MBI GJYSMË MILIONI

Në gusht të këtij viti Instituti italian i Statistikës bëri publike të dhënat e fundit për praninë e qytetarëve të huaj ekstrakomunitarë në Itali. Disa prej tyre janë vërtet interesante, por më shumë përfundimet që nxjerrim.

Në fillim të janarit të 2014-s në Itali jetonin me dokumente 3.874.726 qytetarë me prejardhje nga vende jo komunitare. Nuk duhet të harrojmë se numri i emigrantëve është shumë më i madh, po të kemi parasysh se në numrin e mësipërm përfshihen p.sh. shqiptarët, por jo rumunët që janë më shumë se një milion vetë në Itali. Mirëpo, këta të fundit, edhe pse trajtohen në fusha të tjera si imigrantë, nga pikëpamja juridike janë komunitarë, si rrjedhim gëzojnë të drejtat që u jep anëtarësimi në BE.

Për një vit numri i imigrantëve në Itali ka pësuar një rritje prej 3%. Nuk është pak, madje numri është pak befasues për ata që dëgjojnë çdo ditë buletinin e papunësisë që rritet pa mëshirë. Shqiptarët me lejeqëndrim janë 502.546. Edhe pse rritja nuk është e jashtëzakonshme, duhet shënuar me interes. Që nga fillimi i tij, emigracioni shgrafiku-i-shqiptareve-ne-itali-1990-2013-rando-devoleqiptar nuk ka pësuar asnjëherë ulje. Megjithatë, vihet re se ngritja ka filluar të mos jetë me intensitetin e mëparshëm. Vitin e fundit, rritja e numrit të shqiptarëve nuk ka shënuar vlerat e konsiderueshme të viteve të kaluara, madje as një vit më parë nuk ka qenë në këto vlera.

E reja tjetër e të dhënave zyrtare është se dyluftimi imagjinar midis dy komuniteteve ekstrakomunitare si marokenët dhe shqiptarët, që për disa vite kanë qenë afër nga pikëpamja statistikore, tashmë ka si fitues të parët, të cilët janë shkëputur ndjeshëm nga vendi i dytë. Nuk mund të mos vihet re rritja e kinezëve në Itali, por edhe komunitete të tjera si ata të Bangladeshit e të Egjiptit, edhe pse duken andej nga fundi i grafikut, në realitet kanë pasur rritje të ndjeshme.

Sipas shtetesise 1.1.2014Për ta kuptuar më mirë rritjen e ekstrakomunitarëve duhet të analizojmë fluksin e hyrjeve në vend. Edhe këtu na vijnë në ndihmë statistikat e ofruara nga Istat, sipas të cilave nga viti 2012 në 2013 është regjistruar një ulje i flukseve të qytetarëve jo komunitarë. Në fakt lejeqëndrimet kanë qenë më të pakta, por jo aq sa një vit më parë. Përveç lejeqëndrimeve për arsye pune, të gjitha të tjerat kanë pësuar ulje (arsye familjare, studimi, humanitare, etj.). Mirëpo, edhe rritja e lejeqëndrimeve për punë duhet interpretuar si efekt i pajisjes me dokumente të imigrantëve të parregullt gjatë vitit të mëparshëm.

Nuk mund të mos mendosh për pasojat e krizës ekonomike kur shikon se hyrjet në Itali bëhen kryesisht për arsye familjare. Bëhet fjalë për bashkimet familjare që zhvillohen normalisht me rezidentët në vend. Vite më parë, pjesa më e madhe e ardhjeve në vend ishin për arsye pune, kurse tani raporti është përmbysur.

Si të dhënat e fundit, ashtu edhe ato të pranisë së përgjithshme, dëshmojnë se prania e ekstrakomunitarëve në Itali është gjithnjë e më e qëndrueshme. Kjo vlen veçanërisht për shqiptarët, të cilët janë rritur numerikisht në vite, por janë edhe stabilizuar me punë e familje. Mirëpo atë që statistikat nuk na tregojnë është pikërisht ai numër i shqiptarëve të cilët kanë lënë vendin për një arsye ose tjetër. Ka shqiptarë që janë kthyer në atdhe, por ka edhe nga ata që kanë emigruar drejt vendeve të tjera. Për ta kapur rëndësinë e fenomenit duhen kryqëzuar statistika të ndryshme, ose duhen pritur përditësimet e reja.

Ndërkohë, le të mjaftohemi me të dhënat e tanishme që përvijojnë një profil të konsoliduar të emigracionit, pa kursyer ndonjë detaj të ri, siç është numri i atyre që kanë marrë shtetësinë italiane (për vitin 2012 kanë qenë 9.493). Praktikisht, ka më shumë shqiptarë që marrin shtetësinë italiane se sa ata që vijnë çdo vit në vend. Megjithatë, edhe ata që marrin pasaportë të re nuk pushojnë së qeni shqiptarë, pavarësisht se zhduken nga radari statistikor.

Advertisements
%d bloggers like this: