KUR NGATËRRESAT PËRSËRITEN

Para se të shfaqeshin në horizont anijet e eksodit, Shqipëria nuk para përmendej në perëndim. Një tis heshtjeje dhe injorance e rrethonte prej dhjetëvjeçarësh vendin e vogël ballkanik. Kush ka dalë jashtë shtetit para rënies së regjimit totalitar e ka prekur me dorë mosnjohjen e Shqipërisë e të shqiptarëve nga të huajt.

Një lajm i tanishëm në mediat italiane më solli ndër mend një kujtim të vjetër. Andej nga fundi i viteve 1980, kur vajta për herë të parë në Itali, hasa në një mosnjohje flagrante të Shqipërisë e të shqiptarëve.

Pas disa kohësh, në universitet, para derës së provimit, takova një student italian me të cilin shkëmbeva disa informacione administrative. Me sa duket, diçka nuhati për origjinën time të huaj e më pyeti pa e zgjatur shumë: “Nga je?”. Edhe unë iu përgjigja menjëherë: “Jam shqiptar (albanese)”, duke pritur shprehjen e zakonshme plot kuriozitet miqësor që shfaqej në kësi rastesh.

Mirëpo, asnjë reagim nuk erdhi nga goja e tij, kurse sytë e picërruar, rrudhat në ballë dhe goja e mbledhur tregonin qartë se po pyeste veten për diçka. Po prisja. Më në fund, foli me një pyetje të dytë, të përzierë me mëdyshje: “Libanez? (Libanese?)”.

Këtu më duhet të kujtoj se në vitet 1980 Libani gjendej vazhdimisht në faqet e para të mediave, sepse ishte periudha e luftës civile, e atentateve dhe e konfliktit në rajon. Si rrjedhim, kishte me siguri edhe libanezë që kishin ardhur në vendet perëndimore si refugjatë. Prej kësaj edhe familjariteti me atë vend relativisht të largët, ndërkohë që nga Shqipëria përballë vinin vetëm dallgë memece.

“Jo libanez, shqiptar”, ia ktheva duke ngritur zërin në fjalën e fundit. “Albanese”, përsërita me forcë. Porse nga fytyra e kolegut italian nuk vinte asnjë sinjal kuptimi. Diçka mërmëriti, por prapë më duket se përsëriti fjalën libanez, ose diçka të ngjashme. Dukej qartë se nuk e dinte se ç’ishin shqiptarët. I vajta në ndihmë duke i thënë: “Jam nga Shqipëria”, me mendimin se shqiptimi i Albania nuk kishte kurrfarë asonance me Libanin.

Më kot kujtova se dialogu ynë kishte marrë fund. As emri i vendit nuk gjeti ndonjë përkim në fjalorthin e atij tipi. Zëri Albania ishte bosh… Nga fytyra dukej sikur po rrëmonte në kujtesë për këtë emër të rrallë e të çuditshëm. Por ishte skenë, si ai studenti që thotë: “Prit se e dija, por tani nuk po më vjen mend”. Si për ta rënduar situatën unë insistova: “Albania”, me natyrshmëri çarmatosëse. Prapë heshtje. Më së fundi u dorëzua: “Albania? E dove sta? (Shqipëria? E ku gjendet?)”. Atëherë, me durim i shpjegova se ishte ai vend poshtë Jugosllavisë e sipër Greqisë, anës detit, përballë Puljas.

Siç e thashë, ky episod – që shumëkujt sot, me të drejtë, i duket krejt i pabesueshëm – më erdhi ndër mend nga një lajm në mediat italiane. Ja titulli: “Torino: 5 albanesi riciclavano denaro per finanziare Hezbollah” (Torino: 5 shqiptarë riciklonin parà për të financuar Hezbollah), [Imolaoggi.it, 17 shkurt 2015]. Në brendësi të shkrimit thuhet se pesë vëllezër me origjinë libaneze po hetohen nga prokuroria e Torinos për financim të terrorizmit e për riciklim ndërkombëtar. Vëllezërit kishin një aktivitet që merrej me shitblerje makinerish bujqësore, të cilin e shfrytëzonin për financime ilegale.

albanesi-libanesiPra në titull thuhet se janë pesë shqiptarë, kurse në shkrim thuhet se janë pesë vëllezër libanezë. Artikulli nuk jep hollësi të tjera që lexuesi të kuptojë nëse të akuzuarit janë me origjinë nga Shqipëria apo nga Libani. Dyshimi se nuk janë shqiptarë të vjen kryesisht nga ai “financimi për Hezbollah”, që për shqiptarët tingëllon disi i pazakontë, por në këtë botë çfarë nuk po dëgjojmë, kështu që nuk mund të përjashtohet. Për kureshtje kërkova në ueb dhe mora vesh se në të vërtetë bëhej fjalë për libanezë. Këtë e shpjegon qartë Tgcom24.

Përshoqërimi që u bë në trurin tim, midis dy ndodhive, nuk ka të bëjë me arsyet e gabimit, por me gabimin vetë. Në rastin e parë kemi një person të vetëm, në një periudhë ku Shqipëria ishte zhdukur për dhjetëvjeçarë në mjegullnajën e përtej Adriatikut gjatë (vetë)izolimit të perdes së hekurt. Në rastin e dytë, përkundrazi, sipas gjasës kemi një lapsus që vjen nga rrëmuja që ka krijuar situata globale e konfuzioni që mbretëron në temat e imigracionit dhe terrorizmit. Në këtë çast historik, ku rreziku terrorist është sa real aq edhe i amplifikuar nga ankthi shoqëror e mediatik, gabimet vijnë vetvetiu.

Ky gabim i gazetës së vogël italiane më shkaktoi një buzëqeshje, ngaqë m’u duk argëtuese. Kësaj radhe as u lodha të arsyetoj për pasojat e keqkuptimit tek lexuesi italian. Këtë të fundit, nga një anë e parafytyrova tek qëndronte mëdyshas përballë lajmit, nga tjetra e shikoja të bindur se bëhej fjalë për të njëjtin koncept. Tek e fundit ç’rëndësi ka nëse është libanez apo albanez? A nuk janë të huaj gjithsesi?

Situatën komike ma shtoi edhe kujtimi se vite më parë, kur më morën për libanez, ishim duke pritur para derës së gjeografisë. Lëndë e rëndësishme sot e kësaj dite.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: