjitha të këqijave që mundojnë aktualisht shoqërinë shqiptare, duken së paku tema të diskutueshme.

Duhet të sqarojmë së pari se dukuria e “hasanizimit” është në të vërtetë efekt i disa faktorëve dhe i një sistemi tashmë të instauruar përfundimisht në Shqipëri, që ka të bëjë me shoqërinë në përgjithësi e me politikën në veçanti. Madje emërtimi i ri, me tipare disi provinciale, duket sikur ia redukton peshën konceptit vetë, duke e degraduar në rangjet dytësore të ligjërimit politik.

Për fat të keq, historia e partive shqiptare nuk mund të lakohet në shumës, sepse për dhjetëvjeçarë ka dominuar një parti e vetme, çka e shndërron termin partitokraci – i cili përdoret kryesisht për sistemet pluraliste – në eufemizëm, në mos në pleonazëm kur i referohet asaj kohe. Partia e Punës së Shqipërisë e kishte tërësisht pushtetin dhe mbizotëronte në të gjitha aspektet e jetës. Në qoftë se vendin do ta përfytyronim si një organizëm të gjallë, duhet të thoshim se Partia anonte të hynte në çdo qelizë të tij, me hir e me pahir.

Por çfarë ndodhi pas rënies së regjimit totalitar shqiptar? Si u shndërruan partitë e ndryshme në sistemin e ri? Këtu duhen hulumtime politologjike serioze, që kanë natyrisht vështirësinë e kohës historike, meqë aktorët janë ende aktivë në skenën politike. Megjithatë disa refleksione edhe mund të zhvillohen për ndryshimet e partive këto 25 vitet e fundit, mundësisht pa ua hequr sytë ndryshimeve sociale. Pastaj, zgjedhjet e fundit vendore na japin mundësinë t’i shohim më thellë marrëdhëniet e partive me territorin.

Duhet të pranojmë se partitë politike shqiptare nuk janë të rrënjosura në territor, në kuptimin e shpërndarjes organizative partiake. Ndërsa Partia socialiste trashëgoi shpërndarje territoriale të degëzuar, Partia Demokratike jo vetëm që nuk e gjeti gati, por as kërkoi ta krijonte një karakteristikë të tillë. Ndërsa kjo e fundit i mbeti besnike idesë së partisë personaliste, PS-ja erdhi duke i lehtësuar strukturat e saj, duke u tkurrur nga periferia në qendër.

Procesi i “qethjes” së strukturave partiake socialiste u shoqërua gjithashtu me personalizimin e saj, duke kapur së fundi maja të papara, ndonëse nuk ka arritur kurrë shprehjet lideriste të simotrës tjetër (PD-së), e cila ka pasur një histori të ndryshme, po të kemi parasysh se themeluesi i saj vijon akoma jetën politike brenda saj.

Këto tendenca madhore nuk mund të shihen jashtë rrjedhës së përgjithshme të shoqërisë, duke filluar nga koncepti i shoqërisë së lëngshme të Baumanit, që në Shqipëri erdhi e shoqëruar me tërmete të tjera sociale, siç ishte emigracioni dhe lëvizja e brendshme e popullsisë.

Nga ana tjetër, koncepti i partisë si kolektor i energjive civile dhe farkëtues kulturor nuk është ngjizur kurrë në realitetin politik shqiptar. Degët e partive nuk janë shndërruar asnjëherë në qendra diskutimi e propozimi. Përkundrazi.

Së bashku me regjimin totalitar pësoi kolaps edhe ideologjia së cilës i referohej. Si rrjedhim, Partia socialiste nuk mund ta përdorte përkatësinë ideologjike si zamkë politike, sepse komunizmi që iu paraqit shqiptarëve dhjetëvjeçarët e pas luftës së dytë botërore u diskreditua përfundimisht e nuk mund të riciklohej ose të ripërtypej. Madje mund të shtojmë se teprimi qëndroi tek fakti se bashkë me regjimin iku edhe ideja tradicionale e së majtës, në vizionin europian të saj.

Që partitë e sotme shqiptare janë pesha të lehta mund ta kuptosh nga testi i shkollave të formimit. Partitë shqiptare nuk merren e as janë marrë ndonjëherë seriozisht me formimin e klasës drejtuese të tyre duke organizuar p.sh. nisma trajnimi e formimi. Anomali e vërtetë në politikën bashkëkohore. Fajin mund t’ia vëmë metodologjisë së rekrutimit, që bazohet kryesisht tek kooptimi, por edhe mungesës së mendimit të përpunuar politik, meqë nuk mund të flasim më për ideologji.

Mirëpo, partitë shqiptare janë sa të lehta në shoqëri, aq edhe të rënda në pushtet. Që këtej edhe akuza e mbështetur për partitokraci, për sa kohë partitë paraqiten si këshilla administrimi të pushtetit e jo me veshjen e rolin e tyre tradicional.

Hasani i shkretë, që zuri për disa ditë faqet e para të gazetave, nuk është gjë tjetër veçse produkt i “përtej të majtës e të djathtës”, dy terma tradicionalë që në Shqipërinë aktuale nuk kanë pothuajse asnjë kuptim, por që si filozofi ka kohë që është rrënjosur. Tek e fundit, të thonë në kafene, atyre (politikanëve) u intereson vetëm biznesi e pushteti, jo e mira e përgjithshme.

Përveç kësaj, nuk mund të mos përmendet mediatizimi i politikës shqiptare, e cila “komunikon” me shoqërinë vetëm nëpërmjet ekraneve televizive. Madje mund të flasim edhe për partizim të mediave, meqë këto na shfaqen si shtojca të zyrave të shtypit të selive partiake, pa autonomi mendimi e veprimi, madje pa aftësi interpretimi e përpunimi. Kuptohet qartë se në kushte të tilla klimatike nuk mund të mos rritet e të zhvillohet një liderizëm i sëmurë, që krijon liderë të cilët midis vetes e popullit shohin vetëm pengesa e stërkëmbësha, kur këto nuk dalin me trajtat e një telekamere ose të fijeve të mikrofonit.

E këtu vijmë tek faktori tjetër, që ka lidhje me individualizmin në shoqërinë shqiptare. Për ta shpjeguar mund të shkruajmë vëllime të tëra, ose si alternativë të bëjmë një selfie. Kjo tregon edhe fundin e individualizmit, kur shkon e puqet me narcizimin. E nëse bëjmë një selfie me politikanin e radhës, atëherë kemi shkruar traktatin e politikës moderne.

Zbehja e identitetit politik në Shqipëri ka simptoma e arsye të tjera. Vetë lindja e disa partive të vogla mund të shikohet tek e fundit si shenjë e partitokracisë dhe e shndërrimit të partive në menaxhuese të pushtetit, që shpie direkt në filozofinë e shkëmbimit sipas interesave të çastit, përtej vlerave sociale që shprehin. Si shembull tjetër mund të kujtojmë shkëputjen e politikës nga shoqëria, që është shkak dhe efekt njëkohësisht i shtimit të “hasanëve”, emri i të cilit hyri padrejtësisht në kronikat politike, sepse shembuj të “kthimit të pllakës” mund të gjenden me thasë në Shqipërinë postotalitare, aq më tepër që tani bëhet fjalë për zgjedhje vendore, ku shumë rëndësi merr personi, administruesi, e jo partia, ose ideologjia. Në këtë situatë, të flasësh për koherencë vlerash bëhet e pamundur, përveçse kur kërkohet besnikëri klanore apo interesash pak të qarta. Por kështu dalim jashtë kuadrit normal politik.

Në qoftë se partitë e duan politikën dhe jo pushtetin, duhet t’i bëjnë reforma themelore strukturave dhe misionit të tyre. Përndryshe, fjala politikë do ta humbasë edhe kuptimin etimologjik.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: