SHKRONJA NË UDHËKRYQ

Në shkrimin Udha e shkronjës “ë”, kur përfytyruam me nota humoristike historinë e saj, lamë jashtë e nuk u thelluam në disa aspekte që kanë nevojë të nënvizohen më tej, edhe pse i kemi trajtuar herë pas here këtu në blog.

Përderisa shkronja ë vazhdon të snobohet, kjo do të thotë se argumentet funksionaliste nuk i kanë bindur shqipshkruesit. Shembujt e kundërvënies e/ë brenda sistemit të shqipes, që jepte Xhaxhai pak kohë më parë, tregojnë se dy shkronjat, pavarësisht nga ngjashmëritë, kanë role të ndryshme në gjuhë. Në rast se këto role ngatërrohen, atëhere kemi rritje të konfuzionit në shqip.

Siç dihet, shkronja ë, për efekt shpejtësie, nuk përdoret me disa mjete teknologjike, sidomos kur jemi duke përdorur kanale informale të komunikimit. Kështu, kur shkruajmë një sms, e kemi realisht të vështirë ta fusim shkronjën ë. Për arsye mungese në tastierë, por edhe për kohën që kërkon gjetja e ë-së. Më e thjeshtë paraqitet situata në tastierën e kompjuterit, sepse përfshirja e shkronjës sonë kërkon më pak kohë dhe mundim. Megjithatë, kur shkruajmë në chat, për shembull, nuk është se e përdorim, ngaqë vetë konteksti lyp shpejtësi në shtypjen e shkronjave.

Vetëm disa ditë më parë i shkrova një sms me celular një kolegut tim, i cili më kërkonte në telefon, por unë nuk i përgjigjesha dot në atë çast. Teksti i mesazhit ishte pak a shumë ky: “Me sherbim jashte. Ne veri. Pune pune. Me merr me vone, me co email, ose do te te tel une”. Pasi e dërgova me shpejtësi, i rihodha një sy më të vëmendshëm. Mesazhi është i qartë, por kërkon lodhje suplementare për t’u dekodifikuar, pikërisht se mungon ë-ja dhe ç-ja. Asgjë e jashtëzakonshme, por një farë pengese lexuesi e has. Përveç shkurtimeve të kushtëzuar nga shpejtësia dhe mjeti, kemi mungesën e dy shkronjave që e ngadalësojnë kuptimin e tekstit.

Por ka edhe ndërlikime semantike. Pikërisht në mesazhin e mësipërm (e kapa krejt rastësisht) është një pjesë që kolegu im mund ta ketë keqkuptuar, për faj të mungesës së ë-së. Në fakt, fjalët “Pune pune” mund të interpretohen në dy mënyra: “Punë pune” çka do të thotë se jam me shërbim për çështje të punës, ose “Punë punë”, çka do të thotë se plasa duke punuar, pra kam shumë punë për të bërë. Unë desha të komunikoj rastin e parë, por nuk e përjashtoj që marrësi i mesazhit të ketë kuptuar të dytën, në rast se nuk e ka marrë si përsëritje në shtypje të sms-së. Edhe tek përsëritja e mërzitshme e fjalës me, mund të thuhet diçka e ngjashme, meqë kërkon zbërthim të vazhdueshëm për të mos e ngatërruar me fjalën tjetër , që ka rol e kuptim tjetër.

Që teksti me të gjitha shkronjat e alfabetit ka lexueshmëri më të rrjedhshme, pra rezulton më i përdorueshëm edhe nga pikëpamja funksionale, vërtetohet kur e rilexojmë të plotë sipas drejtshkrimit. “Me shërbim jashtë. Në veri. Punë pune. Më merr më vonë, më ço email, ose do të të tel unë”.

Me këto shtrembërime të alfabetit emigrantët janë mësuar prej kohësh, madje edhe në dokumentet zyrtare. Në Itali mungojnë rregullisht shkronjat ë dhe ç, ndërkohë që situata rëndohet nga fakti se italianët nuk janë shquar ndonjëherë në shqiptimin e emrave të huaj. Kështu, të afërmit tim me emër Çaush, ia kanë shkruar në dokumente Caush, si rrjedhim e thërrasin rregullisht Kaush, me K dhe jo me Ç, duke ia shtrembëruar emrin. E njëjta gjë i ndodh edhe kolegut me mbiemrin Çali, të cilin në Itali ia shqiptojnë emrin Kali, meqë në dokumente ç-ja mungon. Mund të thuhet e njëjta gjë për mungesën e shkronjës ë, pavarësisht se veshi na e duron më shumë.

Ajo që është nënvizuar më pak, përveç anës funksionale (natyrisht më të rëndësishme), është çështja estetike. Le ta themi se tekstet pa ë janë të shëmtuara, të paktën kështu më duken mua personalisht. E kuptoj që aspektet janë të lidhura bashkë, sikurse e kuptoj që ata shqiptarë që nuk e përdorin shumë ë-në dhe nuk janë ekspozuar në kohë ndaj saj, nuk i kanë antenat e duhura për të kapur deformimin estetik të tekstit. Megjithatë nuk mund të mohohet se teksti konsumohet edhe në nivel estetik.

Përdorimi i ë-së në ueb, sidomos në komunikimet ndërpersonale, nuk është i përhapur. Madje përdorimi i ë-së dhe i ç-së në mesazhe e-mail ose sms mund të përshenjojë regjistër tjetër komunikues. Për shembull, kohë më parë një mik, me të cilin nuk lidhesha prej kohësh, më dërgoi një e-mail të gjatë ku ë-ja ishte vendosur saktësisht e pa asnjë përjashtim. Ishte e qartë që mesazhin e kishte shkruar fillimisht me program të specializuar për shkrimin dhe më pas e kishte ngjitur në postën elektronike. Nga një anë m’u bë qejfi kur e pashë tekstin e bukur, nga tjetra nuk e di pse m’u duk pak formal e disi i largët, edhe pse e perceptova si shenjë respekti.

Drejtshkrimi nuk është vetëm tërësi rregullash disiplinore, por komunikon diçka më shumë, pikërisht falë respektimit të tyre.

Së fundi, dy shkronjat e persekutuara gjenden në një udhëkryq të trafikuar, ku kalon gjithashtu funksionalizmi, estetika, drejtshkrimi, por edhe teknologjia. Në këtë pikë duhet thënë se ë-ja dhe ç-ja na tregojnë me mungesën e tyre diçka më shumë nga raporti që kemi me mjetet teknologjike. Nuk është rastësi që ne shqiptarët duam t’ia përshtatim alfabetin tastierës dhe jo tastierën alfabetit. Çështja është shumë më e madhe se ajo drejtshkrimore. Por në rast se persekutimi që i bëhet dy shkronjave të mësipërme, do të na vlejë për t’i bërë vetes pyetje serioze për gjuhën, por edhe për përdorimin dhe konceptimin e teknologjisë në kulturën tonë, atëherë edhe sakrifica e tyre e përkohshme do të jetë më pak e dhimbshme.

Advertisements
%d bloggers like this: