KOMBINATI (II)

Qendra e periferisë

Është e pamundur të shkruash për Kombinatin pa përmendur monumentin e Stalinit. Bënte tërësisht pjesë në identitetin e lagjes. I ndërtuar në hyrje të kombinatit të tekstileve, në sheshin me të njëjtin emër, kishte mbetur pak në anë të urbanistikës së qytetit.

Kombinat-Stalini-dikur2Në fakt, monumenti i Stalinit, me dorën e shtrirë, duke treguar vendosmërisht rrugën e socializmit, nuk ishte pikërisht bariqendra e lagjes, e cila zhvillohej përballë e në të majtë, por jo në të djathtë, ku gjendeshin fabrikat e tekstileve. Pas tij – përjashto zyrat e lagjes e shkollën profesionale – pothuajse asgjëja, në kuptimin që nuk kishte pallate e/o ndërtesa banimi. Nga ato anë fëmijët shkonin në kërkim të aventurave: poligon qitjeje, serra bujqësore, depozita të ndryshme, binarë hekurudhe, fusha…

Statuja e Stalinit ishte projektuar në simbiozë me kombinatin e tekstilit, ishte qendër e tij. Përballë gjendeshin sheshi me pemë, shatërvani i vogël e rruga plot gjelbërim e stola, në anë të cilës shtriheshin pallatet e famshme sovjetike, d.m.th. të ndërtuara gjatë periudhës së ndërtimit të fabrikave. Gjithshka përfundonte me zonën e Gastronomit, fillimisht konvikt, i pajisur me dyqane ushqimore, për vajzat punonjëse në kombinat që kishin ardhur nga fshatrat shqiptare. Megjithatë, ekzistonte një ide urbanistike shumë e qartë, me vulë sovjetike, që me kalimin e kohës, për shkak të zhvillimit kaotik e të shpërpjesëtuar, e ka humbur shkëlqimin e matricën e vet identitare.

Kombinat-Stalini-dikurDuhet shtuar se monumenti i Stalinit nuk ka qenë kurrë qendër urbane takimi ose shkëmbimi. Ndokush, nëpër vite, nuk e konsideronte as qendër të lagjes, i zhvendosur gjeometrikisht më shumë drejt lindjes. Edhe statuja e saj solemne, tërësisht brenda stilit totalitar, përgjithësisht snobohej nga banorët e lagjes. Përballë saj kalonin vetëm punëtorët e fabrikave, të sfilitur e me hapin e rënduar kur dilnin nga turnet, ose me nxitim me hap të shpejtë për të filluar punën. Nuk i shpëtonte gjithsesi askujt, dallimi midis Stalinit të Kombinatit, i ngurtë, i rreptë, i palëkundur, me atë të bulevardit të Tiranë, i ngritur përballë Leninit, me dorën në kapotë në lartësinë e gjoksit, pra më i shtendosur, më pak zyrtar, më i butë.

Karakterin “ekzotik” të monumentit të Stalinit, kombinatsit e zbulonin vetëm në kontakt me tjetrin, jashtë lagjes. Edhe kuptimin ia zbulonin më shumë në libra, që tregonin prishjen me Bashkimin Sovjetik të Krushovit, se sa duke i kaluar përpara. Gjatë viteve, i rrethuar nga një mjegull e dendur indiference, monumenti i Stalinit e humbi kuptimin e dukshmërinë, për t’u rrëzuar në fillim të viteve nëntëdhjetë pa ndonjë zhurmë të madhe. Tek e fundit, nuk kishte më as kuptim politik, as historik, po të kemi parasysh se shumë pak vite me pas edhe fabrikat e kombinatit të tekstileve do të pësonin të njëjtin fat.

Kombinat-piedestali-pa-stalininSharmi diskret i Kombinatit varej edhe nga urbanistika e tij. Jo vetëm pallatet sovjetike, të dëshiruara në atë kohë për strukturën e cilësinë ndërtimore, por edhe Mapo-ja e vjetër, buzë rrugës qendrore, dukeshin interesante. Sikurse qendra e Tiranës, e modeluar sipas urbanistikës së liktorit, ai i Kombinatit, anipse i orientuar drejt modeleve të tjera, e kishte të fortë identitetin e vet. Dy qendrat kishin diçka të përbashkët, e nuk është fjala për elementet sovjetike (Pallati i Kulturës në qendër), por për faktin se ndanin së bashku idenë e funksionalitetit e donin të përshenjonin diçka.

 

E vrazhdë e me këmbë në tokë

Jeta në Kombinat mund të tregohet në shumë mënyra e nga një sërë pikëpamjesh. Ishte jeta brenda fabrikave, por edhe jashtë saj. Pastaj ishte jeta e punonjësve dhe e banorëve të lagjes. Është vërtetë, lagjja ishte në funksion të fabrikave prodhuese, pothuajse në simbiozë totale, sepse ishte lindur për atë detyrë, ndonëse kërkonte ta kishte të vetën. Madje kishte njerëz që jetonin në Kombinat por punonin në Tiranë (nga qendra ose në periferi tjetër). Aso kohe dukeshin pendolarë, edhe pse distancat, po t’i shikojmë nga lartësitë e së sotmes, ishin përnjimend të papërfillshme. Për të mos përmendur sektorin e tretë dhe ekonominë përreth kombinatit të tekstileve. Por është gjithashtu jeta e tanishme, pas mbylljes së fabrikave dhe pas rënies së regjimit totalitar.

Punëtorët në kombinat ishin si të gjithë kolegët e tyre në vendet socialiste me ekonomi të centralizuar. Po të përjashtojmë propagandën, që i donte në pushtet si klasë punëtore që ishin, me përjashtim të ndonjë lehtësimi të papërfillshëm, puna në fabrika ishte shumë e rëndë. Krahasimet me botën e punës në vendet kapitaliste të asaj kohe, ose me aktualen në Shqipëri, natyrisht mund të bëhen, por me shumë distinguo. Duke filluar nga funksionimi i sistemit totalitar, nga ekonomia e planifikuar shtetërore, për të përfunduar me rolin e sindikatave në vendet socialiste. Gjithshka duhet interpretuar e duhet kontekstualizuar, përndryshe realiteti i Kombinatit nuk kuptohet.

Në periferi rrjedha e ngadaltë e kohës bën që ndryshimet e jetës të mos dallohen. Megjithatë, Kombinati i kohës së sovjetikëve ishte shumë i ndryshëm nga i mëpasshmi. Pas periudhës së parë (deri në fillim të viteve 1960), kur thithej një ajër më tolerant, i ushqyer nga mirëqenia e jeta hareplotë, erdhën kohë më të vrazhda, racionalizimesh e shtrëngimesh, për të arritur mungesën e ushqimeve në vitet 1980. Fabrikat e kishin mendjen tek plani i prodhimit, me metra pëlhure për t’u endur e ngjyrosur, si rrjedhim jehonat nga qendra, ato të politikës së madhe me akuza, komplote e piruete strategjike, vinin të largëta e të zbehta. Sikur mbuloheshin nga zhurmat e forta të fabrikave. Kundërgoditjet politike preknin shpesh edhe majat e Kombinatit, por pjesa më e madhe e punëtorëve, të zhytur në punë me makina gjithnjë e më obsolete, i shikonin përgjithësisht me shkëputje e ftohtësi. Tek e fundit, pjesëmarrja e tyre ishte gjithnjë e kontrolluar dhe e pilotuar nga levat e Partisë në pushtet.

Shenjat e periudhës kur jeta në Kombinat ishte disi më e shkujdesur vihen re edhe sot. Përballë portës së kombinatit ishte kinoteatri i lagjes, ku shfaqjet e ndryshme nuk mungonin kurrë. Vetë Kombinati e ka pasur trupën e vet që i ka dhuruar skenës shqiptare aktorë e artistë të suksesshëm. Në të njëjtën ndërtesë të kinoteatrit gjendej biblioteka e lagjes, mjaft e furnizuar e me shërbim cilësor për kohën. Jo shumë e kujtojnë, por në lagje lexohej jo pak. Pastaj kishte lokale e salla kërcimi, të mbijetuara në kujtesën e pionierëve të Kombinatit, por të humbur në vitet e vetëizolimit totalitar dhe të luftës kundër liberalizmit, sipas parimeve të revolucionit kulturor kinez.

Kinoteatri ishte vendi i shfaqjes par ecxellence, me dy fjalë: skena e skenave. Atje projektoheshin filma, viheshin në skenë drama, komedi, estrada, shfaqje artistike lokale, koncerte, por bëheshin gjithashtu aktivitete të tjera si takime e mbledhje të rëndësishme publike, madje deri gjyqe kundër të pandehurve për krime nga më të ndryshmet. Këto të fundit e përdornin kinoteatrin për t’ua amplifikuar në maksimum efektet teatrale e propagandistike gjyqeve të ndryshme. Edhe pse me kalimin e kohës kinoteatri erdhi e u shndërrua në kinema për fëmijë, ai ruajti për shumë kohë një vend të rëndësishëm në jetën e kombinatsave. Sot, për fat të keq, lagjja nuk ka asnjë strukturë të pajisur për shfaqje artistike.

Historia e Kombinatit mund të bëhet edhe nëpërmjet personazheve të tij. Në një kuadër disi të mbyllur, të ngjashëm me një roman, ishte e lehtë të pikasje e të karakterizoje personazhet e ndryshme. Për ndokënd emrat nuk thonë asgjë, por ishte kopshtari, berberi, shitësi, kasapi, mjeku, prostituta, i marri, budallai, polici, spiuni, profesori, funksionari, pijaneci, garipi, bukuroshja… Secili prej tyre kishte një rol publik të fortë, ishin personazhe që përshenjonin diçka, ishin rregullatorë të jetës komunitare, qendra nevralgjike të narrativës së lagjes. Dikush bëhej edhe hero popullor, “trimëritë” e të cilit shpesh i kalonin kufijtë e lagjes. Të hartëzosh personazhet e asaj periudhe do të thotë t’i japësh kuptim rrugëtimeve të jetës, të krijosh një entitet të qartë, me përmasa kronologjike.

Jeta në Kombinat mund të përshkruhet me shumë mbiemra, por vetëm disa duken cilësorë të saktë: jeta e atëhershme ishte lakuriqe, e vrazhdë, autentike. Kombinati u dha banorëve të vet një jetë plot me kontraste të forta, por me këmbët në tokë. Me fjalë të tjera, një jetë reale, konkrete, të prekshme. Ishte jetë intensive, me marrëdhënie të forta e me raporte të përqendruara, jetë e amplifikuar nga një mjedis disi i mbyllur. E nëse dikush e harronte paktin midis jetës e vdekjes, e në se ndokush fluturonte përtej lartësisë së lejuar, e nëse dikush donte të arratisej nga realiteti hipereal, ishin Varrezat e Sharrës – një nga dy varrezat publike të Tiranës e mjaft të pranishme në jetën e kombinatsave – që ia kujtonin se fluturimet pindarike nuk mund t’i lejoheshin një lagjeje të ndërtuar mbi punën.

[vijon]

Advertisements
%d bloggers like this: