LLOGORET E KRITIKËS

Shkrimin “Restaurimi i Kështjellës” të Xhaxhait e pata printuar për arsye se studime të tilla parapëlqej t’i lexoj në letër. Ka një sërë karakteristikash të tekstit si citimet, bibliografia, fjalët kursive, shënimet, shenjat e pikësimit, nënvizimet, e të tjera marifete filologjike, që praktikisht të detyrojnë ta kesh tekstin përballë në tërësinë e vet, për ta zotëruar e kuptuar më mirë. Pasi e mbarova, shkrimin ia dhashë një mikut tim për ta lexuar *.

Komenti që i bëri shkrimit ishte ky: “E paska masakruar I.K.-në”. Nënteksti i komentit ishte tejet pozitiv, në kuptimin që e vlerësonte studimin si serioz dhe të argumentuar. Aty për aty nuk i dhashë rëndësi komentit, pikërisht sepse i lexova nënkuptimin, pra gjykimin pozitiv për përpjekjen studimore. Më mjaftonte ai si informacion. Mirëpo më vonë, fraza më bëri të mendoj për konceptin që kemi zakonisht për kritikën e tekstit.

Kam bindjen që shkrime të tilla lexohen nga një lloj publiku sikur të ishin kundër dikujt ose diçkaje. Siç mora vesh më vonë, nuk ishte rasti i cituar prej meje, megjithatë shprehja e përdorur (E kishte masakruar I.K.-në) tradhton thelbin e kulturës në të cilën lundrojmë të gjithë. Diskutimet e debatet arrijmë t’i shikojmë si dyluftime në ring, si beteja mes gladiatorësh, si sfida për jetë a vdekje, si ballafaqime fizike. Ndërsa veten e vendosim në shkallët e amfiteatrit, të stadiumit, duke brohoritur për njërën palë në rastin më të mirë, dhe drejt e në arenë ose në ring, duke u bërë pjesë e përplasjes, në rastin më të keq.

Përse ndodh kjo? Ka shumë arsye, por po dua të nënvizoj shkurtimisht disa prej tyre. Së pari, ekziston një keqkuptim lidhur me kritikën letrare, me qasjen studimore ndaj letërsisë. Koncepti i kritikës letrare është jo vetëm i gjerë, por edhe kompleks për t’u rrokur. Natyrisht nuk është vendi për ta nyjëtuar këtu. Problemi është se në Shqipëri kritika perceptohet jo rrallë si kundërshtim, si thënie kundër, ndërkohë që kritika është shumë më tepër se kaq, madje do të thosha që nuk është aspak të flasësh keq për diçka. Pa humbur në teoritë e ndërlikuara të kritikës letrare, mund të themi se qëllimi kryesor është njohja më e mirë e veprës dhe vlerësimi i saj.

Në këtë këndvështrim, një studim për romanin Kështjella veçse tregon respekt ndaj romanit dhe autorit, sepse rreket t’ia njohë më mirë mekanizmat që veprojnë brenda e jashtë tekstit. Kritika letrare, në kuptimin më të gjerë të degës, nuk është ajo që jep vendime të formës së prerë, apo ajo që shpërndan receta e stroncatura, por ajo që ndihmon në kuptimin e veprës; është si të thuash në shërbim të saj dhe të publikut, pavarësisht se mund ta shprehë mospëlqimin e vet për aspekte të ndryshme. Nuk do ta tepronim sikur t’i konsideronim studimet letrare, me mundin, seriozitetin e përkushtimin që kanë brenda, një akt dashurie ndaj veprës që marrin në shqyrtim.

Arsyeja e dytë lidhet me konceptimin e veprës letrare dhe autorit të saj. Në kulturën shqiptare jo rrallë vepra është autori (si person e individ). Madje është përftuar edhe e kundërta: autori është vepra e tij. Tjetër paradoks. Tani, për ata që janë të fushës, ndarja e autorit nga vepra është e lehtë për t’u kuptuar, pak më e vështirë më duket për ata që i shohin shkrimtarët si personazhe, idhuj ose mite, pavarësisht nga faqet e shkruara prej tij. Po ta huazojmë vështrimin e kritikës moderne, do të vinim re se vepra është një gjë, autori i tekstit diçka tjetër dhe autori si person një entitet tjetër. Umberto Eco i ka shpjeguar me konceptet e Lexuesit Model dhe Autorit Model. Nuk po zgjatemi në teoritë e analizës së tekstit, por mund të kujtojmë se qëllimi i autorit si person (autori empirik me biografinë dhe jetën e përditshme), jo gjithnjë përputhet me qëllimin e veprës e me atë të autorit që përftohet prej saj, pa llogaritur këtu rolin aktiv të lexuesit. Teksti, pra, ka autonominë e vet. Për ta thënë më konkretisht, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, është ai që rezulton nga vepra e tij, p.sh. nga teksti i romanit Kështjella, kurse I.K.-ja që pi kafe ose kapuçino tek aksh lokal, ose që ka veshur kostumin ngjyrë gri, është diçka tjetër që ka të bëjë pak ose aspak me autorin tonë.

E kuptoj që është pak e vështirë për t’u rrokur, por autori që del nga teksti dhe i shfaqet lexuesit me radhët e tij, pra autori me të cilin ka të bëjë kritika letrare, është entitet i veçantë. Jeta private e shkrimtarit (autori empirik), madje edhe ajo që ai deklaron vetë, është diçka tjetër. Nuk do të habitesha sikur dikush të më thoshte se dua më shumë I.K.-në e “Kronikës në gur”, se sa atë të “Mosmarrëveshjes”, pëlqej më shumë “Kështjellën”, se sa “Rrethimin”. Shprehjen “Kadareja im”, që e përdor edhe unë me vlerësim të lartë e me dashuri, i referohet natyrisht shkrimtarit e veprës së tij, e cila jo vetëm ka ndikuar në formimin tonë, por është përbrendësuar e interpretuar nga lexuesi. Paradoksalisht Kadareja dora vetë nuk ka ç’më thotë për Kadarenë tim. Ky i fundit ka të drejtën e pavarësisë. Mirëpo ka raste që në ligjërimin publik shqiptar gjërat personalizohen e ngatërrohen.

Vepra letrare, siç dihet, merr jetë vetëm në sytë e lexuesit, pikërisht kur i del nga duart autorit dhe shikon dritën e botimit. Prandaj edhe kur flasim për një vepër letrare flasim pak edhe për vete, jo vetëm për tekstin dhe autorin e tekstit. Këtu mund të shtonim edhe një aspekt tjetër lidhur me interpretimin që i bëhet veprës letrare, e cila trajtohet shpesh si manifest politik e ideologjik dhe jo si narrativë ose poezi, pra si tekst me vlera artistike dhe estetike. Lexuesi i vëmendshëm i njeh instinktivisht këto hollësi teorike e as ëndërron të themelojë kryqëzata e të bëjë anatema kur diskutohet diçka për një vepër letrare. Kush i bën këto e ka lënë mënjanë prej kohësh rolin e nderuar të lexuesit, për të humbur në turmën e idhujtarëve. Por siç mund të merret me mend, për të ekzistuar si të tillë, shkrimtarët kanë nevojë për lexuesit – me shijet e mendimet e tyre – të cilët janë gjithsesi të vetmit që u japin jetë veprave.

Së treti, ata që e keqkuptojnë ose e paragjykojnë kritikën letrare në përgjithësi, e studime si “Restaurimi i Kështjellës” në veçanti, janë gjithashtu viktima (të pavetëdijshme?) të polarizimit politiko-kulturor që ekziston në Shqipëri. Dikush nga ne mund t’ia faturojë periudhës totalitare, të tjerë mund t’ia shohin rrënjët më thellë në histori. Fakti është se kultura në të cilën jetojmë shikon vetëm bardhë e zi, arsyeton vetëm me motot “o me ne, o kundër nesh”, “o me ata, o me ne”. Kjo kulturë e varfër kromatike, na bën që të mos i shohim mirë jo vetëm ngjyrat, por as nuancat e grisë.

Shqisat tona kulturore duket sikur janë mpirë nga qëndrimi i gjatë në llogore, në pritje të dikujt nga shkretëtira, ose nga deti. Kjo është arsyeja përse studimet kritike lexohen jo si mjete njohëse, por për të parë me kë është autori i studimit, rreshtat e të cilit skanohen imtësisht për të gjetur “akuzën”, ose “lavdërimin”, për ta vendosur autorin në këtë apo atë pjesë të fushës. Nuk mund t’ia vëmë fajin gjithnjë publikut, për sa kohë ka plot kritikë që më shumë temjanisin se sa shpjegojnë, më shumë shpërndajnë dekorata se sa diskutojnë për veprën, më shumë deklamojnë se sa dëshmojnë. Nuk është mister që kritika letrare në Shqipëri vuan nga një krizë e vjetër, që vjen midis të tjerash edhe nga një mungesë debati mes saj për veprat e ndryshme letrare, çka na çon drejt e në temën e pluralizmit në mendimin kulturor shqiptar.

Debatet e ndryshme për veprat letrare, madje edhe ato për botimin ose jo të një sprove, krijojnë efekte halucinogjene për faj të premisave të gabuara për të cilat folëm më sipër. Fluturojmë nga tema në temë, nga dega në degë, nga toka në qiell, pa pasur pika referimi të qarta, pa koordinata të sakta gjeografike, pa busull e radar; çka krijon një efekt të fortë përhumbjeje. Hartat që kemi përdorur deri dje nuk janë të përditësuara. Por nuk do të orientohemi kurrë mirë pa ditur se, edhe kur kemi pikëpamje të ndryshme, i përkasim të njëjtit univers kulturor.

————————————————-

* “Restaurimi i Kështjellës” nuk është i lehtë për t’u lexuar. Me fjalë të tjera, nuk është artikull blogu ose gazete. Kërkon para së gjithash një parapërgatitje në fushën e studimeve, qoftë edhe në fusha të tjera. Lexuesi që nuk është mësuar me rregullat dhe metodologjinë e studimeve shkencore rrezikon të mërzitet, sepse mjaftojnë citimet e fjalëve, faqe më faqe, për t’ia lodhur shikimin. Megjithatë nuk ishte rasti i mikut tim, i cili e ka stërvitjen e duhur për t’i përballuar ngjitjet në malet e studimeve.
Advertisements
%d bloggers like this: