METAFORA E SHËNJESTRËS

shenje-qitjejeNë fillim të nëntorit 2014, një lajm i pazakontë tronditi qytetarët në Itali. Në provincën e Leçes, një bari shqiptar, u vra me armë zjarri nga punëdhënësi i tij, i cili e përdorte si shenjë gjatë sportit të qitjes.

“Vdekja e bariut shqiptar, një arrestim. Punëdhënësi e përdorte si shenjë”, titullonte Corriere del Mezzogiorno, më 5 nëntor 2014.“Leçe, shqiptar i vrarë ‘për lojë’. Bariu i përdorur si shenjë” (Tgcom24), “Bari shqiptar i vrarë për lojë. Ishte shenjë” (La gazzetta del mezzogiorno), “Bari i vrarë me pistoletë nga punëdhënësi. E përdorte si shenjë” (Repubblica).

Ngjarja është vërtet e pabesueshme. Sipas mediave vrasja nuk ka asnjë motivim, ishte thjesht një lojë e rrezikshme dhe mizore. Djaloshi shqiptar, Qamil Hyraj, 23 vjeç, është goditur nga një plumb në kokë në prill, kur ishte duke ruajtur tufën e bagëtive në një komunë të provincës së Leçes.

Pronari i fermës është akuzuar nga forcat e rendit për vrasje të vullnetshme, sepse ka qëlluar drejt një frigoriferi në fushë të hapur, ndonëse e dinte se i riu shqiptar gjendej në trajektoren e plumbave. Pasi ka dëgjuar zhurmën e plumbit të parë, bariu shqiptar është kthyer për të parë se ç’po ndodhte, mirëpo është goditur në kokë nga plumbi tjetër. I pandehuri, punëdhënës e “mik” i shqiptarit, qenka përpjekur më pas të depistonte hetimet e forcave të rendit.

Ky rast i veçantë, sa tragjik aq edhe i pabesueshëm, nuk mund t’i shpëtojë fatit të vet përfaqësimtar, pra të shikohet si metaforë e asaj që po i ndodh sot imigracionit në Itali e më gjerë. Sado i veçantë të jetë, kjo ndodhì nuk mund të vendoset jashtë kontekstit të përgjithshëm socio-kulturor, pa marrë parasysh qëndrimet ndaj imigrantëve në përgjithësi.

Në këtë këndvështrim, ngjarja e rëndë në Leçe, ku humbi jetën një punonjës i thjeshtë, që e fitonte bukën e gojës me djersën e ballit, pra me punë të ndershme, nuk mund të mos marrë ngjyrime të tjera, sidomos kur shndërrohet në emblemë të aktualitetit.

Po të lëmë mënjanë rrethanat e detajet, sikundër përgjegjësitë individuale, që u interesojnë më shumë hetuesve e gjykatësve, nga një anë kemi punëdhënësin që argëtohet duke bërë qitje në poligonin e improvizuar, nga tjetra kemi emigrantin që punon duke u kujdesur për bagëtinë. Vështirë të të mos shkojë mendja tek qëndrimi utilitarist që ndeshet shpesh në vendet perëndimore ndaj imigrantëve, të cilët shihen vetëm nga pikëpamja e dobisë ekonomike, jo shumë larg dhenve e kafshëve shtëpiake. E megjithatë, edhe pse e përsëritur me mijëra herë e nën rrezikun e retorikës, ndoshta ia vlen ta theksojmë sërish, se migrantët janë njerëz para se të jenë krahë pune për ekonominë.

E si mund të interpretohet shënjestra e punëdhënësit ndaj frigoriferit e më pas ndaj imigrantit të gjorë? Krahasimi i objektit simbol i konsumizmit, siç është frigoriferi, që pasi përdoret një farë kohe zëvendësohet me tjetër, për t’u shndërruar më pas në tabelë qitjeje, me punonjësin emigrant është pothuajse i detyrueshëm. Ka plot njerëz që duan t’i shohin imigrantët si pjesë të fabrikave, makinerive dhe objekteve, që pasi përdoren ose dalin jashtë përdorimi, d.m.th. pasi nuk duhen më, përfundojnë në zonën e hedhurinave, kur nuk bëhen natyrisht pjesë e argëtimit të “padronit”.

Kjo vërteton edhe një herë se thënia e njohur e shkrimtarit zviceran, Max Frisch: “Kërkonim krahë pune, erdhën njerëz”, është më kuptimplote se kurrë. Ka ende individë që mendojnë se migrantët janë vetëm krahë pune dhe jo njerëz, për sa kohë i vënë në shënjestër dhe i godasin për lojë. Në periudhën e krizës që po kalojmë, këto kundërshti janë edhe më të dukshme. Tani që papunësia ka prekur si autoktonët ashtu edhe imigrantët, tensioni social ndihet edhe më shumë.

Nuk e teprojmë po të shohim tek rasti i mësipërm edhe nënvleftësimin e punës si rruga më e mirë për ta ndërtuar jetën. Shndërrimi i fermës në park lojërash për t’u zbavitur tregon tërthorazi diçka nga kultura e sotme, që e sheh me dyshim e të tepërt punën në sektorin parësor. Është po ajo kulturë që ka sjellë financiarizimin e ekonomisë, ose spekulimet në bursë, ku nuk bëhen investime por thjesht luhet me paranë. Në rangje të larta do të shikonim të njëjtin qëndrim mospërfillës të të kollarisurit të radhës, i veshur me kostumin ultra të modës dhe i zënë me projekte plot grafikë e shifra; por pa asnjë skrupull në reduktime e pushime nga puna, ngaqë pas numrave nuk shikon njerëz por vetëm fitim.

Po vlera e jetës? Nuk duket e lartë, kur flitet për migrantët, përndryshe kujdesi do të kishte qenë shumë më i madh. Kur dikush bën qitje ndaj frigoriferit për t’u zbavitur, duke ditur se nga ana tjetër ka dhen që mund të goditen gabimisht, me të drejtë të gjithë ne, jo vetëm animalistët, do të protestonim për mungesën e ndjeshmërisë ndaj jetës së tyre. Por rasti ynë po duket edhe më i rëndë, ngaqë bashkë me kopenë ishte edhe një imigrant, shqiptar me origjinë, që e ruante sepse e kishte zanatin e vet, pavarësisht se dikush tjetër e konsideronte më pak se një kafshë, përderisa nuk tregoi kurrfarë kujdesi.

Kriza ekonomike që ka kapluar Europën, e në veçanti Italinë, ka nxjerrë në pah sëmundjet më të rënda të shoqërisë. Njëra prej tyre është pa dyshim egoizmi, që zbeh vlera themeltare siç janë solidariteti dhe respekti ndaj Tjetrit. Ndërkohë, acarimi i krizës – që në pamje të parë duket ekonomike, por në thelb është vetëm krizë etike – vetëm sa i skajëzon të metat, duke i shndërruar imigrantët në rrufepritëse të tensioneve sociale. Nga disa, imigracioni nuk shikohet si dukuri globale për t’u administruar me bonsens në të mirën e të gjithëve, por si mundësi për ta shtuar llogarinë e frikës kolektive e më pas si ATM votash politike. Prandaj ajo krismë tragjike ka vrarë më shumë se një djalosh pa faj.