KUR PËRPLASEN PUSHIMET

Pushimet vjetore nënkuptojnë shkëputjen e përkohshme nga puna dhe vajtjen në një lokalitet turistik për t’u çlodhur. Kur ta lejon xhepi natyrisht. Për emigrantin jo gjithnjë është kështu. Pushimet vjetore përkojnë shpesh me kthimin në atdhe, ku nuk shkohet thjesht për t’u çlodhur, por edhe për t’u çmallur. E arrijnë gjithnjë qëllimin? Varet: herë po, herë jo, herë pjesërisht.

Së pari, nuk duhet harruar se pushimet nuk janë pambarim. Janë dy-tre javë, maksimumi një muaj, po duhet të jesh me fat. Pra pushimet vjetore kanë afat të caktuar. Së dyti, të bësh pushime do të thotë të kesh një punë të rregullt, çka të mundësohet nga kontrata përkatëse. Edhe i vetëpunësuari e merr periudhën e pushimit, sepse ashtu duhet, të paktën për të rikarikuar bateritë e fizikut. Zakonisht pushimet merren në periudha të caktuara kohore, gjatë dimrit, për Krishtlindjet e Vitin e ri, gjatë verës në muajt korrik e gusht.

Shikojeni atë burrin atje që po ikën me makinë drejt tragetit. Le t’ia përfytyrojmë historinë. Po kthehet nga pushimet. Nuk duket shumë i kënaqur, ndoshta pak i mërzitur. Kishte marrë familjen me vete, gruan e fëmijën për të kaluar tre javë pushimi në Shqipëri. Edhe ata duken të heshtur në makinë. Nuk është hera e parë që i bën pushimet në qytetin e vet. Vite më parë, kur kthehej në verë, çmallej sa më s’ka. Takonte prindërit, vëllezërit, kushërinjtë, miqtë, shokët e klasës e komshinjtë.

Kësaj radhe i shkoi mbrapsht. Për faj të vet. Ndoshta. Kishte vendosur t’i kalonte pushimet në mënyrë aktive, sepse rëra dhe uji i bëjnë mirë fëmijës, por edhe vetë e kishte me qejf. Kishte përdorur logjikë të thjeshtë. “Jam që jam në Shqipëri, po e bëj plazhin atje”. Një rrugë e dy punë. Mirëpo nuk kishte parashikuar faktin se ishte vërtet një rrugë, po jo dy punë.

Ato pak ditë që i mbetën pasi u kthyen nga plazhi i ikën vetëtimthi. Një ditë duke pastruar shtëpinë e mbyllur prej kohësh, një ditë tek vjehrra, një ditë duke bërë pazar, një ditë për të rregulluar makinën, dy ditë tek zyra e pasaportës. Mezi i takoi prindërit e vet. Edhe motrën e takoi mbrëmjen para se të nisej. Nuk u çmall fare. Dhuratat që kishte blerë jashtë shtetit për të afërmit i la me një copë pusullë sipër. Praktikisht luajti rolin e postierit. Shkroi vetëm emrin, pasi u mendua gjatë.

Dikush nga të afërmit e mori në telefon për ta falënderuar. Fliste nga jashtë, ndaj i ra shkurt. “Më tha tetoja se më kishe bërë dhuratë. Je i paparë. Më erdhi keq që nuk qëllova në Shqipëri të kishim ndenjur bashkë. Herës tjetër do ta planifikojmë më mirë. Hajt, ciao”. “Dakord. Mirë. Rrofsh për telefonatën. Ne po ikim të pimë një kafe, kanë hapur një lokal të ri”.

A e dini ç’i ndodhi atij çiftit që po largohet nga Rinasi? Nuk është e vështirë për ta imagjinuar. Si një pjesë e madhe e emigrantëve erdhën gjatë verës për pushime, sepse burri në punë nuk mund t’i zgjidhte sipas qejfit. Shefi, me buzëqeshje cinike, i tha se mund t’i merrte ose në verë, ose në verë, madje i caktoi muajin e javët. Ia dha pushimet me detyrim e përcaktim, si në lojën e damës. Megjithatë, kur u nis, ishte shumë i kënaqur: do të takonte prindërit, të afërmit, miqtë. Kur u kthye në qytetin e lindjes nuk gjeti pothuajse askënd. Prindërit, të vetmit që e pritën pa mëdyshje, kishin refuzuar ftesën për të ikur me pushime me djalin e madh. Motra ia kishte mbathur me të dashurin andej nga Turqia, ku shkojnë të gjithë shqiptarët për inat të hoteleve shqiptare në bregdet.

Stina e verës kishte ardhur edhe për kushërinjtë. Disa kishin ikur në plazh, të tjerë në mal, kurse disa kishin shkuar jashtë shtetit, dy prej të cilëve pikërisht në vendin e huaj ku ata punonin e jetonin gjatë gjithë vitit. “Po si s’na thatw fare? Tani e gjetët të shkonit atje? Do t’ju kishim pritur me të gjitha të mirat, me aheng”. “E po ç’të bëjmë, tani na i japin pushimet. Me detyrim. Gjetëm një paketë të lirë turistike dhe erdhëm. Nuk deshëm t’ju vëmë në siklet, keni hallet tuaja”. “Mos e fol…”.

Ndryshe i ndodhi të shoqes. Ajo e kishte gjithë fisin jashtë shtetit. Nuk i kishte mbetur njeri në vend. Ia kishte qejfi të shkonte, se e merrte malli edhe për gurët, si i thonë fjalës. Porse me gurët nuk shkëmben fjalë. Janë të heshtur. Po pate fatin t’i gjesh siç i le, pra po nuk patën përfunduar në themelet e ndonjë pallati abuziv, ose nën asfaltin e ndonjë rruge të papritur, çmallesh pak dhe flet me kujtimet. Përndryshe nëpër qytet lëviz si endacak, pa ndonjë objektiv të caktuar, pa njohur njeri, praktikisht i huaj ndër të huaj. Të vetmit që e morën në telefon ishin kushërinjtë nga jashtë shtetit. “Hë, si po ia kalon? Kë takove? Asnjë? Të thashë t’i kalonim pushimet në një vend tjetër…” “E di. Në këtë vetmi po rivlerësoj njerëzit e burrit… Merre me mend. Nejse, do të shkojmë të pimë një kafe tek një lokal i ri”.

Sa emigrantë i kalojnë pushimet kështu? Ndoshta asnjë, ndoshta vetëm dy familjet e mësipërme, ndoshta të gjithë në masë të ndryshme. Se pushimet u ikin të gjithëve fluturimthi, pa i ndjerë, ndërsa malli duket sikur shuhet për t’i zhuritur më shumë. Nuk i takojnë të gjithë njerëzit që duan dhe jo aq sa duan, ndërkohë që jeta vazhdon edhe për të afërmit në atdhe, të cilët kanë gjithashtu nevojë për pushime sepse punojnë gjatë vitit, ndaj duan të dalin nga rutina.

E si të mos i përfytyrosh dy familjet e mësipërme në lokalin fringo të ri e të freskuar nga ajri i kondicionuar? Pa ditur ta deshifrojnë ndjesinë e vetmisë, me një kafe përpara, e rrufitin ngadalë e mendojnë për kohët e dikurshme, kur shkulej i tërë fisi për t’i përshëndetur se vinin nga jashtë shtetit. Tashmë ishin larg kohët kur niseshin për qoka dhe i gjenin të gjithë nëpër shtëpi. Ftesa pa fund. Dreka, darka, kafe. Pyetje, kureshtje, mendime, diskutime, debate, plane. Dolli për të ardhmen e për të shkuarën.

Nga xhamat e lokalit qyteti u dukej i zbrazët, pak nga vapa e pak nga fytyrat e panjohura.

Advertisements
%d bloggers like this: