KOMBINATI (III)

Nostalgjia e pasqyrës

Lagjja e Kombinatit u ka ofruar banorëve të vet identitet të fortë. Krenaria e të qenit kombinats ka përshkuar një sërë brezash. Identiteti i lagjes ishte një lloj brand-i, marke, pak i ngjitur nga të tjerët e pak i kapardisur nga kombinatsit vetë. Të lindurit e kanë mbajtur kudo emrin e lagjes së vet, pa u turpëruar, gjatë gjithë viteve.

Të ardhurit nga qendra e Tiranës për të banuar aty e përmendnin vetëm kur ishin të detyruar. Nga vinte energjia që ushqente identitetin komunitar të lagjes? Përse kombinatsit e vërtetë e kanë deklaruar gjithnjë përkatësinë e vet?

Një përgjigje mund të gjendet në origjinën e kësaj lagjeje, që u ngjasonte lagjeve të shumta europiane të ngritura në zona industriale në periferitë e qyteteve. Izolimi urbanistik e përkatësia në të njëjtën shtresë sociale e favorizonte ndjenjën e përbashkët, që kontribuonte për të krijuar një identitet kolektiv. Lagjja ishte pothuajse e vetëmjaftueshme: jeta sociale zhvillohej e tëra brenda kufijve të saj. Kombinati ishte skena e plateja në të njëjtën kohë, lagje e familje, punë e kohë e lirë. Ky realitet i presurizuar, ky qytet në miniaturë, nuk mund të mos i amplifikonte e kaliste ndjenjat e përkatësisë së komunitetit.

Nuk duhet harruar, gjithashtu, se klima e solidaritetit që ekzistonte në atë kohë në lagje, i detyrohej edhe vështirësive të jetës. Komshiu në Kombinat, për njerëz që vinin nga larg, ishte më shumë se vëlla ose kushëri. Marrëdhëniet e rrjetet afektive përbënin të vetmen mënyrë për të përballuar sfidat e ndryshme, aq më shumë në një realitet ku nuk ekzistonte një treg i vërtetë shërbimesh e/o të mirash materiale. Kjo lidhje me territorin degjeneronte shpesh në grupe gangsterësh ose bandash, që i ndanin zonat, por pa prekur përkatësinë e lagjes. Fama e keqe që kishte Kombinati i detyrohej edhe bandave të gangsterëve, që i kontrollonin kufijtë e lagjes me xhelozi e nuk i lejonin të “huajve” të “fusnin hundët”. Në fakt, banorët që jetonin në Tiranë, kishin një lloj mosbesimi ndaj lagjes dhe nuk para kishin qejf të shkonin atje.

Përkatësia duhet kërkuar edhe në gjenezën e lagjes. Banorët e Kombinatit kishin emigruar në Tiranë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, kryesisht nga fshatrat e qendrës e të jugut. Përgjithësisht ishin të rinj, vajza e djem, që donin të fillonin jetë të re në kryeqytet. Entuziazmi i viteve të para nuk mund të mohohet. Kombinatsit e dinin se kishin një mision në Shqipërinë e re, me fjalë të tjera e ndjenin se kishin lindur për diçka, për një qëllim, për një objektiv. Sipas gjasës ka ndikuar edhe propaganda e regjimi që himnizonte klasën punëtore, por me siguri nuk ka qenë i vetmi aspekt. Lagjja përbëhej nga çifte të reja emigrantësh që fillonin një aventurë të re larg shtëpisë. Kombinati ishte bërë tashmë shtëpia e tyre e vërtetë.

Me kalimin e viteve jeta në Kombinat, për mijëra vetë, u shndërrua në përvojë jete e ndarë së bashku me të tjerët. Është e qartë se një proces i gjatë identifikimi i ka shoqëruar banorët e lagjes, që ndanin pak a shumë të njëjtat ndjenja, përshtypje dhe emocione. Shumë njerëz e kanë harruar, por Kombinati, siç e thamë më sipër, e kishte një radio të vetën, që nuk kishte shpërndarje të jashtëzakonshme, por gjithsesi ekzistonte dhe fliste për realitetin përkatës. Një mjet që përvijonte profil të veçantë, por të identifikueshëm.

Identiteti i Kombinatit përbëhej edhe nga vende e simbole sociale. E këtu duhen përmendur jo vetëm sheshet, monumentet, rrugët, por edhe vendet më pak të rëndësishme e të paidentifikueshme nga optika e të huajit. Gastronomi, furra pjekëse, mëngjesorja, mapoja, ambulanca, kinemaja, por edhe vende më të mëdha si Tec-i, Fabrika e qelqit, fusha e sportit, e kështu me radhë. Edhe vetë Kombinati i tekstileve, brenda tij kishte vendet e “kultit”. Në lagjen e Kombinatit nuk kishte jo-vende, d.m.th. ato vende të individuuar nga Marc Augé në kundërvënie me hapësirat antropologjike, ku individualitetet kryqëzohen pa hyrë në marrëdhënie. Ndryshe nga jo-vendet e postmodernitetit, Kombinati kishte tipare me identitet të fortë, ku ndërpriteshin marrëdhënie dhe episode karakterizuese, mbi të cilat shtresëzoheshin histori e anekdota. Ndoshta jo-vendet filluan të shfaqeshin pas viteve dymijë, me mbërritjen e modernitetit të shpejtë e kontradiktor në të njëjtën kohë.

Stigmatizimi territorial negativ, nga i cili lagjja ka vuajtur gjithnjë, transformohej shpesh në krenari përkatësie, duke prekur erupsione epërsie me lapile rebelimi e kryeneçësie. Imazhi i territorit vuloset tek personaliteti i individëve, në marrëdhënie me realitetet e tjera urbane. Mund të duket e çuditshme, por në modelimin e identitetit të lagjes kishte rol deri edhe Yzberishti, një fshat i vogël në prag ku jetonin shumë rom, me të cilët banorët e Kombinatit kishin përgjithësisht marrëdhënie të mira.

Nga ana tjetër, ekzistojnë shumë periferi, madje edhe periferitë e periferisë, dhe kombinatsit ishin të vetëdijshëm se u përkisnin atyre të planifikuara, që kishin një qëllim të caktuar në shoqëri. Lindja e Kombinatit nuk ka qenë spontane, por e programuar. Përkundrazi, karakteri ekstemporan duhet parë tek elementet aktuale të improvizimit urbanistik e social. Në qoftë se e kaluara e Kombinatit jetohet nga banorët e saj si i lavdishëm, në përhumbjen e sotme bëhet i kuptueshëm frustrimi i tyre, mbi të gjitha ajo nostalgji që idealizon në mënyrë të natyrshme jetën e kohëve të kaluara.

[vijon]

Advertisements
%d bloggers like this: