SHKËPUTJE ME PAK ZHGËNJIM

Jo vetëm udhërrëfyesit turistikë, por edhe njohësit e Vjenës, të këshillojnë ta vizitosh medoemos Ekspozitën e Shkëputjes (Wiener Secessionsgebäude). Për shkak të ftesave të ndryshme, përshkrimeve nëpër libra, komenteve të artdashësve dhe nxitjeve të admiruesve të ndryshëm, ndërtesa e famshme e Shkëputjes vjeneze bëhet një must për turistin e huaj, një etapë që nuk mund të kapërcehet në asnjë mënyrë.

ekspozita-shkeputja-klimtNdërtesa ndodhet diku afër Karlsplatz dhe dallohet nga larg falë kupolës së artë e ngjyrës së bardhë të mureve. Njohësit e saj e dinë se Ekspozita e Shkëputjes vjeneze u ndërtua në fund të tetëqindtës nga arkitekti i ri Olbrich. Që nga lindja e saj, funksioni i ndërtesës nuk ka ndryshuar: ekspozimi i artistëve të rrymave të reja.

Përveç bardhësisë së veçantë, ekspozita e Shkëputjes dallohet nga motoja e famshme e shkruar përballë Der Zeit ihre Kunst / der Kunst ihre Freiheit (Çdo epoke artin e vet, çdo arti lirinë e vet) dhe nga kupola me gjethe dafine prej bakri të lara në ar.

Kur ngjita shkallët e ekspozitës, në nëntor të këtij viti, ajo që më tërhiqte më shumë ishte vepra e Gustav Klimt e njohur me emrin Beethovenfries (en. Beethoven Frieze, it. Fregio di Beethoven, fr. Frise Beethoven).

Ndoshta ishte kjo një nga arsyet që kati i hyrjes ku ishte vendosur një ekspozitë tjetër nuk na e tërhoqi vëmendjen. Por duhet të pranoj se kjo ekspozitë postmoderne, e përbërë nga një sërë instalacionesh të çuditshme e aspak homogjene, me kartonë, piktura, skena, sende, fotografi, ekrane e filmime, nuk na tha ndonjë gjë të madhe, as na ftoi të rrimë më gjatë se sa një vështrim të shpejtë mes tingujsh e fjalësh pa lidhje. Një kalim i nxituar në atë pavijon na shkaktoi vetëm një ngritje supesh, dorëzim ndaj moskuptimit, por pa kaluar deri në paragjykim. Arti i instalacioneve është i veçantë, ndaj kërkon shije të veçanta.

shkeputja-klimtZhgënjimi nga ekspozita eksperimentale e rriti edhe më shumë pritshmërinë për Beethovenfries e Klimt-it. Megjithatë, kur u gjenda në sallën e pikturës së famshme në disa faqe muri, më kapi një shtrëngim tjetër zhgënjyes. Prisja diçka tjetër. Salla e ftohtë me mure gjysmë të bardha, që bujte veprën e piktorit austriak sikur ia transmetonte edhe asaj ftohtësinë.

Piktura është bërë në fillim të nëntëqindtës dhe ka një histori të veçantë. Mësoj se fillimisht vepra gjendej në një hapësirë tjetër të ekspozitës, ajo që shihej menjëherë kur hynin vizitorët, e më pas është zhvendosur atje ku gjendet sot. Lexoj në fletëpalosjen që na dhanë me rastin e vizitës së ekspozitës se vepra e Klimt-it është frymëzuar nga interpretimi vagnerian i Simfonisë së Nëntë të Beethovenit dhe përfaqëson kërkimin e lumturisë nga ana e njerëzimit.

Klimti flet me simbole në pikturën e vet në mur. Femrat dhe çifti që simbolizojnë njerëzimit e përvuajtur kërkojnë ndihmën e kavalierit me armaturë të artë. Ky niset më pas për të kërkuar lumturinë.

Në murin përballë jepen disa figura që simbolizojnë forcat e këqija, që luftojnë kundër njeriut. Në mënyrë alegorike, nëpërmjet maskave, jepen Sëmundja, Çmenduria, Vdekja. Pengesat e ndryshme sipas Klimt-it kapërcehen nga njeriu. Vështirësitë që has gjatë rrugëtimit drejt lumturisë kurorëzohen nga Poezia, e paraqitur nga një grua me lirë në dorë (djathtas).

Figura e burrit të zhveshur, mësoj nga tekstet e ndryshme, është ajo e kavalierit të armatosur, por që tashmë është dorëzuar krejtësisht në krahët e Erosit: fitimtar e i mundur njëkohësisht.

Dora e piktorit të madh dallohej, edhe pse alegoritë e simbolet na shfaqet sot në mënyrë disi skematike. Edhe vetë piktura prej 24 metrash, në tre faqe muri, e bërë në pjesën e sipërme të tij, është diçka e veçantë. Megjithatë, prisja diçka më shumë, kryesisht në nivel emotiv, e jo vetëm nga piktura e Klimt-it, por nga e gjithë ekspozita e Shkëputjes. Por ndoshta faji është i pritshmërisë, që luan gjithnjë ndonjë rreng, kur e fryn më shumë seç duhet.

[fotografia e ndërtesës është e autorit]

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: