KAFJA PEZULL

filxhan kafejeShkrimtari italian me origjinë napolitane Luciano De Crescenzo tregon në librin e tij “Il caffè sospeso” – që mund të shqipërohet pak a shumë Kafja e pezullt – se napolitanët kanë një traditë të vjetër. “Kur një napolitan është i lumtur për një arsye çfarëdo, në vend që të paguajë vetëm një kafe, atë që do ta pijë ai, paguan dy kafe, një për vete e një për klientin që vjen më pas. Është sikur t’i ofrosh një kafe pjesës tjetër të botës…”.

Ky zakon i vjetër vijon të ndiqet në rrugët e ngushta e të zhurmshme të Napolit, ku aroma e kafesë përzihet me erën e qytetit, që nuk mund të shpjegohet me fjalë, por ka diçka nga deti e diçka nga kuzhina napolitane. Identiteti i këtij qyteti të mirënjohur nuk mund të përshkruhet pa ritin e kafesë, që tashmë ka hyrë në përmasat e mitit.

Megjithëse kam qenë në Napoli me dhjetëra herë, personalisht nuk më ka qëlluar ta dëgjoj shprehjen, por tregojnë se mes zhurmës së këndshme të filxhanëve që përplasen hareshëm mbi pjatat e vogla dhe ekspresët avullshfryrës, mes dialektit simpatik napolitan, dëgjohet herë pas here zëri i dikujt që paguan dy kafe dhe njërën e lë pezull.

Ta lësh kafen sospeso, sipas Giovanni Ruggiero (Avvenire, 10.12.2011), do të thotë se baristi do t’ia japë gjatë ditës dikujt që dëshiron ta pijë, por nuk ka mundësi ta paguajë. “Në Napoli ky gjest nuk ka qenë kurrë lëmoshë, por një shenjë e vogël solidariteti e mirëkuptimi ndaj një të panjohuri: ‘tjetri’, në të gjitha kuptimet, që do të kalojë pas pak në të njëjtin bar”. Tregon i njëjti autor se dikur kjo traditë ka qenë edhe më e përhapur dhe nëse në darkë tepronin “kafe pezull”, mëngjesin pasues baristi, kur hapte saraçineskën, vinte edhe tabelën me numrin e kafeve të mbetura. Ishin në dispozicion të të parëve që i kërkonin.

Cili është kuptimi i këtij gjesti? Është e lehtë ta kuptosh. Pas kafes lënë “pezull”, këtij gjesti të vogël por kuptimplotë, ekziston solidariteti. “Kafja e pezullt – thotë Ruggero – ishte dhe është gjest afërsie e bashkëndarjeje”. Me gjestin vjen edhe mesazhi. Në shkrimin “La logica del caffè sospeso” (Avvenire, 27 qershor 2013), Leonardo Becchetti e lidh këtë zakon të vjetër të napolitanëve me altruizmin. Sipas tij, qëndrimet pro-sociale kanë rëndësi të jashtëzakonshme në shoqëri. Kooperimi, dhurimi dhe altruizmi luajnë rol të rëndësishëm edhe në shoqëri si e jona ku mbizotëron egoizmi. Autori citon studimet sociale, sipas të cilave sjelljet pro-sociale, veçanërisht ato që nuk janë me interes, i përmbushin dëshirat e atyre që i bëjnë.

Nga ana tjetër, vetëm pak njerëz sillen në mënyrë të pastër si homo economicus, pra duke u bazuar vetëm tek interesi dritëshkurtër. Vetë altruizmi nuk është i një lloji të vetëm, meqë ka nga ata që bëjnë për të tjerët sepse presin diçka si këmbim, por ka edhe nga ata që e bëjnë pa asnjë lloj interesi, si p.sh. dhuruesit e gjakut. Këta nuk e njohin përfituesin final të gjestit të tyre, sikurse ka plot donatorë që nuk duan ta dinë se kujt i shkon dhurata e tyre. Becchetti bën mirë që na kujton se në jetën e njeriut marrëdhënia ka rol kyç. “Çdo gjest altruist ka si referim të drejtpërdrejtë e jo të drejtpërdrejtë fytyrën e një tjetri me të cilin duam të kemi marrëdhënie, duke ia njohur identitetin e nevojat”.

Kafja pezull napolitane është pa dyshim traditë e bukur, si gjest e si mesazh, në pamje të jashtme dhe për kuptimin e thellë që përmban. Ky zakon është aq interesant sa u ka tërhequr vëmendjen edhe vendeve të tjera. Në fakt, pagesa e kafesë pezull është eksperimentuar me sukses edhe nëpër Europë, si në Angli, Irlandë, Francë, Suedi, Bullgari… E ashtuquajtura Suspended Coffee, falë edhe internetit dhe rrjeteve sociale, është përhapur edhe në kontinente të tjera, si në Australi e në Kanada.

Siç kemi thënë diku tjetër, kafeneja në Shqipëri është vendi gjeometrik i shoqërisë, ndaj një zakon i tillë mund të importohej fare mirë. Është e vërtetë që traditat e zakonet nuk importohen, por krijohen me kalimin e kohës. Megjithatë, në Shqipëri, infrastruktura për këtë zakon ende të palindur ekziston, madje është e fuqishme, përderisa lokalet janë gjithnjë të mbushura plot. Sikurse nuk mungon dëshira për solidaritet e për ta ndihmuar tjetrin, megjithëse veprimi i egoizmit instiktiv e i konsumizmit të shfrenuar e ka inhibituar disi. Pastaj të gjithë e kuptojmë se nuk është çështja tek kafja si çmim, por tek mesazhi që qëndron pas saj.

Në lokalet e sotme shqiptare skenat më interesante e të konsumuara janë ato të pagesës, që shpesh arrijnë deri në humor të pastër. Po të bëjmë një kërkim në data bazën e kujtesës, do të gjejmë imazhe të shumta: njerëz që kruajnë xhepat, njerëz që i kërkojnë paratë me përtaci, njerëz që ta bllokojnë krahun, njerëz që i betohen kamerierit, njerëz që parapaguajnë kamerierin, njerëz që kanë të holla, njerëz që nuk e fusin kurrë dorën në xhep, njerëz që shtyhen për të paguar, njerëz që nxjerrin kartëmonedhën 5 mijë lekëshe për dy kafe, njerëz që kanë harruar portofolin, njerëz që paguajnë me radhë, njerëz që çojnë raki nga shtëpia për të mos paguar kafen, njerëz që paguajnë me kënaqësi, njerëz që paguajnë nga tryeza tjetër, njerëz që harrojnë të paguajnë…

Të gjitha rastet e mësipërme i bashkon fakti se paguajnë kafenë për dikë që kanë përballë, për dikë që e njohin. Kafja në Shqipëri i paguhet atij që ke ftuar, mikut, shoqes, të afërmit. Shumë shumë kolegut tek tryeza tjetër, ku po e pi kafen më një kushëri, krejt të panjohur për ty. Megjithatë, në këtë rast kafen ti ia ofrove kolegut, tjetri përfiton prej tij dhe nuk është destinatar i bujarisë tënde, veçse në mënyrë të reflektuar. Kafja e pezullt, përkundrazi, bazohet në një logjikë tjetër, sepse kafja i paguhet pikërisht personit që nuk njihet e që nuk është i pranishëm. Madje as ai që e pi kafen, nuk e di kush e qerasi. Mund të jetë shoku, i afërmi, komshiu, i panjohuri.

T’i japësh kafe dikujt që nuk e njohim nuk është kaq e thjeshtë. Sidomos për ata që janë mësuar me të kundërtën, pra me praninë e të qerasurit. Kjo prani siguron njohjen e dhurimit nga ana e përfituesit, qoftë me falënderime formale. Në rastin e kafes pezull, fjalën “Faleminderit”, personi nuk do ta dëgjojë kurrë, megjithëse ajo duket sikur jehon nga goja në gojë, nga rruga në rrugë, nga mendja në mendje, pikërisht sepse nuk është thënë e dëgjuar fizikisht.

Kur flitet për kafen “pezull”, pothuajse gjithnjë harrohet figura e kamerierit ose e baristit që bën kafen dhe mban llogarinë. Megjithëse konsiderohet si e dhënë normale, duhet të themi se pa rolin e kamerierit ose baristit, pra pa rolin e ndërmjetësit, zakoni i kafes pezull nuk do të ekzistonte. Në ritin e kafes, roli i kamerierit në Shqipëri është i rëndësishëm. Në vende të tjera, ose atje ku ka një farë vetëshërbimi, ai anashkalohet, sepse kafja pihet drejt e në banak, ose mbahet vetë deri sa vendoset mbi një tryezë çfarëdo. Megjithatë, roli i ndërmjetësit – që zakonisht lihet në hije – është i domosdoshëm, edhe pse aktorët kryesorë janë dhënësit e marrësit e kafes pezull. Tek e fundit, a nuk është kamerieri që e mban llogarinë e solidaritetit e të altruizmit?

Më duket sikur i dëgjoj fjalët e ndonjë bashkatdhetari: “Kafja e pezullt? Kamerieri ka për t’i futur paret në xhep, ose do t’i ndajë me pronarin”. Nuk përjashtohet, por as e kundërta. Një gjë është e sigurtë, kur do ta dëgjojë për herë të parë do të habitet e do të kërkojë shpjegime për funksionimin e kafes pezull. Pastaj mund të bëhet pjesë e procesit. Këtu luajnë rol të madh rrjetet sociale, që me tam-tam-in e vet mund ta përhapin brenda një dite nismën e një bari. E së bashku me të, mesazhin e aktit. Meqë ra fjala, a nuk janë kafenetë e lokalet pararendëset dhe konkurrentet më të forta të rrjeteve sociale?

 

Advertisements
%d bloggers like this: