PRAPA “DUALITETIT PATRIOTIK”

Vështirë të mohohet se, të paktën në tonet e retorikën e saj, politika shqiptare po i shkel gjithnjë e më shumë syrin ndjenjave kombëtariste. Që nga historia e stadiumit me dron, duke kaluar nga vizita e Kryeministrit shqiptar në Beograd, e deri më sot, edhe pse në fillesat e saj, po zhvillohet një lloj gare e heshtur për t’u akredituar nga pikëpamja kombëtariste pranë opinionit publik mbarëshqiptar.

E tepërt të kujtojmë se deri dje flamurin e këtyre qëndrimeve e mbante Berisha dhe partia e tij, e cila arriti të mposhtë edhe lëvizje që rrekeshin ta parakalonin në të djathtë, kur flitej për çështjen kombëtare. Rasti i Aleancës Kuqezi docet. Ishte retorika dhe kthesa djathtas e Partisë Demokratike – le të kujtojmë edhe festimet pompoze për njëqind vjetorin e pavarësisë -, por edhe arsye të tjera politike, që i shfrynë tullumbacet e lëvizjes politike të Kreshnik Spahiut.

Në një shkrim të vetin me titull “Dualiteti patriotik Rama-Meta“, Leonard Mitro vëren se në vazhdën e tureve që politikanët shqiptarë zhvillojnë në hapësirën shqiptare duhet veçuar ai i Ilir Metës. Ja çfarë shkruan Mitro:

Mediatikisht vizita e kryeministrit Rama në Beograd dhe Preshevë ja arriti qëllimit për të rritur popullaritetin e tij, përmes një profili që krijoi entuziazëm në Kosovë, por që u prit mirë edhe në Shqipëri.  Do ishte me interes një sondazh për të kuptuar efektet që pati në politikën e brendshme vizita e kryeministrit Rama në Beograd, ndonëse në radhët e mazhorancës socialiste nuk mungoi triumfalizmi jo vetëm për epërsinë ndaj opozitës së djathtë, por edhe ndaj partnerëve të LSI-së në qeveri.

Pavarësisht se titulli anon ta paraqesë si dualitet përplasjen në fushën e kombëtarizmit, pra midis PS dhe LSI, fakt është që elementi i tretë, pra opozita e PD-së, është mëse i pranishëm në lojën politike. Edhe pse tangencialisht, autori na kujton se në radhët e mazhorancës socialiste ka pasur triumfalizëm për epërsinë ndaj së djathës dhe LSI-së. Me fjalë të tjera, Partia socialiste, në lëmin e çështjes kombëtare, ia ka kaluar partive që gjenden në të djathtë të saj si LSI-ja, por edhe të djathtës që mban pikërisht këtë përkufizim të mirëfilltë.

Në shkrimin e mësipërm, thuhet se Ilir Meta, i mbetur në hije nga vizita e Ramës në Beograd, arrin së fundi të “marrë hak” e të kurorëzohet si politikan me influencë.

Në këtë “sukses” të politikës së jashtme nëse mund ta quajmë kështu, LSI nuk pati asnjë rol dhe as nuk tentoi të marrë dafina nga lavdia e kryeministrit Rama, por me vizitën e projektuar në Gjilan Ilir Meta nuk e la veten pa kurorën e politikanit me influencë dhe popullaritet në hapësirën shqiptare.

Autori bën mirë që e vë në thonjëza fjalën “sukses” si cilësim i vizitës së Ramës në Beograd, sepse ende duhet kuptuar nëse nga pikëpamja diplomatike ajo vizitë ishte e suksesshme. Dyshimet, nga shumë anë, nuk mungojnë. Mirëpo, thonjëzat do të ishin krejt të tepërta nëse do të flisnim për politikën e brendshme. Në fakt, Kryeministrit shqiptar i njihet popullariteti dhe triumfalizmi pas vizitës së Beogradit, por natyrisht duke iu referuar opinionit publik shqiptar në përgjithësi.

Dyshimi se gjatë vizitës në Beograd, Kryeministri shqiptar me deklaratat e tij nuk u drejtohej aq autoriteteve serbe, se sa opinionit shqiptar, nuk mund të fshihet lehtë. Polemikat për besën e dhënë e provokimet e supozuara janë dytësore, po të kemi parasysh target-in e diskursit të tij politik. Në mikrofonat e kryeqytetit serb, Rama iu drejtua kryesisht hapësirave shqiptare, duke fituar pikë atje ku deri dje nuk merrte shumë duartrokitje. Të njëjtën gjë po bën tani Ilir Meta. Sipas të njëjtit shkrim “edhe fjalimi i Ilir Metës në Gjilan ishte me tone të larta patriotike”, ndërkohë që qyteti ishte zbukuruar me flamuj të shumtë.

Mbresëlënëse figura retorike përmbyllëse e shkrimit. Ja si e përfundon Mitro artikullin duke iu referuar dy vizitave: “Edi Rama e Ilir Meta kanë shkuar në Kosovë si një shqiponjë me dy kokë, duke rikonfirmuar dualitetin e mazhorancës qysh nga koha kur të dy hodhën firmat për të dalë bashkë në koalicionin e zgjedhjeve të 23 Qershorit”.

Nuk mund të mos na e tërheqë vëmendjen mungesa e opozitës së djathtë. Metafora e kokave të shqiponjës gjithashtu e përjashton përfundimisht. Ç’po ndodh me politikën shqiptare? Mos vallë dy forcat e së majtës janë zhvendosur aq shumë në të djathtë sa i kanë hedhur poshtë forcat tradicionalisht tejet të ndjeshme për temat kombëtariste? Pra i kanë nxjerrë jashtë loje? Pyetja bëhet më e mprehtë, po të mendojmë se vetë opozita, prej vitesh e profilizuar si “agresive” ndaj çështjes mbarëshqiptare, nuk u karakterizua me ndonjë qëndrim të prerë lidhur me çështjen e Kosovës, aq sa u duk sikur u kap gafil nga performanca e Kryeministrit në Beograd.

Ndërkohë, manifestimi i fundit publik i PD-së kishte kryesisht kërkesa ekonomike. Politika, sidomos ajo rajonale, mbeti në plan të dytë. Në qoftë se është kështu, harta politike shqiptare duhet të ndryshohet, të paktën në ngjyra.

Advertisements
%d bloggers like this: