DEKLARATA NË FUND TË VITIT

Batutë, gafë apo captatio benevolentiae?

Përcaktimi i statusit të deklaratës që bëri Kryeministri shqiptar Edi Rama për sindikatat, gjatë konferencës për shtyp me homologun e vet italian Matteo Renzi, është i rëndësishëm, por jo thelbësor. Pra, përkufizimi nëse fjalët e shprehura përbënin batutë apo gafë nuk na shpie në zemër të problemit të politikës e të shoqërisë së sotme shqiptare.

Mediat na njoftuan se, pas vizitës njëditore në Shqipëri të Kryeministrit Italian, u zhvillua një konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin shqiptar (30.12.2014) gjatë të cilës u prekën shumë çështje. Gjithnjë sipas mediave, në lidhje me investimet në ekonomi, Rama u shpreh se sipërmarrësit italianë mund të investojnë në Shqipëri sepse ka taksa të ulëta e nuk ka sindikata. Kjo deklaratë u konsiderua nga dikush si gafë e Kryeministrit shqiptar. “Gafa e Ramës me Renzin. Ejani këtu se nuk ka as sindikata”, titullonte një organ shqiptar shtypi; “La gaffe di Rama: da noi tasse al 15% e niente sindacati”, shkruante një gazetë italiane.

Për ata që e ndjekin politikën aktuale të vendit fqinj, nuk ishte e vështirë të kuptohej se fjalia kishte përbrenda një referim të qartë ndaj realitetit italian. Përndryshe, në kuadrin e politikës shqiptare dhe të debatit publik vendas, deklarata nuk kishte asnjë lloj kuptimi, sepse lidhja e investimeve të huaja me sindikatat nuk është shtruar kurrë si e tillë, sikurse nuk ka pasur ndonjë peshë në dinamikat midis qeverisë shqiptare dhe sindikatave të vendit. Me fjalë të tjera, ecuria e ekonomisë shqiptare as nuk është lavdëruar, as nuk është kritikuar ndonjëherë, as në mënyrë të sinqertë, as instrumentale, as të drejtpërdrejtë, as të tërthortë, në funksion të veprimtarisë së sindikatave shqiptare të cilat, siç është e njohur, kanë probleme serioze në ushtrimin e rolit të tyre, por që përbën gjithsesi objekt tjetër studimi.

Me fjalë të tjera, deklarata e kryeministrit shqiptar në realitet ishte shtojcë e debatit publik italian. Në fakt, u bënë muaj të tërë që qeveria Renzi – sidomos gjatë iter-it të miratimit të ligjit për punën (i ashtuquajturi Jobs act) – ka ndërmarrë një ballafaqim të ashpër me organizatat sindikale, një pjesë e të cilave kanë zhvilluar edhe grevë të përgjithshme për t’i kundërshtuar masat e ligjit të mësipërm, që konsiderohen si të dëmshme për punëtorët. Ka një lloj narrative në politikën aktuale italiane që i përshkruan sindikatat si pengesë të zhvillimit ekonomik dhe si shkak të krizës ekonomike. Nuk është vendi, e gjithsesi mungon koha, për t’i trajtuar këtu arsyet e kësaj narrative dhe për të analizuar saktësinë e pohimit parimisht. Por fakt është që në deklaratën e Tiranës, kapet që përtej detit pikërisht ky fill i ligjërimit publik italian, për t’u shtjelluar më tej, duke e futur në pëlhurën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Nga kjo pikëpamje, duhet pranuar se Kryeministri shqiptar Edi Rama është tejet i informuar me zhvillimet politike të Italisë, çka flet vetëm në favor të tij. Pra deklarata mund të merret si batutë për t’i treguar homologut të vet se i ndjek me vëmendje zhvillimet politike të vendit të tij.

Kur shndërrohet një batutë në gafë? Kur ajo shprehet jashtë vendit e kohës së përshtatshme, kur nuk është e duhur nga ana kuptimore dhe kur e fut në siklet bashkëfolësin. Batutën e Ramës ndokush e ka quajtur me plot gojën gafë, ndoshta sepse është shprehur në një takim ndërkombëtar dypalësh, ku prania e sindikatave edhe mund të mos përmendej, meqë nuk ishte në rend të ditës si çështje. Dikush mund ta shohë si gafë, po të vihet në vendin e Kryeministrit italian, të cilit nuk i lipsej ajo batutë, për të mos rihapur fronte të reja polemike me sindikatat e vendit të tij, veçanërisht me ato me vokacion antagonist, edhe pse nuk ka deklaruar ndonjëherë se sindikatat janë të dëmshme për ekonominë dhe investimet. Kështu mund të shpjegohet edhe ndërhyrja e shpejtë e Kryeministrit italian, gjatë konferencës së shtypit e pikërisht pas pohimit të Ramës, duke thënë “Bën shaka! Bën shaka!”, në tentativë e sipër për t’ia reduktuar potencën shpërthyese. Matteo Renzi është mjeshtër i komunikimit, ndaj me gatishmëri të pashoqe e kuptoi rrezikun dhe ua hoqi kapsollën atyre fjalëve.

Mirëpo mediat janë media dhe shpeshherë bëjnë gabime në dhënien e lajmeve. Aq më tepër që mediat shqiptare sikur janë më shumë media se të tjerat, e aq më tepër që çuditërisht nuk i dhanë hapësirë kësaj “batute” të Ramës. Atëherë le ta shohim deklaratën e saktë, institucionale, siç është dhënë nga faqja zyrtare e Kryeministrit shqiptar:

Përsa i përket aspektit tjetër, që ka të bëjë me përpjekjen tonë, unë mund të kisha folur, por nuk doja ta vija në vështirësi Matteon, duke u thënë sipërmarrësve italianë që hajdeni në Shqipëri se në Shqipëri nuk ka sindikata dhe hajdeni në Shqipëri se në Shqipëri nuk paguani më shumë se 15% të fitimit. Por këto unë ia them në vazhdimësi dhe kam mundësi t’ia them edhe në instanca të tjera. Kështu që nuk dua ta shqetësoj mikun tim dhe në Tiranë nuk ka ardhur që të kujtohet që ka sindikata në Itali, apo të shohë se s’ka sindikata në Shqipëri.

Nga fjalët e këtushme, nuk ka dyshim se Rama është i vetëdijshëm që fjalët e tij mund të jenë problematike për kolegun e vet italian, ndaj edhe ia dërgon mesazhin disi në mënyrë indirekte, pak si larg e larg. Megjithatë në fjalët e Ramës vihet re një farë kundërshtie, sepse po të mos kishte dashur ta vinte në vështirësi homologun, mjaftonte që të mos i shqiptonte ato fjalë që tha. Edhe përmendja e dytë e sindikatave duket disi e pakuptimtë, si për të rregulluar një batutë të shkarë keqas, siç bën gjithkush kur i ikën goja ndonjëherë pa dashje.

Dikujt tjetër, batuta e Ramës mund t’i tingëllojë si shprehje servilizmi për sa kohë mund të gjendeshin formula të tjera verbale për të komunikuar idenë se Shqipëria është mjedis i mirë për investime. Mund të thoshte se Shqipëria i mirëpret investimet e huaja, të cilat do të gjejnë një situatë ideale ekonomike. Megjithatë, kryeministri shqiptar ka parapëlqyer t’i shkelë syrin Renzit, ose më mirë asaj që ai kujton se i pëlqen Renzit, duke i deklaruar në mënyrë implicite se në polemikën midis kryeministrit italian dhe disa sindikatave të vendit të tij, ai mban anën e homologut. E ç’t’u themi atyre që shikojnë në fjalitë e Ramës edhe një ftesë të hapur ndaj atij takëmi “investitorësh” që duan të vijnë në Shqipëri por pa respektuar rregullat?

E kotë t’i hyjmë analizës duke kujtuar se në Itali nuk ka vetëm një sindikatë dhe se qëndrimet e tyre janë shpesh të diferencuara, për arsyen se fjalia e Ramës nuk synon t’u hyjë detajeve politike shpeshherë të ndërlikuara të vendit fqinj. Nga ana tjetër, nuk mund të spekulojmë me interpretimin e deklaratës së Kryeministrit, sepse nuk mund të kalojmë kufirin e kuptimit real të tyre. Megjithatë, nuk mund t’i kundërshtojmë ata që e interpretojnë kështu citimin e mësipërm: Rama e quan pozitive mungesën e sindikatave për ekonominë e një vendi dhe e konsideron Shqipërinë si vend pa sindikata. Pohimi i dytë ka adresë të posaçme, kurse për të parin mund të bëhen disa refleksione.

Me saktësimet e duhura nga ana e institucionit kryeministror, mund të pranohej justifikimi se fjalët e Ramës ishin një captatio benevolentiae ndaj Kryeministrit italian. Gjithsesi, ky lloj artifici retorik është përdorur aq shumë nga politikanët shqiptarë ndër vite, saqë tashmë duket sikur është konsumuar tej mase.

 

Nga forma tek përmbajtja

Ka shumë përkufizime të sindikatës, për arsye se ka edhe disa lloj sindikatash. Megjithatë, në përgjithësi sindikatat janë ato organizata që përfaqësojnë punëtorët dhe që janë zhvilluar pas konsolidimit të solidaritetit kolektiv në bazë të interesave të përbashkëta. Pa hyrë në detaje të lëvizjes sindikale botërore dhe të nyjëtimeve të ndryshme organizative, të dallimit midis shoqatës dhe lëvizjes, mund të themi në mënyrë të thjeshtuar se sindikatat janë një grup njerëzish që mblidhen së bashku për të shprehur e për të mbrojtur të drejtat e veta.

Ngado që ta shohësh ekzistencën e sindikatës, pavarësisht nga pikëpamjet e gjithsecilit, ajo del gjithnjë e lidhur me demokracinë. Punonjësit janë të lirë të organizohen e “të luftojnë” për të drejtat e interesat e tyre, natyrisht duke respektuar ligjet e rregullat demokratike. Në fakt, sindikatat nuk ekzistojnë në vendet diktatoriale, ose edhe kur krijohen formalisht kanë synime të tjera. Të mos harrojmë se “Bashkimet profesionale” në Shqipërinë e djeshme ishin “leva të Partisë”, pra kishin një rol në konsolidimin e pushtetit, jo të mbrojtjes së punonjësve.

Pra si ta marrim “batutën” e Kryeministrit Rama? Si bindje që vendet pa sindikata zhvillohen më mirë se vendet me sindikata? Si vlerësim se atje ku ka sindikata nuk ka ekonomi të zhvilluar? Nuk është e qartë, sepse po të marrësh shembullin e Italisë kuptohet lehtë se zhvillimi i saj industrial, përfshirë edhe vitet e boom-it ekonomik nga gjashtëdhjeta e këtej, ka përkuar edhe me forcën më të madhe të sindikatës në vend. Pa u zhvendosur në Gjermani, ku vepron sindikata më e fuqishme në botë, e megjithatë vendi nuk ka pësuar ndonjë dëm prej saj, përkundrazi vijon të ecë përpara edhe në kohë krize, duke respektuar e duke përmirësuar gjithashtu gjendjen e punonjësve të saj. Le ta themi hapur se kushtet e punëtorëve shqiptarë me ato të kolegëve italianë, gjermanë etj. nuk kanë krahasim, në favor të këtyre të fundit natyrisht, çka është arritur edhe falë veprimtarisë sindikale.

Në këtë prizëm, vështirë ta shikosh fjalinë e Ramës si batutë simpatike gjatë një konference për shtyp në prag të darkës së vitit të ri. Asnjë vizion nuk mund të gjykohet nga një fjali, por fjalia e mësipërme tregon diçka nga vizioni ekonomik i qeverisë shqiptare dhe nga karakteristikat e ekonomisë së tregut që është instauruar në Shqipëri. Shumëkush mund të jetë kundër sindikatave, dikush tjetër nuk duron një lloj të caktuar sindikatash, çka bën pjesë në lojën e demokracisë, por nuk mund të harrohen absolutisht temat për të cilat organizatat e punonjësve përpiqen çdo ditë: kushtet e punës, solidariteti, përmirësimi ekonomik i punonjësve, siguria në punë, shanset e barabarta, cilësia e punës, të drejtat e sigurimeve shoqërore, paqja, konsulenca juridike për punonjësit, zhvillimi ekonomik, mbajtshmëria ekonomike, mbrojtja e mjedisit, ligjshmëria, etj., sikurse luftojnë kundër shfrytëzimit të njeriut, punës së zezë, pabarazisë ekonomike, aksidenteve në punë, diskriminimeve, racizmit, etj. Tek e fundit dhe in primis njëkohësisht, sindikatat firmosin kontratat e punës.

Sipas ndjeshmërive kulturore, sindikatat përfaqësojnë punonjësit dhe punojnë për zhvillimin e personalitetit njerëzor nëpërmjet përmbushjes së nevojave materiale, intelektuale e morale, nga pikëpamja e individit, e familjes dhe e shoqërisë. Pavarësisht nga metodat që organizatat sindikale përdorin, pavarësisht nga historia që kanë mbi supe, pavarësisht nga të metat dhe limitet e tyre, duhet të pranojmë se ato synojnë respektin e dinjitetit të njeriut.

Nuk mund të mohohet se deklarata e Ramës u drejtohej pashmangshmërish edhe sindikatave shqiptare në vend, sepse fjalia e tij në thelb nuk e pranon ekzistencën e tyre. U takon sindikatave shqiptare t’i përgjigjen kryeministrit shqiptar për vlerësimin që i bëri në një tribunë ndërkombëtare, meqë ishin të pranishme media vendore e të huaja.

Mirëpo edhe trajtimi i çështjes duke e lidhur ngushtë me ekzistencën ose jo të sindikatave është tejet reduktive. Le të kujtojmë së bashku se sindikata janë edhe organizatat e ndërmarrjeve, siç është Konfindustria për shembull, vetëm që këto mbrojnë interesat e punëdhënësve dhe jo të punëmarrësve. Në një dialektikë normale, të një vendi normal, të dyja palët bien dakord me konsensus dhe firmosin marrëveshje, kontrata, memorandume lidhur me temat që trajtojnë si përfaqësuese interesash të caktuara. Pra çështja nuk shtrohet sindikata jo, sindikata po, por çfarë shoqërie kemi ndër mend të ndërtojmë.

Duam një sistem me shoqëri të organizuar, që nëpërmjet shoqatave dhe organizatave të ndryshme përfaqësojnë e shprehin mendimin e qytetarëve dhe mbrojnë interesa personale e kolektive, apo duam një sistem ku nga individi deri tek lideri shtrihet një shkretëtirë sociale, pa formacione të ndërmjetme? Duam një vend pa shoqëri civile, shoqata, grupime, organizata të ndryshme, ku qytetarët organizohen së bashku për të përfaqësuar dhe ushtruar demokratikisht bindjet e interesat e tyre, apo duam një vend ku qytetari bëhet “nënshtetas” e lideri i radhës “monark absolut”? Së fundi, duam një sistem ku përfaqësimi të fillojë e të mbarojë tek ai politik, duke i mohuar tiparet komplekse të jetës njerëzore, apo të nyjëtohet në përfaqësime të tjera, sipas kompleksitetit njerëzor dhe të përkatësive të tij? Tek e fundit, për këto e dilema të tjera shoqërore, mbetet gjithnjë çështje zgjedhjeje e cila, për t’u ushtruar, ka nevojë për liri e vetëdije.

Kultura mbizotëruese në Shqipëri mbetet në thelb asfiksuese për pjesëmarrjen reale të qytetarëve në jetën shoqërore. E ashtuquajtura shoqëria civile nuk e ka zgjidhur çështjen e pjesëmarrjes aktive e të vetëdijshme të qytetarit në jetën e vendit, e si rrjedhojë as problemin e përfaqësimit të anëtarëve të saj. Ato sindikata që ekzistojnë në Shqipëri, që zakonisht shihen me sy të keq, si shumë shoqata të tjera sociale, mund të ishin mjete të rëndësishme për rritjen e pjesëmarrjes në jetën e komunitetit dhe antidot i egoizmit dhe i individualizmit, nga të cilët shoqëria jonë e sotme vuan sistematikisht.

Në këtë drejtim, deklarata e Ramës në fund të vitit të kaluar ka meritën e çmuar se na bën të reflektojmë për tema të rëndësishme të jetës shoqërore.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: