DEBAT I MUNGUAR

dhuna ne familjeDy lajme më tërhoqën vëmendjen gjatë ditëve të fundit të gushtit. Të dyja kishin të bënin me dhunën në familje e në veçanti me dhunën ndaj grave. Lajme që kishin ngjashmëri e veçori njëkohësisht. Të denja për një debat publik serioz.

Lajmi i parë u dha në datën 25 gusht 2014. Fliste për një 31 vjeçar shqiptar që e kishte rrahur të shoqen në Itali. Ja çfarë tregonte një e përditshme me titullin “Godet gruan me shuplaka e celular në sy të fëmijëve, pranga shqiptarit“:

Një 31-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane pasi ka rrahur të shoqen në prani të fëmijëve të tyre të mitur. Ngjarja ka ndodhur në Cerignola, rajoni i Puglias, teksa çifti shqiptar bashkë me dy fëmijët e tyre po ktheheshin nga Shqipëria ku ishin me pushime, drejt Brescias ku edhe jetonin e punonin. Shkak për grindjen mes çiftit dyshohet të kenë qenë disa debate për çështje familjare. […] ka filluar të godasë bashkëshorten e tij 27 vjeç, në duar e fytyrë, jo vetëm me shpulla, por edhe me celular. Si pasojë e goditjeve gruaja e re ka pësuar dëmtime të dukshme në fytyrë.

Më tej shkrimi njofton lexuesin se në spital mjekët italianë vunë re se gruaja e re ishte dhunuar, ndaj lajmëruan menjëherë policinë, e cila e arrestoi 31-vjeçarin shqiptar me akuzën për dhunë në familje.

Lajmi i dytë u dha një ditë më pas, saktësisht më 26 gusht 2014, me titullin: “Skandal në Velipojë, gruaja në polici se e dhunonte burri, shefi i kërkon favore seksuale“. Ja çfarë lexohej në artikull:

Dyshohet se punonjësi i policisë, duke shfrytëzuar detyrën e tij funksionale, ka kërkuar favore seksuale nga shtetësja R.M, e cila ishte paraqitur në Stacionin e Policisë Velipojë, për të bërë një kallzim për dhunë dhe keqtrajtim nga bashkëshorti i saj.

Më pas lexuesi njoftohej se punonjësi i policisë ishte arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Një e përditshme tjetër informonte një ditë më pas, me shkrimin “Kërkon mbrojtje nga burri, shefi i policisë Velipojë i kërkon seks“, se bëhej fjalë për një emigrante shqiptare që kishte ardhur për pushime në Velipojë.

Këto dy lajme që u dhanë praktikisht brenda dy ditësh, kishin shumë elemente të përbashkëta. Kemi të bëjmë me dhunën ndaj grave në familje, çka përbën elementin lidhës, por kemi edhe faktin që të dy të akuzuarit kanë përfunduar përballë drejtësisë. Nga ana tjetër kemi dy femra, që në një mënyrë ose një tjetër, marrin guximin të mos i shfajësojnë dhunuesit e tyre, pavarësisht se i kanë “bashkëshortë” me ligj.

Nuk mund të mos vihet re edhe elementi i jashtëm. Tejet interesant. Në rastin e parë ai na vjen si vendi ku u konsumua vepra penale, pra në Itali, në rastin e dytë na paraqitet në personin e emigrantes që paraqitet në polici për të kallëzuar të shoqin por pëson ngacmim seksual.

Mjafton t’u hedhësh një shikim komenteve që shoqëruan lajmet për të kuptuar cektësinë me të cilën u qasemi çështjeve kaq të mprehta siç është dhuna në familje. Atje vihen re jo vetëm ata që duan t’i justifikojnë burrat e dhunshëm, por edhe ata që mjaftohen me një mallkim. Mungojnë përpjekjet serioze për ta kuptuar dukurinë, ndërsa janë me shumicë ata që shajnë me mllef, sikurse ata që evokojnë Enverin për të vënë qetësi. Ka edhe cinikë si puna e atij që bën humor me zjarrin, duke e quajtur budalla burrin që nuk diti ta rrahë gruan pa zbritur nga trageti, pra në Shqipëri ku nuk e çan kokën askush.

Aktorët e ligjërimit publik shqiptar humbën rastin të hapin një debat serioz për dhunën ndaj gruas, sidomos asaj që nuk arrin të dalë në sipërfaqe, duke kërkuar arsyet e thella shoqërore e kulturore që e nxisin atë, pra përtej lajmit sensacional ose aspektit juridik. Përndryshe lajme të tilla nga kronika e zezë do të përshoqërohen me ato të vapës, si kuriozitete vere, me ndonjë reagim instiktiv, por pa reflektuar për dukuri të rënda që ende e shqetësojnë shoqërinë shqiptare.

 

Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës

Advertisements
%d bloggers like this: