JO VETËM THIRRJE E KONTROLL

Të dhënat e fundit që bëri të njohur Eurostat nuk patën ndonjë jehonë të madhe në Shqipëri, megjithëse azilin politik mediat e kishin në plan të parë vetëm pak kohë më parë. Temë mjaft aktuale, e lidhur kryesisht me lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe reagimeve të vendeve perëndimore pas rritjes së kërkesave për strehim politik nga vende si Shqipëria e Kosova.

azilkerkuesit ne EuropeSipas statistikave të botuara në mars të këtij viti nga Eurostat, gjatë 2014-s në vendet perëndimore janë paraqitur gjithsej 626 mijë kërkesa për azil politik, duke shënuar një rritje prej 44% në krahasim me vitin e mëparshëm. Pjesa më e madhe e kërkesave është bërë në Gjermani (më shumë se 200 mijë), pastaj vijnë Suedia (81mijë), Italia (64 mijë) e Franca (62 mijë).

Por nga cilat vende vijnë azilkërkuesit? Pjesa më e madhe vjen nga Siria, për arsyet e konfliktit që i njohim të gjithë. Siria zë vendin e parë me 20% të kërkesave, por ka shumë kërkesa edhe nga vende të tjera si Afganistani (41.300; 7%) e Kosova (37.900; 6%).

Vihet re një rritje e përgjithshme e kërkesave për azil politik. Në Itali numri i azilkërkuesve është më shumë se dyfishuar, po të mbajmë parasysh të dhënat e 2013. Edhe në vende si Hungaria, Danimarka, etj. janë rritur shumë kërkesat. Në Gjermani e Suedi, objektiva të përhershme të azilkërkuesve, shifrat e rritjes me përqindje janë më të ulëta (përkatësisht 60% e 50%), por ngaqë shifrat absolute janë të larta. Kundërtendencë përbën Franca, ku kërkesat janë ulur me 5%.

Gjithashtu interesante të dhënat për raportin statistikor me popullsinë vendase, meqë vendet e vogla e ndjejnë më shumë peshën demografike të azilkërkuesve. Suedia zë vendin e parë, sepse ka 8,4 azilkërkues për çdo një mijë banorë. Vendet e mëdha e kanë raportin më të ulët.

Porse një gjë është kërkesa, tjetër është pranimi. Jo të gjitha kërkesat për azil pranohen nga komisionet shqyrtuese. Në BE janë pranuar 45% e kërkesave të paraqitura nga qytetarët e huaj: më bujare në këtë pikë janë Gjermania, Suedia dhe Italia.

Po Shqipëria? Gjatë vitit 2014 kanë kërkuar strehim politik 16.805 qytetarë shqiptarë. Një vit më parë ishin më pak. Rritja prej 5.730 kërkesash në krahasim me vitin 2013 është domethënëse, çka tregon se dukuria është bërë më e mprehtë. Rritja e azilkërkuesve nga Kosova është më e madhe në dy drejtime: si shifër absolute e si përqindje.

Prejardhja e azilkërkuesve në BE (28 shtete anëtare) në vitet 2013 e 2014
Prejardhja e azilkërkuesve 2013-2014-ok

 

 

 

 

 

 

Burimi: Eurostat (2015)

 

Siç dihet nga normat ndërkombëtare, strehimi politik është mbrojtja që i jep një shtet qytetarit të huaj duke e strehuar në territorin e vet në bazë të parimit të mosdëbimit dhe duke ia njohur të drejtat e refugjatit politik. Që të pranohet si refugjat duhet që personi të vijë nga një vend jo i sigurtë, pra që ka nevojë për mbrojtje. Sipas Konventës së Gjenevës, statusi i refugjatit i jepet atij që është persekutuar për shkak të racës, fesë, kombësisë, për shkak të përkatisisë në një grup të caktuar shoqëror, ose për shkak të bindjeve politike. Nga fundi i vitit të kaluar, tema e azilkërkuesve u vu në rend të ditës nga politika e mediat shqiptare, sepse disa shtete europiane reaguan ndaj rritjes së numrit të azilkërkuesve që niseshin nga Shqipëria e Kosova.

Në dhjetor të 2014, Ministria e Brendshme shqiptare reagoi pas dyndjes së një grupi qytetarësh drejt Vlorës, që synonin të udhëtonin drejt Gjermanisë për azil. Sipas shtypit, Ministria e Brendshme paralajmëroi të gjithë qytetarët se “do të ketë kontrolle të shtuara në kufi, për të mos lejuar kalimin e asnjë personi i cili nuk do të përmbushë kriteret ligjore për lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen”. Ministria e Brendshme shtoi se “është e angazhuar për të mos toleruar asnjë rast të abuzimit me të drejtën për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Europian dhe me qëllimin e paligjshëm për të kërkuar azil në këto vende”.

Mediat njoftuan gjithashtu se Policia e Shtetit po ndërmerrte hetime ndaj atyre që organizonin ose ndërmjetësonin udhëtimin e qytetarëve për qëllime të azilkërkimit dhe shkeljes së rregullave të lëvizjes së lirë në vendet e BE. Së fundi, Ministria e Brendshme u rikujtoi shtetasve shqiptarë se tashmë Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt, si rrjedhim vendet e BE-së nuk i miratojnë kërkesat për azil.

Shifrat e azilkërkuesve janë vërtet alarmante. Ajo që bën përshtypje është qasja sipërfaqësore që i bëjnë institucionet shqiptare kësaj dukurie. Me këtë duhet të nënkuptojmë vëzhgimin ekskluziv të simptomave, regjistrimin e thatë të dukurisë, rritjen e kontrollit kufitar dhe apelet e ndryshme ndaj qytetarëve, duke u kujtuar se ikja jashtë shtetit për azil është e paligjshme.

Vetë historia e migracionit në Shqipëri, i brendshëm e i jashtëm, tregon qartë se njerëzit nuk ndalen me thirrje e apele mediatike. Lëvizjen e njerëzve e shtyjnë motivacione shumë më serioze e të thella, të tilla që nuk ndërpriten me kontrolle policore e me komunikata shtypi drejtuar opinionit publik. Qytetarët shqiptarë janë në kërkim të mënyrave më efikase për të emigruar e për të qëndruar ligjërisht në vendet e tjera. Kjo nuk e shmang rrezikun e dezinformimit, por na lejon të shohim thelbin e mekanizimit ku ai bazohet, pa u kufizuar me akuza të përgjithshme komplotiste, sa për të larë duart përballë opinionit ndërkombëtar.

Së fundi, migracioni mund të konsiderohet edhe si termometër për të matur ecurinë sociale dhe ekonomike të vendeve që preken prej tij. Mjafton të ndjekësh lëvizjet migratore e mund të kuptosh shumë gjëra për vendet nga ku migrantët largohen e për vendet ku mbërrijnë.

Dukuria e migracionit duhet analizuar duke filluar nga shkaqet që i shtyjnë qytetarët të largohen nga vendi e të dashurit e tyre. Këto shpeshherë futen për komoditet në kategorinë e madhe të motiveve ekonomike, por që kërkojnë hulumtime të mëtejshme, sepse së pari duhet të nyjëtohen më në detaje, së dyti nuk janë vetëm arsyet ngushtësisht ekonomike që i nxisin shqiptarët të emigrojnë. Mund të kujtojmë se shpeshherë më shumë rëndësi ka perceptimi i gjendjes ekonomike se sa gjendja reale, sikurse ka më shumë rëndësi mungesa e perspektivës se sa situata aktuale në të cilën jeton qytetari. E kjo e fundit duhet t’i shqetësojë më tepër institucionet shqiptare, ngaqë ka lidhje me besueshmërinë në të ardhmen e vendit, që nuk mund të ushqehet vetëm me simbole kombëtariste ose me retorikë politike në kufijtë e propagandës.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: