PERSEVERARE DIABOLICUM

rama-bignardiNga fundi i vitit të kaluar u zhvillua në Tiranë një konferencë e përbashkët shtypi midis kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe homologut italian Matteo Renzi. Konferenca na tërhoqi vëmendjen edhe për deklaratën e Ramës lidhur me sindikatat. Pyetëm veten nëse ishte batutë, gafë apo captatio benevolentiae ndaj kryeministrit italian.

Tani mund ta themi me gojën plot se nuk ishte batutë. Kjo u vërtetua gjatë intervistës që Edi Rama i dha gazetares italiane Daria Bignardi në televizionin “La7″, emisioni “Invasioni barbariche” (19.2.2015). Kjo intervistë u lakua në rrethet shqiptare, duke prekur disa tema të saj, megjithatë nuk shkaktoi ndonjë debat të madh mes aktorëve të politikës shqiptare.

Nuk po ndalemi në analizën e përgjithshme të intervistës, pa diskutim pozitive për kryeministrin shqiptar, por vetëm në çështjen e sindikatave, meqë e patëm prekur pak kohë më parë. Nga mesi i intervistës, gazetarja italiane, e cila ka gjithnjë qasje dashamirëse ndaj të ftuarve të saj, pasi përmendi vizitën e Renzi-t në Tiranë dhe deklaratën e Ramës, që ftonte sipërmarrësit italianë meqë në Shqipëri kishte taksa të ulëta e nuk kishte sindikata, e pyeti të ftuarin nëse mund të bëjmë pa sindikatat. Rama iu përgjigj shumë qartë: “Për të qenë të sinqertë, ne nuk e ndjejmë mungesën e tyre“. Kjo fjali shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Daria Bignardi-t: “E thënë nga një sekretar i një partie socialiste bën një farë përshtypje“.

Rama e kuptoi batutën e hidhur dhe e rregulloi disi qëndrimin fillestar: “Besoj se nuk duam t’i japim leksione kurrkujt, se këtu ka traditë tjetër, histori të ndryshme nga e jona, por Matteo [Renzi] ndoshta zemërohet nëse më dëgjon, por të gjithë ata që duan të krijojnë një ndërmarrje duhet të vijnë në Shqipëri, sepse kanë gjithçka që nuk kanë këtu”. Kështu mbaron edhe referimi për sindikatat [intervista mund të ndiqet në këtë faqe, kurse dialogu për temën tonë fillon nga minuta 10.00].

Pra një gjë është e qartë, në vizionin e kryeministrit aktual shqiptar nuk bëjnë pjesë sindikatat dhe çka përfaqësojnë ato. Rama është aq i bindur saqë përdor edhe pak cinizëm kur thotë se nuk ua ndjen mungesën. Që një lider i së majtës të shprehet në këtë mënyrë nuk është normale, sepse qëllimet e së majtës politike dhe shoqatave sindikale, shpeshherë përputhen, kryesisht në mbrojtjen e punëtorëve dhe të vobektëve, edhe pse kanë role të ndryshme në shoqëri. Në gojën e politikanëve të djathtë deklarata kundër sindikatave do të kishte qenë më e kuptueshme.

Kultura e përgjithshme në Shqipëri, e veçanërisht ajo e klasës politike, është thelbësisht antisindikale. Ndoshta duhet përsëritur, për ata që nuk e dinë, që sindikatat janë organizata që përfaqësojnë punëtorët, historia e të cilave lind në bazë të solidaritetit kolektiv e të interesave të përbashkëta. Me pak fjalë mund të thoshim se sindikatat janë një grup punonjësish që mblidhen së bashku për të shprehur e për të mbrojtur të drejtat e veta. Në fakt, sindikata janë edhe organizatat e punëdhënësve, sepse edhe ndërmarrjet bashkohen për të përfaqësuar interesat e veta.

A ka nevojë sot Shqipëria për sindikata, në kuptimin e organizimit shoqëror, pra si institucione me rol të caktuar? Do të thosha se ka nevojë më shumë se kurrë. Po të shikohen kushtet e punonjësve shqiptarë ekzistenca e sindikatave bëhet imperative. Shoqatat sindikale merren çdo ditë me kushtet e punës, trajtimin ekonomik të punonjësve, sigurinë në punë, shanset e barabarta, të drejtat e sigurimeve shoqërore, e luftojnë kundër shfrytëzimit të njeriut, punës së zezë, mospagimit të kontributeve, aksidenteve në punë, sëmundjet profesionale, punës së të miturve, diskriminimeve në vendet e punës, e kështu me radhë. Sindikatat gjithashtu përgatisin e firmosin kontratat e punës, por bëjnë edhe beteja të përgjithshme vlerore në favor të solidaritetit, paqes, mjedisit, legalitetit, etj. Kush mund të mbështesë të kundërtën? Kush mund të thotë se shqiptarët nuk kanë nevojë për trajtim më dinjitoz në punë? Kush mendon se nuk duhen luftuar dukuritë negative si shfrytëzimi e puna e zezë?

Veprimtaria e sindikatave shikohet shpeshherë si ngacmuese e bezdisëse ndaj pushtetit. Politikanët sapo marrin pushtetin futen në kategorinë e atyre që mendojnë se “shoferit nuk i duhet folur” e se “manovruesi i di vetë gjërat”. Mirëpo faktet negative janë aty, me shumicë, e vihen re çdo ditë në rrugët e në ndërmarrjet e Shqipërisë. Rama vërtet nuk e ndjen mungesën e sindikatave, por punonjësit e të gjitha moshave, përfshirë ata që punojnë në ndërmarrje italiane, sikurse pensionistët, e ndjejnë mungesën e një institucioni që t’ua mbrojë të drejtat përballë palës tjetër (punëdhënësit) dhe klasës politike që nuk i dëgjon.

Shqetësues është jo vetëm vizioni i qeverisë shqiptare, por edhe heshtja që shoqëron deklarata të tilla. E nuk është vetëm çështja e sindikatave. Pas këtyre fshihet ideja që kemi për demokracinë dhe shoqërinë, sepse ekzistenca e sindikatave dhe të ashtuquajturve trupa të ndërmjetëm socialë kanë të bëjnë me cilësinë e sistemit pluralist dhe me pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën e vendit. Ata që e konceptojnë shoqërinë si turmë, ose njerëz të individualizuar tejmase, të cilës lider maximo i flet drejtpërdrejt, pa asnjë ndërmjetës e përpunues të mendimit, direkt nga mikrofoni i zyrës partiake, mendojnë vetëm për pushtetin e për një shoqëri të papjekur nga ana demokratike. Shoqëria civile e ndihmon shoqërinë të piqet e ta ushtrojë përgjegjësinë në të gjitha hallkat e saj.

Natyrisht po flasim për shoqëri civile të zhvilluar, të vetëdijshme e të vërtetë; që do të thotë realisht përfaqësimtare e aktive. Kjo shoqëri civile ende nuk ekziston në vendin tonë, por kjo është një arsye më tepër për ta stimuluar zhvillimin e saj, përtej krijimit të shoqatave në trajtë brand-i, sepse vetëm në këtë mënyrë shoqëria shqiptare zhvillohet në tërësinë e vet. Pra fjalia e Ramës është dyfish e gabuar, sepse ai nuk ia ndjen mungesën sindikatës shqiptare, por sindikatës si institucion social.

Pa shoqëri civile është më e lehtë të qeverisësh nga pikëpamja e mbajtjes së pushtetit, por faturën e paguajnë qytetarët e sidomos pjesa më e dobët e tyre. E kam frikë se vizioni i sapo përshkruar i përket edhe palës tjetër, pra të gjithë klasës politike shqiptare. Në këtë kuadër, figura e mirë mediatike që bëri Kryeministri shqiptar në emisionin e Daria Bignardi-it, me italishten e tij të përkryer, filmimet simpatike e rrëfimet kureshtare, merr rëndësi krejt relative.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: