BASHKËSIA E MUNGUAR

Ditët po kalojnë e Shqipëria po shkon me shpejtësi drejt zgjedhjeve vendore. Në rrëmujën që karakterizon cirkun politik shqiptar mungon diçka thelbësore. E nuk e kam fjalën për respektin e ndërsjellë.

Në shkrimin e vet para disa ditësh Xhaxhai pyeste nëse kemi të bëjmë me zgjedhje apo me garë. Me të drejtë vinte re se mediat shqiptare flasin vetëm për kandidaturat, ndërsa partive u intereson vetëm kontrolli i procesit dhe në fund marrja e pushtetit. Citimi i Mussolinit tregon, së paku, se shpeshherë politika nuk ka asnjë objektiv tjetër veçse të marrë pushtetin.

Mirëpo, siç na kanë mësuar të diturit, pushteti është vetëm një mjet për të realizuar objektiva programatike, që partitë politike ose grupimet shoqërore i vënë vetes. Pushteti në vetvete, nëse pranohet si synim i vetëm e përfundimtar, i lipset vetëm atij që e ushtron dhe lakenjve të vet.

Tani që emrat e kandidatëve po dalin një nga një, për fat të keq nuk u shënua ndonjë kthesë në kursin e politikës shqiptare. Përkundrazi, në disa raste strategët e sulmeve personale duket sikur mezi po prisnin të shpalleshin emrat në mënyrë që të drejtonin më mirë dronët e tyre.

Mediat shqiptare janë bllokuar si gramafonat e vjetër vetëm tek emrat e përveçëm, duke i përcjellë publikut vetëm lakime personale. Kjo është pasojë e personalizimit të skajshëm të politikës shqiptare, që nuk mund t’i gjenden rrënjët vetëm në një legjislaturë e as në një sistem.

Le të mos harrojmë se zgjedhjet lokale përbëjnë çastin më të mirë për t’u ballafaquar për gjëra konkrete. E kush më mirë se kryetari i bashkisë mund të jetë përfaqësuesi i interesave vendore të shoqërisë? Është ai që përballet me hallet e njerëzve çdo ditë, është ai që duhet t’i paraqesë qytetarëve vizionin dhe idetë e veta për zhvillimin e zonës së vet. I takon atij të gjejë zgjidhje e t’i çojë përpara kërkesat e qytetarëve që përfaqëson.

E megjithatë, në zhurmën që krijojnë zhonglerët e prestidigjitatorët e politikës, humbet edhe zëri i bashkësisë (komunitetit) vendore, pikërisht të asaj bashkësie që do të zgjedhë dikë në krye të bashkisë. Politikës shqiptare po vjen duke u shuar pikërisht përmasa e bashkësisë lokale. Nga një atë trysnia e personalizimit të politikës, nga tjetra ideja e menaxhimit të gjësë publike si pronë private; në mes mungesa e etikës dhe e vizionit për të ardhmen.

Përmasa territoriale është shumë e rëndësishme në politikë, ndonëse duhet të pranojmë se kultura e përgjithshme anon t’i shikojë zgjidhjet nga lart; madje edhe vetë pushteti vendor i pret gjërat nga qendra. Gjithashtu kjo e fundit vuan nga e njëjta patologji e gjeometrisë sociale.

Nuk ka shumë kohë për t’i shpalosur idetë deri ditën e zgjedhjeve, por nuk është e pamundur, edhe pse shumë kohë është humbur. Politikës shqiptare nuk do t’i mungojnë kurrë premtimet, madje shpeshherë të tepruara, por ato nuk do të jenë kurrë të besueshme në qoftë se ajo vetë nuk është sinqerisht e bindur për rëndësinë e administrimit lokal, por jo në terma pushtetorë, por të aktivitetit në të mirë të bashkësisë.

Një nga sfidat më të mëdha është pa dyshim rimëkëmbja e bashkësisë në nivel lokal, çka lidhet drejtpërdrejt me solidaritetin, identitetin e besimin. Duken si shprehje të ftohta teorike, por pa to asnjë bashkësi lokale nuk mund të ecë përpara e të zhvillohet. E nëse ju duken të largëta si koncepte mendoni pak për pallatin, lagjen, fshatin, qytetin tuaj.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: