GJILPËRA E PESHORES

peshorjaKur bëhen bilance politike, ditët dhe përvjetorët i numërohen zakonisht qeverisë, të cilës i bëhen bilancet e arritjeve ose të mosrealizimeve. Në ligjërimin publik shqiptar, siç mund të pritej, u debatua shumë për 300 ditët e Qeverisë Rama. Një palë foli për arritje, tjetra për dështime. Ajo çka nuk pritej ishte bilanci që iu bë një force të tretë.

Pavarësisht nga mendimet e shprehura në shkrimin “300 ditët e Ilir Metës”, botuar në dy gazeta njëkohësisht (Balkanweb e Mapo), del qartë që në titull rëndësia e forcës politike LSI me në krye Kryetarin e Kuvendit. Nuk është rastësi që bilanci iu bë si qeverisë, ashtu edhe liderit të partisë më të vogël në aleancën qeveritare.

Që Lëvizja Socialiste për Integrim ka rëndësi jetike për qeverinë shqiptare e dinë të gjithë, por çka nuk po thellohet sa duhet, është pikërisht roli i kësaj partie dhe pesha specifike në politikën shqiptare. Në shkrimin e lartcituar shpjegohet se roli i Metës ka qenë kryesisht si mediator, duke ndërmjetësuar mes së majtës e së djathtës, e duke i ndenjur larg përplasjeve të ashpra politike midis dy partive madhore.

300 ditë më pas, ai i ka qëndruar në përgjithësi rolit prej mediatori mes së majtës dhe të djathtës, edhe pse Parlamenti shqiptar vazhdon të gjenerojë një gjendje të përhershme lufte. I vendosur në një pozicion të qëndrueshëm, si njëra këmbë e mazhorancës, që nuk i duhet të mbajë shumë përgjegjësi formale mbi shpatulla, Meta ka preferuar t’i qëndrojë larg përplasjeve të prodhuara nga aksionet e Ramës. Edhe pse deri më tash, i ka ofruar mbështetje publike dhe faktike, politikisht të pakushtëzuara për të gjitha lëvizjet e tij. (“300 ditët e Ilir Metës”, Mapo, 12.7.2014).

Po të përdornim një metaforë, do të thoshim se Meta nuk futet drejtpërdrejt në ring, ku rrihen pa mëshirë dy kundërshtarët historikë; ai e shikon ndeshjen disi nga larg edhe pse mban anën e njërit prej rivalëve në shesh. Mirëpo, imazhi skenografik që sapo dhamë nuk na e sqaron mirë situatën. Ç’bën ndërkohë LSI-ja, ndërsa tifozët përreth bërtasin e brohorasin me mendjen e sytë tek ringu? Natyrisht nuk rri duarkryq.

Në radhë të parë, LSI-ja dhe lidershipi i saj japin imazhin e një force politike të përgjegjshme, e cila nuk humbet kohë me përplasje, inate e rivalitete pa bereqet, që vetëm sa e rrisin temperaturën politike në vend. Duket sikur LSI-ja e ka kuptuar shpejt e shpejt, pa humbur kohë, se fushata elektorale ka përfunduar dhe tani është koha e administrimit të pushtetit dhe i zbatimit të programeve politike.

Imazhit të përgjegjshmërisë i shtohet edhe aftësia politike e LSI-së dhe e drejtuesve të saj për të krijuar besim tek qytetarët. Vëmendja gati maniakale që i kushtohet elektoratit dhe politikës së kuadrit perceptohet si vlerë e shtuar e kësaj force politike, në ndryshim me simotrat që harrohen shpeshherë në betejat pothuajse ideologjike që ndërmarrin mes tyre. Këto beteja kërkojnë energji të pashoqe dhe i sfilitin kundërshtarët në fushë, duke harruar shpeshherë jo vetëm zgjedhësit, por edhe objektivin final të politikës.

Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se LSI-ja në legjislaturën e kaluar ishte aleate me PD-në e Berishës, çka do të thotë se dashur pa dashur përbën vijimësinë e pushtetit. Kjo karakteristikë bën që në këtë moment tranzicioni LSI-ja të shikohet me interes e si pikë referimi, edhe nga ata që i përkasin krahut tjetër, që tani është në opozitë.

Sipas gjasës, edhe roli institucional i liderit të LSI-së, në krye të Parlamentit shqiptar, e ndihmon brenda e jashtë kufijve të vendit, të përçojë e të ushtrojë deri në një farë pike rolin super partes. Këtu ndihmohet në mënyrë të pavetëdijshme nga trashëgimia politike, meqë pararendësja e tij u dallua për veprimtarinë e njëanshme dhe ndarëse, që jo rrallë çonte në përplasje e aspak në kompromise. Mirëpo posti i Kryetarit të Kuvendit i ngjason në disa pika Presidentit, sepse shpreh tërësinë e deputetëve dhe përfaqëson Kuvendin, çka merr rëndësi të posaçme në një republikë parlamentare si e jona.

Duket sikur kjo forcë politike ka hyrë në unison me një pjesë të madhe të elektoratit shqiptar që e konsideron të perënduar tashmë periudhën e pasioneve të forta politike dhe e sheh politikën me mjaft pragmatizëm. Ky aspekt i psikologjisë kolektive shqiptare nuk është i dorës së dytë, sepse ka mundësi t’ia rrisë peshën politike LSI-së.

Po t’i bashkojmë të gjitha pikat e profilit që po krijon LSI-ja dhe po ta ndjekim me kujdes rolin që po merr në politikën shqiptare duket qartë se po kthehet tashmë në një forcë politike të moderuar e ndërmjetësuese. Me fjalë të tjera po shndërrohet në gjilpërën e peshores politike. E ardhmja mund të jetë edhe më premtuese, sepse ndonjëherë peshorja nuk gjë tjetër veçse gjilpëra treguese.

Kush duhet t’ia ketë frikën LSI-së? Të gjitha forcat politike, sepse të gjitha mund të preken nga erozioni elektoral, por më shumë duhet t’i druhet aleatja e saj, pra Partia Socialiste. Kjo e fundit rrezikon që nesër ose pasnesër gjilpëra të kalojë nga ana tjetër, pra që të bëhen aleanca alternative, sikurse rrezikon që shumë mbështetës të saj, që për arsye të ndryshme mbeten të zhgënjyer, t’i kthejnë sytë nga forca aleate, që aktualisht paraqitet modeste në përfaqësim.

Në qoftë se politika është një orë e madhe, ne sapo u orvatëm t’ia lexojmë akrepat me një shikim të shpejtë. Pra pamë sipërfaqen e saj. Kjo s’do të thotë se mekanizmat brenda orës, ingranazhet, vidhat, urat, zemreku, rrotëzat, boshtet, nuk mund të tregojnë gjëra edhe më interesante e domethënëse se dy akrepat në fushën e bardhë. Aq më tepër që tani orët prodhohen gjithnjë e më të sofistikuara, përderisa kanë disa tregues në fushë, shënojnë pra jo vetëm sekondat e datën, por deri thellësinë e trysninë e ujit.

 

Advertisements
%d bloggers like this: