RREZIKU I SHKËPUTJES

Ajo që po ndodh në politikën shqiptare, duke iu referuar veçanërisht çështjes Doshi, mund të shikohet nga disa këndvështrime. Dikujt mund t’i duket dramë, dikujt komedi e dikujt tjetër farsë. Pavarësisht nga shpjegimet, komentet e pseudoanalizat e këtyre ditëve, pas çdo deklarate e përgënjeshtrim që premton sqarime përfundimtare, duket sikur situata turbullohet edhe më shumë. Kakofonia është totale, pështjellimi mbretëron sovran.

Në këtë pikë e vërteta ka rëndësi relative, e gjithsesi nuk është në duart tona, por të organeve gjyqësore. E vështirë, gjithsesi, ta ndjekësh telenovelën e politikës shqiptare këto ditë. Episodet ndjekin njëra tjetrën, me personazhe të vjetra, por edhe të reja, që futen befas në lojë. Ngjarjet rrjedhin me aq shpejtësi saqë harrojnë njëri tjetrin e mbivendosen: video, skena, inskenime, komplote, hamendje, akuza…

Orvatjet për ta kuptuar krizën akute të ditëve të fundit nuk kanë munguar. Ka nga ata që kanë parë aty lëvizje politike të stërholluara, përplasje midis mazhorancës e opozitës, dinamika komplekse brenda mazhorancës, përballje rrymash në parti, konfrontim të ashpër interesash; madje pati nga ana që e panë çështjen Doshi si shprehje të ballafaqimit veri/jug, duke dalluar atje “nuanca gegofobe”. Ka edhe të tjera interpretime. Tek e fundit, çështja është aq e koklavitur, saqë duket e sajuar për zbatimin e përkryer të çdo teorie konspirative, ose çdo hamendjeje delirante. Duket çudi që deri tani nuk janë futur në valle të zakonshmet shërbime sekrete e qarqe të huaja antishqiptare.

Në të vërtetë, ajo që po ndodh në Shqipëri është shkëputja përfundimtare e politikës nga shoqëria. Ky proces ka kohë që po vepron brenda shoqërisë, por kjo ngjarje vetëm se po ia nxjerr tiparet më mirë në pah. Klasa politike shqiptare ka kohë që i paraqitet qytetarëve si autoreferenciale, si një univers ku veprojnë ligje të tjera e të shkëputura nga bota e vdektarëve të thjeshtë, ndonëse nuk i ka arritur kurrë majat aktuale.

E gjithë polemika që ka shoqëruar Doshi-gate, edhe pse lindi e u zhvillua në rrethin politik, nuk ka asgjë politike, në kuptimin tradicional të kësaj fjale. Qytetarët e perceptojnë çka po ndodh vetëm si luftë brenda llojit, ku dinamikat dhe motivet që i nxisin mbeten të errëta, pikërisht se nuk kanë lidhje me politikën, si administrim transparent të publikes e si përfaqësim të qytetarëve.

Po të vazhdojë me këtë ritëm, politika shqiptare rrezikon të shndërrohet në cirk, ku aktorët luajnë e zhonglojnë, marrin duartrokitje e fishkëllima, por jetojnë gjithsesi në botën e tyre. I vetmi kontakt me publikun janë gjatë shfaqjes, paçka se politika e mediatizuar është kthyer e tëra në spektakël 24 orë në ditë. E në cirk janë të gjithë, prezantuesi, zbutësi, kafshët, klouni, akrobatët… E publiku shikon me kokën lart e gojën hapur, për të marrë habinë e fundit. Por kur dalin nga tenda e cirkut problemet janë po aty, në mes të bulevardit publik.

Tani për tani e vetmja formë e shprehjes së antipolitikës mund të jetë apatia e indiferenca. Qytetarët shqiptarë mund edhe të pasionohen pas telenovelës së radhës, po gjithsesi në cilësinë e spektatorit, jo të aktorit, e aq më pak të pjesëmarrësit në vendimmarrje. Ndoshta antipolitika që vjen nga refuzimi i politikës, me qëndrim pasiv e të zhgënjyer ndaj sferës publike, është edhe më i rrezikshmi, sepse nuk dihet kurrë se ku të çon.

Që partitë janë gjithnjë në bankën e të akuzuarve dihet nga të gjithë, por kësaj radhe duket se akuzat po bëhen gjithnjë e më të rënda. Kur edhe politologët i shohin partitë si organizata mafioze atëherë çështja është vërtet serioze.

Ndërkohë, partitë politike ndeshen në ringun pa rregulla të politikës shqiptare, pa u dhënë përgjigje kërkesave të qytetarëve e pa krijuar institucione të besueshme. Në krizën që ka mbërthyer klasën politike shqiptare nuk mund të vijë në ndihmë as shoqëria civile, që shpeshherë mbush boshllëqet e krijuara nga politika. Është shoqëria civile ajo që, në çastet më kritike, mund ta ringjisë politikën me shoqërinë, duke i riparuar lidhjet mes tyre, duke luajtur rolin e kushinetës, pra duke eliminuar shkëputjen e dëmshme. Nuk mund ta bëjë këtë gjë për faktin e thjeshtë se nuk është e zhvilluar në shkallën e duhur, në mos nuk ekziston fare sipas kanoneve ndërkombëtare.

E si mund të shmanget ky proces i shqitjes së politikës nga shoqëria? Nuk është e lehtë, për arsyen se dukuritë që e shpunë deri në këtë pikë janë të shumta. Duket sikur nuk kanë lidhje por personalizimi i politikës, liderizmi, populizmi e të tjera fenomene të ngjashme që e kanë karakterizuar politikën shqiptare, e largojnë atë nga qytetarët. Pa përmendur patologjitë si korrupsioni e klientelizmi. Edhe pse në pamje të parë nuk duket, është pjesëmarrja politike ajo që hyn në krizë përballë këtyre shtrembërimeve; pjesëmarrje që nuk mund të realizohet në mitingje të organizuara apo përballë televizorit.

Për fat të keq, nuk ka asnjë përpjekje për rivitalizimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike të vendit. Këta shërbejnë vetëm në momentin e votës, për t’u harruar menjëherë më pas, çka do të thotë edhe agoni e pjesëmarrjes. Sikurse nuk ka shumë përpjekje për krijimin e institucioneve të vërteta, të hapësirave reale për ballafaqim, të shoqërisë civile, çka do t’ia rriste besueshmërinë klasës politike.

Spektakli i shëmtuar që po na ofron politika shqiptare, pa dashur t’i përgjithësojmë të gjithë politikanët, e ka bazën tek kultura politike, por edhe tek sistemi i përfaqësimit politik, që nuk e siguron lidhjen e shëndoshë mes qytetarit e politikës, sepse në thelb deputetët emërohen, nuk zgjidhen. Fraktura midis politikës e shoqërisë shqiptare nuk është pa shërim, por duhet të ndërhyjmë në kohë, përndryshe do të komprometohet mirëqenia e të gjithë trupit shoqëror.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: