VËSHTRIM PAS HEKURAVE

Behind BarsIndiferenca që e shoqëron botën e të burgosurve lidhet pa dyshim edhe me mënyrën se si e koncepton shoqëria burgun. Kur vendi gjeometrik i ndëshkimit konceptohet si landfill social, sa për të rimarrë një koncept jo të vjetër të Bauman-it, pra si një vend ku hidhen mbeturinat njerëzore, atëherë injorimi është reagimi më i natyrshëm; për sa kohë askush nuk ka qejf të bëjë një xhiro andej nga plehrat, ku kutërbojnë erëra të këqija e qarkullojnë rreziqe të papara ndonjëherë.

Në Shqipëri flitet pak për burgjet e më pak për të burgosurit, kur këta nuk janë vip-a që komandojnë ende me celularë inteligjentë. Por heshtja më e rëndë ka kapluar emigrantët shqiptarë që gjenden në burgjet e huaja. Ata janë dyfish larg. Pikërisht për këtë arsye, një vështrim nga kthinat e shoqërisë sonë do të ishte i domosdoshëm, qoftë sa për të kujtuar se edhe plehrat janë në të vërtetë pasqyra e shoqërisë ku jetojmë.

Italia është vendi i dytë për nga numri i emigrantëve shqiptarë. Por ndërsa numri i tyre në rritje kap herë pas here faqet e para të gazetave, shumë pak dihet për numrin e atyre që janë pas hekurave, të dënuar për arsye të ndryshme. Pak ditë më parë u prezantua studimi “Të burgosurit e huaj në Itali” (Detenuti stranieri in Italia, 2015), përgatitur nga Patrizio Gonnella dhe shoqata Antigone, ku jepen shifra e vlerësime interesante, të cilat po i japim të përmbledhura më poshtë *.

Prania mesatare e imigrantëve të huaj në burgjet evropiane është 21%. Në vendet e lindjes ka më pak të burgosur të huaj. Në Rumani për shembull të huajt në burg janë shumë pak, rreth 0,6% e totalit, kurse në Shqipëri ka 1,8% të huaj të burgosur kundrejt numrit të përgjithshëm. Në Itali, përkundrazi, shqiptarët përbëjnë 4,4% të të dënuarve me burg në Itali. Kjo është e shpjegueshme me numrin e emigrantëve shqiptarë në Itali dhe me numrin ende të ulët të të huajve në vendin tonë.

Imigrantët burgosen më shumë se sa qytetarët vendas, për të cilët jepen shpesh dënime me masa alternative. Gjykatësit, sidomos kur bëhet fjalë për të huaj pa lejeqëndrim, e motivojnë burgimin me mungesën e vendbanimit të qëndrueshëm. Në këtë kuadër është më e lehtë për një imigrant të parregullt me dokumente të bjerë në burg se sa një imigrant i pajisur me dokumente qëndrimi.

Po ta shikojmë sipas përqindjes, të burgosurit e huaj janë pak a shumë të njëjtët me ata të fillimviteve 1990, kur shqiptarët u larguan nga vendi me anijet e eksodit. Përqindja është baras me 16,58%. Në vitet 1994 – 1996 filloi të ndryshonte prirja e përgjithshme e të burgosurve. Ra numri i përgjithshëm por u rrit ai i të huajve (19,65%). Më 1998 të huajt në burgjet italiane kapën numrin 11.973 baras me 25,04%. Praktikisht një në katër të burgosur ishte i huaj. Andej nga vitet 2004 – 2006 përqindja arriti gati 32%, e numri i përgjithshëm i të burgosurve kapi sasinë 60 mijë. Në vitin 2006 amnistia pati efekt të përkohshëm, meqë të huajt përfituan më pak se vendasit nga ligji. Dy vjet më vonë numri u kthye sërish në nivelin e mëparshëm, por të huajt u rritën si përqindje: 37,09%. Më 2009 është viti kur u fut vepra penale e imigracionit klandestin nga qeveria Berluskoni.

Në fund të vitit 2014 të burgosurit e huaj zbritën në shifrën 17.462 (32,56% e totalit). Në pak vite prania e tyre në burg u reduktua me pesë pikë, çka i detyrohet më shumë rastësisë se sa ndonjë strategie të caktuar juridike.

Po cilat janë kombësitë më të mëdha nga numri në burgjet italiane? Po t’i shikojmë të dhënat në mënyrë të sipërfaqshme rrezikojmë lexime të gabuara me ndikime lombroziane, sepse del se disa kombësi kanë prirje për krime më shumë se të tjerat. Kështu p.sh. filipinasit janë gjithsej 50 baras me 0,3% të totalit të burgosurve të huaj, kurse shqiptarët janë 2.408 baras me 13,8% të totalit. Numri i rezidentëve filipinas e shqiptarëve në Itali nuk na ndihmon shumë, sepse po të kishte një farë përputhjeje atëherë filipinasit në burgje duhet të ishin shumë më tepër.

Kombësitë më të pranishme në burgjet italiane (31 dhjetor 2014).
Kombësia Numri i të burgosurve Përqindja mbi numrin e përgjithshëm të të huajve në burg
1. MAROKU 2.955 16,9
2. RUMANIA 2.835 16,2
3. SHQIPËRIA 2.437 14,0
4. TUNIZIA 1.950 11,2
5. NIGERIA 728 4,2
6. EGJIPTI 546 3,1
7. ALGJERIA 385 2,2
8. SENEGALI 291 1,7
9. KINA 236 1,4
10. PERU 185 1,1
11. EKUADORI 176 1,0
12. MOLDAVIA 178 1,0

Përqindja e të burgosurve filipinas në Itali është 35 të burgosur për çdo 100 mijë vetë, kurse ajo e shqiptarëve është 518 për çdo 100 mijë vetë. Italianët mbesin në kuotën 62. Këto dallime të mëdha në shifra nuk mund të shpjegohen me prejardhjen e të burgosurve por me faktorë të tjerë si integrimi, puna që bën personi, prania e femrave, përmasa komunitare, numri i fëmijëve në familje, historitë personale të punës, regjimet e vendeve të origjinës, etj. Në shembullin tonë komuniteti filipinas punon kryesisht në lëmin e shërbimeve shtëpiake e familjare, prandaj ka krijuar besimin e qytetarëve italianë. E nga besimi varen si denoncimet ashtu edhe burgimet. Në përgjithësi, thotë raporti, prania në burg e të huajve është pasqyrë e lëvizjeve migratore.

Gratë kryejnë më pak vepra penale, ndaj edhe numri i tyre është i ulët nëpër burgje. Në Itali vuajnë dënimin vetëm 27 femra shqiptare. Shqipëria zë vendin e shtatë sipas numrit të femrave të burgosura.

Numri i femrave të burgosura në Itali (31 dhjetor 2014)
1. RUMANIA 232
2. NIGERIA 90
3. BOSNJA 46
4 BULLGARIA 33
5 MAROKU 32
6 BRAZILI 32
7 SHQIPËRIA 27

Të dhënat më të fundit nga Ministria e Drejtësisë italiane tregojnë se numri i shqiptarëve në burgje është rritur: në fund të muajit janar 2015 ishin 2.471 (14,2% e numrit të përgjithshëm). Gjysma e të burgosurve të huaj janë beqarë. Niveli i alfabetizimit nuk është i lartë. Të huajt përfitojnë më pak se italianët nga dënimet alternative. Arsyet janë këto: më pak besim ndaj tyre, më pak besim nga ana e shërbimeve sociale, burime ekonomike e legale më të ulëta se të tjerët. Marokenët përbëjnë 5,5% të të burgosurve kanë 3,4% të njerëzve në masa alternative. Shqiptarët nga 4,4% e numrit të përgjithshëm të të burgosurve kanë vetëm 3,2% të dënimeve jashtë burgut.

Problemet e të burgosurve të huaj janë të shumta. Për këtë arsye kërkohet me ngulm nga raporti i cituar që të realizohet statuti për të drejtat e të burgosurve. Ky statut duhet të përmbajë për të huajt disa aspekte pozitive si: përmirësimi i kushteve të jetesës, heqja e dëbimit automatik në fund të dënimit, punësimi i përkthyesve, përgatitja e kurseve të formimit, njohja e kulturave të ndryshme, mundësia e blerjes së ushqimeve etnike, pajisja me fjalor të gjuhëve të të burgosurve, mundësia për disa telefonata pas burgosjes, përdorimi i internetit, njohja e kontributeve të sigurimeve shoqërore në vendlindje, organizimi i veprimtarive kulturore sipas traditave të ndryshme, krijimi I bibliotekës me libra në shumë gjuhë, etj.

Tani, shumë nga nevojat e të burgosurve shqiptarë – disa prej të cilave u rreshtuan më sipër – mund të plotësohen me një angazhim të vogël nga ana e institucioneve shqiptare. Siç dihet, mjetet teknike dhe financiare të konsullatave shqiptare janë modeste, sikurse është i pamjaftueshëm numri i personelit; megjithatë, disa masa edhe mund të merren, sidomos po të kemi parasysh se burgu është edhe vend që synon riedukimin e të dënuarit dhe integrimin e mëvonshëm të tij në shoqëri. Të burgosurit shqiptarë në Itali e gjetiu kanë një sërë problemesh si: njohja me vendimet e gjyqit, mungesa e kontakteve me familjen, mungesa e rrjetit për integrimin në shoqëri pas dënimit, vartësia ndaj drogave, konfliktet brenda burgut, pamundësia për ta vuajtur ndryshe dënimin, njohja e gjuhës, paragjykimet, racizmi, etj.

Bota e burgut është shumë e ndërlikuar. Po kështu problematikat rreth saj. Nga ana tjetër, burgu e të burgosurit tregojnë edhe nivelin e zhvillimit të shoqërisë. Për të burgosurit shqiptarë flitet shumë rrallë. E megjithatë, edhe ata janë bashkëqytetarë dhe meritojnë ta vuajnë me dinjitet dënimin e marrë nga drejtësia. Institucionet shqiptare mund të bëjnë shumë, duke filluar me njohjen e këtij realiteti të afërt e të largët njëkohësisht. Por edhe për ta ulur disi ndjenjën e vetmisë dhe të harresës që amplifikohet brenda mureve të burgut në vend të huaj.

 

* Raportin Detenuti stranieri in Italia (Romë, shkurt 2015), përgatitur nga shoqata Antigone, e të dhënat statistikore mund t’i konsultoni këtu.

** Të dhënat e përditësuara për praninë e të huajve në burgjet italiane mund t’i gjeni tek faqja ueb e Ministrisë italiane të Drejtësisë (giustizia.it)

 

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: