PAMJE PA FJALË

shtrengim duarshNë Shqipëri jemi mësuar t’i konsumojmë vizitat politike të personaliteteve të huaja kryesisht në planin ikonik. Fotografia e shtrëngimit të duarve, përbën vërtetë pjesën protokollare të vizitave zyrtare, megjithatë ajo mishëron më së miri vështrimin e publikut shqiptar drejt takimeve politike ndërkombëtare. Mediat shqiptare i paraqesin vizitat e rëndësishme nga jashtë me zellin e nëpunësit të protokollit e me ftohtësinë e notës verbale.

Vizitat e personaliteteve na përcillen si fotokopje të rëndomta, ose si pamje arkivi, ku ndryshojnë vetëm fytyrat dhe kostumet. Në fakt, janë pothuajse të gjitha njëlloj: pritja në aeroport, takimi në presidencë, vizita në kryeministri, biseda me Ministrin e jashtëm, aktiviteti kulturor, firma e marrëveshjeve, pritja në Ambasadë, ose diku tjetër, e kështu me radhë. Kudo buzëqeshje, shtrëngime duarsh, ceremoni me ushtarë, flamuj, banda muzikore, makina të rënda…

Kështu zhvillohen të gjitha vizitat zyrtare në botë, mund të vinte re dikush. Patjetër. Dallimi qëndron në konsumin që publiku shqiptar i bën informacionit përkatës. Jo vetëm që paraqitja mediatike është statike, plot me klishe, disi e ngurtë, por e tërë ngjarja shikohet si seri imazhesh protokollare, ndërsa fjalët e deklaratat (shpesh të rastit) vetëm sa mbushin heshtjen e pamjeve, duke e kthyer në kolonë zanore verbale. Pak vetë e ndjekin me kujdes se çfarë thotë aksh personalitet, sepse mesazhin kryesor (pra atë të vizitës) e marrin nëpërmjet pamjeve. Ky hutim është edhe për faj të mediave dhe të politikës që preferon të komunikojë me fraza rituale, të përgjithshme, politikisht korrekte, në burokratikishte, pa thënë qartë thelbin e mesazheve. Kështu, njerëzit e dinë se erdhi filani, por se çfarë tha konkretisht, përtej disa fjalëve tip integrim, reforma, marrëdhënie, Europë, nuk e marrin vesh mirë. Lajmi jo gjithnjë del i qartë, si rrjedhim shkon e strehohet tek imazhet e vizitës, duke e reduktuar lajmin në vizitën vetë.

Nuk mund të mohohet: vizita e një personaliteti përbën lajm. Është gjithashtu e vërtetë se lajmi mund të konsumohet nëpërmjet imazheve. Mirëpo mediat duhet ta japin lajmin në plotësinë e tij, meqë nuk mjaftojnë pamjet në aeroport dhe shtrëngimet e duarve nëpër institucione për ta dhënë plotësisht kuptimin e vizitës zyrtare të radhës. Trysnia që bëhet nga zyrat e ndryshme të shtypit që punojnë pranë institucioneve është pa dyshim e madhe. Bëjnë ç’është e mundur – natyrisht jemi brenda normalitetit, sepse është puna e tyre – që mediat t’ua transmetojnë fotografinë dhe deklaratën e titullarit. Pas kronikave të stërgjata e të mërzitshme që bëjnë radiotelevizionet për takimet zyrtare qëndrojnë edhe trysnitë e mësipërme, pra dëshira për të mos lënë askënd jashtë, pra pa e përmendur në njoftim. Rezultati? Lajme të mërzitshme dhe ç’është më e rëndësishmja lajme pa lajm brenda.

Që vizitat me politikanë të ndryshëm, edhe kur zhvillohen jashtë, bëhen shpeshherë vetëm për një fotografi është e kuptueshme. Publiku ushqehet edhe me lajme të tilla, ngaqë vetë pritja dhe takimi përbën informacion. Mirëpo, tani mund ta themi të bindur, ana protokollare e vizitave në Shqipëri, ose kur zhvillohen jashtë shtetit, e kanë humbur sharmin e dikurshëm, kur institucionet kërkonin ankthshëm t’u kumtonin qytetarëve se tashmë izolimi kishte përfunduar.

Monotonisë së pamjeve protokollare duhej t’i kundërvihej aktiviteti hulumtues i analistëve të mediave, ose komentet e ndryshme të opinionistëve, që duhet t’i zbërthenin pamjet e t’i përcillnin publikut mesazhe të tjera, ato që qëndrojnë, si të thuash, prapa kuintave. Mirëpo kjo veprimtari është deficitare, kur nuk është spekulative, megjithëse përjashtimet pozitive ekzistojnë. Nga ana tjetër, paaftësia e mediave për ta nxjerrë lajmin nga përditshmëria politike, shoqëruar nga përtacia për ta ripërtypur informacionin, bën që vizitat zyrtare të na vijnë të njëtrajtshme, përsëritëse, të pashije.

E megjithatë nuk është e mundur që vizitat të shikohen nga publiku vetëm si pamje memece, pa zë. Interesi nuk do të ishte vetëm në planin brendësor, për të marrë vesh se cilat ishin përmbajtjet, kuptimet, interpretimet, rekomandimet, kritikat, divergjencat, por edhe në atë kontekstual, sepse ngjarjet mund të shihen edhe në kuadrin e gjeostrategjisë.

Simotra e kësaj dukurie, në botën tekstuale, gjendet tek pleonazmat e urimeve, që kanë mbijetuar edhe në kohërat e sotme. Mediat i lodhin sytë e veshët publikut duke lexuar e treguar urimet e jashtme që dërgohen e merren nga institucionet shqiptare, a thua nuk dihet se kemi të bëjmë me rutinë protokollare me raste përvjetorësh e ngjarjesh të rëndësishme, ku telegramet janë standard me ndonjë mesazh politik brenda, që jo gjithnjë e justifikon dhënien e lajmit.

Inflacionimi i vizitave dhe i pamjeve të tyre është shkaktuar edhe nga procesi kulturor që ka ecur përpara këto vitet e fundit në Shqipëri, i cili ka krijuar një farë lodhjeje e plogështie, për të mos thënë apatie, në komunikimin e shqiptarëve me botën e jashtme. Gjithsesi, nuk është e thjeshtë ta gjesh se sa shkak apo pasojë ka qenë paraqitja mediatike në krijimin e kësaj kulture.

 

Advertisements
%d bloggers like this: