CIFLAT E LAJMIT

espresso-i-nuovi-jihadistiAnaliza e gjatë, e botuar dje nga revista italiane Espresso (8 shtator 2014), me titull “I nuovi jihadisti vengono dal Kosovo. Le esecuzioni postate su Facebook” (Xhihadistët e rinj vijnë nga Kosova. Ekzekutimet e postuara në Facebook), me autor Paolo Fantauzzi, u tërhoqi vëmendjen edhe mediave shqiptare, edhe pse nuk pati reagime të shumta. Shkrimin e plotë e botoi në shqip “Shqiptarja“, por edhe gazeta të tjera e përmendën duke e cituar gjerësisht.

Le ta themi që në fillim se nuk kemi të bëjmë me një lajm të thjeshtë, por me një hulumtim të zgjeruar me dokumente fotografike e citime të ndryshme. Shkrimit i duhet dhënë rëndësi edhe për faktin se është botuar në një nga revistat më të rëndësishme në kuadrin e mediave italiane.

Nëntitulli përpiqet t’ia përmbledhë kuptimin shkrimit: “Qindra luftëtarë janë nisur për në Irak e Siri. Dhjetëra fundamentalistë të arrestuar. Gjashtëmbëdhjetë viktima të vërtetuara. Një kamikaz i hedhur në erë në Bagdad. E një lider i Isis që boton në rrjetet sociale prerjen e kokave. Gjashtë vjet pas pavarësisë, ish provinca e Serbisë po shfaqet si farkë terroristësh”. Temat e prekura nga hulumtimi i revistës janë të shumta. Shkrimi jep shembuj terroristësh në aksion, citon të dhëna për praninë e celulave, përmend botimet e terroristëve në shqip e në rrjetet sociale, sjell deklarata të Kfor-it, ofron informacione për penetrimin e terrorizmit në Ballkan e kështu me radhë.

Artikulli i Espresso-s e ka jehonën e vet, edhe sikur mediat shqiptare ta snobonin krejtësisht. Kështu që disa përsiatje janë të nevojshme, qoftë në trajtë komenti, meqë tema është tejet e nxehtë dhe analiza ka nevojë të kontekstualizohet.

Shkrimi i porsa cituar përmban edhe disa përfundime e gjykime që duhen marrë seriozisht, siç është pjesa ku shënohet se armiku i Kosovës tashmë ka ndryshuar dhe se feja islame, tradicionalisht tolerante e që bashkëjetonte me fetë e tjera, tani tregon anën e vet fundamentaliste.

Masakrat dhe bombat e Nato-s duken tashmë si një kujtim i vagët. Në republikën më të re të Europës, që u shpall në mënyrë të njëanshme e pavarur më 2008 (dhe e njohur menjëherë nga SHBA-të e pothuajse të gjitha vendet e BE-së), frontiera e re është radikalizmi islamik. E armiku i ri nuk janë më paraushtarakët serbë si në kohën e Uçk-së, por të pabesët. Kështu, në një rajon ku Islami, i mësuar të bashkëjetojë me fetë e tjera, ka treguar gjithnjë anën e tij më tolerante, pas njëzet vjetësh nga lufta që çoi në shpërbërjen e mozaikut etnik të ndërtuar nga Tito, fundamentalizmi tregon se i ka lëshuar thellë rrënjët e tij.

Autori i shkrimit beson se autoritet e Kosovës e minimizojnë fenomenin e xhihadistëve:

Autoritet e Prishtinës përpiqen të minimizojnë: sipas qeverisë vullnetarët e nisur janë vetëm 43. Vështirë ta besosh statistikisht, duke pasur parasysh se viktimat e vërtetuara janë deri tani 16″. Sipas gazetarit italian, xhihadistët që janë nisur për në Siri e Irak nuk rrezikojnë kur të kthehen në atdhe, sepse Kosova nuk e ka ende ligjin për dënimin e rekrutuesve të terroristëve.

xhamite e financuara-karikatura-EspressoPërfundime shqetësuese jepen edhe për Ballkanin, përfshirë Shqipërinë. Përveç thënies shpuese të Çërçillit, se “Ballkani prodhon histori më shumë se sa mund të konsumojë”, autori i kujton lexuesit se xhihadistë janë identifikuar në Shqipëri, Serbi, Bosnjë. Në artikull flitet edhe pvr penetrimin e heshtur saudit nëpërmjet ojq-ve dhe ndërtimit të xhamive të reja me synimin e predikimit të islamit radikal. Karikatura e botuar flet më shumë se fjalët.

Që dukuria për të cilën flet revista italiane është e vërtetë, pra që ka shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, sikundër qytetarë nga vende të tjera ballkanike, që nisen për të luftuar në Siri e Irak, nuk ka shumë dyshime. Edhe shembujt që jepen janë të dokumentuar. Këtë e pranojnë autoritetet përkatëse dhe e tregojnë mediat vendore e ndërkombëtare, të cilat janë marrë prej kohësh me problemin. Megjithatë shkrimi përcjell një frymë absolutizmi e alarmizmi që ka nevojë për t’u ripërmasuar. Vetë titulli është shumë i fortë, sepse të jep përshtypjen sikur të gjithë xhihadistët e rinj vijnë nga Kosova, ndërkohë që më poshtë shpjegohet se vijnë edhe nga vende të tjera. Kundërshtia është e dukshme. Fenomeni i trajtuar është tejet serioz dhe seriozisht duhet të merret nga të gjithë, si nga autoritetet shtetërore ashtu edhe nga opinioni publik, megjithatë përshkrimi i tij sensacional ka nevojë të jepet në kontekst. Pra duhet të shqetësohemi e të marrim masa, pa rënë në alarmizëm.

Nuk duhet harruar se xhihadistët e rinj vijnë edhe nga vendet perëndimore, qytetarë me të drejta të plota e me pasaporta vendase. Zakonisht flitet për imigrantë të brezit të dytë, ndonjëherë me probleme të pazgjidhura identitare, ose me integrim të munguar, që përqafojnë kauzën e xhihadit dhe rrokin armët për luftë. Gjithsesi, nuk është dukuri që prek ekskluzivisht Kosovën e Shqipërinë, edhe pse janë vende me besimtarë myslimanë.

Historikisht, sa herë që ndodhin luftëra të tilla, që kanë edhe jehonë mediatike, ka gjithnjë vullnetarë e mercenarë që nisen për arsye të ndryshme për të luftuar në favor të njërës ose tjetrës kauzë. Përtej ideologjive dhe problemeve personale, lufta është edhe ekonomi e biznes, ndaj nuk mund të shihet jashtë qëllimeve ekonomike e politike. Megjithatë, duhet parë edhe konteksti social dhe indi shoqëror. Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, nuk mund të mohohet se është kultura laike ajo që predominon, çka do të thotë se përgjithësimet për xhihadistët e rinj që tashmë vijnë nga ato troje tingëllojnë të tepruara.

Ka ekspertë që mendojnë se ekziston edhe rreziku i emulacionit. Ekspozimi i gjatë dhe intensiv me imazhe e video rrezikon t’i çorientojë individët e lëkundur. Rrjetet sociale dhe interneti me fuqinë e tyre i amplifikojnë edhe më shumë mesazhet që vijnë nga luftimet në Siri e Irak. Pra duhet bërë kujdes edhe në dhënien e lajmeve dhe mesazheve që flasin për xhihadistët.

Lajmet për xhihadistët e rinj shqiptarë rrezikojnë ta dëmtojnë imazhin e vendeve si Kosova e Shqipëria. Ndonëse me karakteristika të ndryshme, janë dy vende që i kanë hyrë me vullnet e dëshirë rrugës së integrimit në Europë e në institucionet perëndimore. Edhe pse xhihadistët shqiptarë ekzistojnë, edhe pse ka pasur infiltrime, kjo nuk do të thotë se kemi të bëjmë me fabrika terroristësh në seri. Si institucionet, ashtu edhe kultura mbizotëruese, janë larg mendësisë që krijon kushtet ideale për terroristët. Edhe angazhimi për luftën e ashpër ndaj tyre ka qenë maksimal, ndërkohë që opinioni publik, përfshirë komunitetin mysliman, nuk i ka mbështetur asnjëherë.

Megjithatë si Kosova ashtu edhe Shqipëria janë tashmë vende të hapura ndaj botës. Shkëmbimet janë në rend të ditës e as që mund të mendohet e kundërta. Kjo do të thotë se ka të huaj që vijnë nga jashtë, por ka edhe shqiptarë që shkojnë jashtë shtetit. Situatën aktuale të Kosovës nuk e njoh mirë, por gjatë marsit të këtij viti, kur u arrestua një celulë terroriste në Tiranë, u fol për rrezikun e radikalizmit të importuar nëpërmjet studentëve shqiptarë që shkojnë e indoktrinohen jashtë shtetit, për t’u kthyer në vendlindje të riformatuar mendërisht. Në fakt, jo vetëm myslimanizmi shqiptar tradicionalisht i moderuar, por edhe bashkëjetesa midis feve ka qenë shenja dalluese kombëtare.

Pa dashur të biem në grackën e komplotizmit, duhet të kujtojmë kontekstin aktual. Nuk jemi vetëm në vigjilje të vizitës historike të Papës Françesku në Tiranë, i cili vjen shprehimisht për të vlerësuar bashkëjetesën ndërfetare, por edhe në një pikë të rëndësishme të ndërtimit të shoqërisë pluraliste e të rrugëtimit tonë drejt integrimit në Europë. Nuk mund të harrojmë së fundi polemikat helmuese që synojnë zhdoganimin e dasive fetare dhe krahinore. Ka gjithnjë nga ata që e ndezin dhe ka nga ata që i fryjnë zjarrit. Përsa i përket Kosovës, ajo bëhet pikë e ndjeshme e vëmendjes ndërkombëtare edhe për faktin se tashmë tensionet autonomiste marrin shpeshherë pamje tragjike, siç po ndodh kohët e fundit në Ukrainë. Pa dyshim ekziston gjithashtu rreziku i instrumentalizimit për arsye të tjera.

Pa e minimizuar çështjen, pa e nënvleftësuar, por duke shmangur alarmizmin teprues, institucioneve të Kosovës e të Shqipërisë, por edhe opinioneve publike përkatëse, u kërkohet angazhimi maksimal për t’i luftuar fenomenet negative të radikalizmit fetar, duke filluar nga njohja e tyre, shkaqet e dinamikat, por mbi të gjitha nëpërmjet nxjerrjes në pah dhe kultivimit të kulturës tradicionale pluraliste që bazohet në respektin ndaj Tjetrit në tërë ndryshmërinë e tij. Nga ana tjetër, përfshirë mediat e huaja, kërkohet një pasqyrim objektiv e i nyjëtuar i situatës shqiptare, si i vetmi kontribut real që mund t’i jepet paqes e bashkëjetesës shoqërore.

—————————–

Botuar fillimisht në Peizazhe të Fjalës, datë 9 shtator 2014

Advertisements
%d bloggers like this: