ARTI I DIALOGUT KA VDEKUR

Duhet të pyesim vetën nëse atë që grekët e lashtë e quanin dialektikë, pra arti i dialogut, i arsyetimit dhe i diskutimit, në tërësinë e vet si teknikë e aftësi për t’i parashtruar argumentet me qëllim bindjen e tjetrit, ekziston në kulturën politike shqiptare.

Natyrisht, para se t’i hyjmë këtij diskutimi duhet të kujtojmë se fjala dialektikë në shqip ka hyrë më shumë në kuptimin e shkencës që studion ligjet më të përgjithshme të lëvizjes e të zhvillimit të natyrës, të shoqërisë dhe të mendimit dhe të metodës shkencore e njohjes që i sheh sendet dhe dukuritë në lidhje e varësi reciproke. Ndikimi i këndvështrimit hegelian e marksist është i dukshëm edhe në përdorimin e terminologjisë. Megjithatë, mjafton të shfletojmë një libër çfarëdo filozofie e do të vëmë re se termi “dialektikë” është trajtuar fillimisht nga mendimtarët e lashtë duke filluar nga Platoni e Aristoteli, për të ardhur deri në filozofinë moderne me idealizmin gjerman Kant e Fichte e për të përfunduar me Hegelin e më pas me materializmin dialektik të Marksit e Engelsit.

Pa humbur në labirintet e hollësitë e filozofisë botërore, po e huazojmë jo vetëm kuptimin e dialektikës siç u tha më sipër, pra në kuptimin e artit të dialogut, por edhe konceptin e saj më të gjerë (pa shqetësuar posaçërisht termat e vjetër të tezës, antitezës e sintezës), ashtu siç përdoret në mendimin bashkëkohor si një proces që rezulton nga ballafaqimi i forcave kundërshtuese, qofshin këto mendime ose ide, që nëpërmjet përplasjes arrijnë në një përfundim pozitiv.

E pra një dialektikë e tillë nuk ekziston në Shqipëri, sidomos në kulturën politike moderne. Nuk është e vështirë të konstatojmë se nuk ka kurrfarë dialektike, qoftë si art i bindjes, qoftë si proces ballafaqimi midis kategorive të ndryshme, nga idetë tek partitë. Këtë mund t’ia faturojmë pa problem trashëgimisë totalitare, meqë viktima e parë në sisteme si ai i kaluari është pikërisht arti i ballafaqimit, që presupozon fillimisht ekzistencën e pluralizmit të qëndrimeve.

Diagnoza që jep sociologu italian Giuseppe De Rita, duke folur në përgjithësi, e fut vendin tonë në një shkretëtirë globale të dialektikës, meqë kjo mungesë vihet re edhe në vendet perëndimore në ditët e stome. Kështu, nënvizohet nga De Rita se dialektika mungon në kulturë (ngaqë komunikimi masiv që e shmang arsyetimin e thellë duke i besuar vetëm cicërimave), në ekonomi (ngaqë nuk ka garë midis sektorëve të ndryshëm), në politikë (ngaqë zhdukja e ideologjive ka sjellë një situatë magmatike ku luhet vetëm me taktikë). De Rita arrin t’i shpjegojë prirjet autoritare që ekzistojnë sot në perëndim pikërisht nëpërmjet mungesës së dialektikës, me fjalë të tjera të ballafaqimit kulturor e politik, duke përfunduar se jemi përballë eklipsit, ose më mirë ataraksisë së dialektikës.

Po t’i hedhim një sy panoramës së mendimit shqiptar do të shikojmë se aty ndërthuren nyje të vjetra me nyje të reja, duke krijuar një rrjet të rrezikshëm për dialektikën. Në politikë, madje nuk mund të thuhet se dialektika ka vdekur, ngaqë ndoshta nuk ka lindur kurrë, ose të paktën nuk është konsoliduar. Ballafaqimi midis ideve e grupimeve të ndryshme fillon me njohjen e ndërsjellë, çka ka munguar gjatë viteve të pluralizmit, meqë fituesit janë perceptuar si uzurpatorë dhe opozitarët si humbës përfundimtarë. Pa folur për periudhën totalitare kur humbësi përballej me eliminimin fizik e jo më me ballafaqimin ideor.

Po të shkojmë në terrenin partiak nuk do të gjejmë ndonjë dialektikë të madhe, sepse më shumë se me përplasje idesh kemi të bëjmë me përplasje klanesh, çka e përjashton dialektikën e pastër, qoftë edhe si proces zhvillimi. Nëse kjo ndodh brenda partive, nuk ka përse të mos ndodhë mes tyre. Nuk është e rastit që shpeshherë flitet për konfuzion të partive në Shqipëri, pasi qëndrimet e tyre nuk mund të kategorizohen kollaj si të majta apo të djathta, nënndarje tradicionale por efikase. Kush dëshiron, mund ta shohë edhe këtu gishtin e mungesës së ballafaqimit të pozicioneve politike.

Po ta zhvendosim vëmendjen drejt ekonomisë shqiptare nuk do të gjenim gjurmë të shëndosha kompetitive, për faj të një sistemi monopolesh që pak kanë të bëjnë me ekonominë e tregut, por që karakterizojnë më shumë një ekonomi parakapitaliste, ku interesat ekonomike nuk kushtëzohen nga respektimi i rregullave të pranuara nga të gjithë aktorët. Situata nuk është më e mirë në lëmin institucional, ku mediat nuk kalojnë ditë pa na njoftuar për përplasjet e mosmarrëveshjet institucionale në Shqipëri, çka tregon në mënyrë të tërthortë se mungon konflikti i shëndoshë, ai që e pranon mendimin e tjetrit dhe ka dëshirën për të gjetur një sintezë për të gjithë, siç u ka hije institucioneve.

Nuk ka peizazhe të tjera andej nga bota kulturore dhe e mendimit ku lulëzon dialektika. Çdo orvatje për të krijuar kushtet e një dialektike minimale mbytet që në djep nga akuzat e rënda mes palëve; akuza e sharje që në të vërtetë shënojnë vdekjen e ballafaqimit ideor e jo kultivimin e tij. Në rastin e Shqipërisë duhet vënë re se mungon gjithashtu infrastruktura e dialektikës, në kuptimin që as mediat, as rrjetet sociale nuk ofrojnë habitat ideal për të. Përkundrazi, krijojnë një mjedis asfiksues për artin e ushtrimin e dialogut, duke e mbytur atë që në lindje. Nuk ndihmon në nivel global situata e mendimit unik, as ideatorët e përplasjes së qytetërimeve që e përjashtojnë a priori dialektikën e mendimeve ndryshe. Nga ana tjetër, shoqëria e lëngshme e Bauman-it nuk e favorizon kristalizimin e qëndrimeve të përkundërta, që më pas i japin jetë dialektikës, pra ballafaqimit të ideve dhe pozicioneve të ndryshme.

Sipas sociologut De Rita, pa kulturën e praktikën e dialektikës nuk piqen klasa drejtuese që mund ta çojnë përpara shoqërinë. Ky rrezik i kanoset edhe Shqipërisë, madje me ndonjë rrethanë rënduese më tepër. Nga një anë kemi trashëgiminë penalizuese të regjimit të kaluar, nga tjetra kemi mungesën e traditës pluraliste moderne. Në mes kemi kulturën e përgjithshme ku mbizotëron komunikimi masiv standardizues e sipërfaqësor. Tek e fundit, nuk mund të pretendosh dialog e ballafaqim nga 140 shkronja, as mund të arrish në rezultate pozitive nga debatet në parlament, që ngjasojnë më shumë me tubimet e ndezura ose me gjyqet e popullit.

Rreziku që të mbesim të zhytur në një mjedis ku përplasjet politike e kulturore përbëjnë normalitetin, praktikisht të burgosur në viskozitetin e mendimit konfliktual, është mëse real. Në Shqipëri nuk mund të flasim për vdekje të dialogut, veçse në mënyrë provokuese, por nuk mund të lavdërohemi as për ndonjë jetë kushedi se çfarë të dialogut. Nga ballafaqimet e ndryshme nuk kërkohet zhvillim i mëtejshëm i debatit, për gjetjen e zgjidhjeve më të mira, por thjesht riprodhim i konfliktit guerrilas në përjetësi.

Dezertifikimi i debatit publik është efekt, por edhe shkak i mungesës së dialektikës, pra të dialogut mes palëve; në këtë mënyrë ai than edhe vetë cilësinë e ligjërimit publik, duke e shndërruar atë në deklamim monologësh autoritarë e autoreferencialë, pavarësisht se në pamje të parë shfaqen me petkat e debatit të ashpër mes palësh që në të vërtetë, as komunikojnë, as pranohen, as respektohen. Meqë ra fjala, dialogu kërkon para së gjithash dëgjim të tjetrit, por në një mjedis plot zhurmë, gati shurdhues, ku zhvillohet zakonisht debati publik shqiptar, me plot stimuj të jashtëm, nuk mund të kultivohet cilësi e lartë mendimi, që lidhet detyrimisht me dialektikën e që ka të bëjë direkt me shoqërinë që duam të ndërtojmë nesër.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: