AJO “MIRËPO TANI…” E PAPËS

Papa ne Shqiperi-presidenceFjalimi i Papës në Presidencën shqiptare, siç mund të pritej, u lexua nga këndvështrime të ndryshme. Nëse në Shqipëri vëmendja e opinionit publik u tërhoq kryesisht nga mesazhet e pjesës së parë, mediat botërore u përqendruan në kumtin me vlerë globale e konjukturale. Paragrafi i fundit, edhe pse i rëndësishëm si të tjerët, mbeti disi në hije nga të gjitha palët.

Vizita historike e Papës Françesku në Shqipëri ishte rast fatlum për të gjithë shqiptarët. E jo vetëm nga pikëpamja festive, mediatike dhe e imazhit. Pikërisht për këtë arsye fjalët e tij duhen lexuar me shumë vëmendje, pa lënë mënjanë asnjë prej tyre. Që Papa Françesku erdhi në Shqipëri për të kurorëzuar disa tipare të popullit shqiptar, del qartë edhe nga fjalimi i mirëseardhjes. Sikurse u paralajmërua, tema e bashkëjetesës paqësore fetare ndër shqiptarë përbënte një nga mesazhet kryesore të vizitës. Ja fjalët e sakta:

Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje: e kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme. Klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin… [përkthimi i Radio Vatikanit]

Mesazhi tjetër i rëndësishëm kishte të bënte me martirizimin e Kishës katolike gjatë viteve të totalitarizmit, ose të “dimrit të izolimit e të përndjekjeve” siç e quajti vetë Papa.

Të dyja këto mesazhe kishin e kanë vlerë botërore, sidomos në kushtet e sotme. Pikërisht këtë kuptim përcollën më së shumti mediat e huaja. Në fakt, nëpër botë jehuan kryesisht fjalët e mëposhtme:

Klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin dhe fiton rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë fetar dhe i përçudnojnë e instrumentalizojnë dallimet ndërmjet besimeve të ndryshme, duke i kthyer në faktorë të rrezikshëm përplasjeje e dhune, e jo në mundësi për dialog të hapur e të respektshëm, për përsiatje të përbashkët rreth domethënies që ka besimi në Hyjin e zbatimi i ligjit të tij. Askush të mos mendojë se mund ta përdorë Hyjin si shqyt, kur sheston e kryen akte dhune e mujshie! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprimet që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut e me të drejtat e tij themelore, në radhë të parë me të drejtën e jetës dhe të lirisë fetare të të gjithëve!

Në fjalimin e vet në pallatin e Presidencës, Papa e ngriti Shqipërinë në nivelin e shembullit për vendet e tjera, duke nënvizuar se bashkëjetesa paqësore mes njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare është e mundur dhe e zbatueshme konkretisht.

Deri këtu nuk po themi ndonjë gjë të re, meqë pjesët e mësipërme janë nga më të cituarat e të dëgjuarat e Papës gjatë e pas vizitës së tij në Shqipëri: brenda e jashtë vendit, sipas ndjeshmërive përkatëse.

Megjithatë, duket sikur pjesa e fundit e fjalimit të tij, sikur nuk ka pasur ndriçimin e duhur mediatik. E kam fjalën për paragrafin që fillon me “Mirëpo, tani…” (Ora, però…):

Mirëpo tani paraqiten të tjera sfida, që presin përgjigje. Në një botë që priret drejt globalizimit ekonomik e kulturor, duhet bërë çdo përpjekje që rritja dhe zhvillimi të jenë në shërbim të të gjithëve e jo vetëm të një pjese të popullsisë. Gjithashtu, ky zhvillim nuk do të jetë i vërtetë, nëse nuk do të jetë i përballueshëm dhe i barabartë, domethënë, nëse nuk do t’i ketë mirë parasysh të drejtat e të varfërve dhe nëse nuk do të respektojë mjedisin. Globalizimit të tregut duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit; rritja ekonomike duhet shoqëruar me më shumë respekt për botën e krijuar; bashkë me të drejtat individuale duhen mbrojtur edhe ato të realiteteve të ndërmjetme mes individit e Shtetit, me në krye familjen. Shqipëria sot mund të përballet me këto sfida në kornizën e lirisë dhe të stabilitetit, që duhen përforcuar dhe që japin shumë shpresa për të ardhmen.

Të mos harrojmë se fjalët “Mirëpo tani…”, vijnë pasi janë trajtuar tema që kanë të bëjnë me traditën dhe historinë shqiptare, siç është bashkëjetesa fetare dhe persekutimet gjatë totalitarizmit. Praktikisht janë fjalë që flasin për të tashmen dhe për të ardhmen. Paragrafi duket dikur flet në përgjithësi, por në rast se mbajmë parasysh se po u flet autoriteteve shqiptare të mbledhura në Presidencë, do të vërejmë konkretësi të vërtetë. Është ky paragraf që i drejtohet Shqipërisë së sotme dhe sfidave të saj.

Tek fjalët e Papës dallohet hapur nxitja me qëllim që zhvillimi të mos jetë në favor vetëm të pakicës së popullsisë. Referimi ndaj plagës së Shqipërisë aktuale, siç është polarizimi ekonomiko-shoqëror, nuk është vështirë të kapet. Shqipëria është zhvilluar vërtet vitet e fundit, sukseset janë të pamohueshme, por janë rritur edhe diferencat midis të varfërve dhe të pasurve.

Papa Françesku nuk harron të na kujtojë se zhvillimi nuk mund të quhet i tillë në rast se nuk është i mbajtshëm dhe i drejtë, çka do të thotë respektimin e shtresave të varfra dhe të mjedisit. Kush ka veshë le të dëgjojë.

Në qoftë se ndokujt pjesa që flet për globalizimin i duket e përgjithshme, le t’i kujtojmë se i vetmi antidot i tregut të globalizuar është solidariteti në rang botëror. Shqipëria nuk mund të lihet jashtë këtij diskursi, aq më tepër që fjala “solidaritet” në vendin tonë është nga ato fjalët e lëna tashmë në harresë, të dala jashtë mode, ja për keqkuptimet e së djeshmes, ja për shtrembërimet e së sotmes.

Së fundi, duhet cituar këshilla për mbrojtjen e të drejtave kolektive, të atyre realiteteve sociale që gjenden mes Shtetit dhe individit, ato që i japin njeriut përmasë shoqërore të ndërmjetme. Papa Françesku përmend “para së gjithash familjen”, çka nuk duket e rastit, meqë familja ka qenë një nga ato struktura shoqërore që kanë vuajtur më shumë gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit në Shqipëri.

E kotë të kujtojmë se lista pas familjes është e gjatë, ku hyn edhe shoqëria civile, me të cilën është abuzuar shumë. Por jo pak e dinë se historia e Shqipërisë është luhatur si lavjerrës i ndërkryer, duke prekur skaje si Shteti asfiksues dhe individualizmi prej xhungle, ndërkohë që ka pjesë të shoqërisë që mund të kontribuojnë për ekuilibrin e saj.

Gjithsesi, të gjitha këto këshilla e nxitje nuk mund të zbatohen jashtë kontekstit të lirisë e të stabilitetit, ky kushte të domosdoshme për ndërtimin e Shqipërisë së ardhshme. Këto kushte duhen përforcuar, thotë Papa. E kjo tingëllon si këshilla e këshillave.

 

Advertisements
%d bloggers like this: