SELFIE-MANIA

selfie-homerNë mars të këtij viti, revista “Time” zhvilloi një kërkim për të gjetur vendet ku bëheshin më shumë selfie. Në listën e gjatë prej 100 qytetesh, Shqipëria nuk figuronte as me Tiranën. Në vend të parë, për nga shkrepja e vetëfotografive, ishte Makati City në Manila të Filipineve, pastaj vijonte Manhatani i Nju Jorkut, e kështu me radhë. Sipas revistës së njohur, Milano zinte vendin e tetë, kurse vendin e fundit të njëqindëshes e zinte Nica e Francës.

 

Pavarësisht nga rezultatet dhe metodologjinë e ndjekur, klasifikime të tilla e kanë kohën e shkurtër, sepse situatat ndryshojnë shpejt. Fakti që është studiuar instagrami tregon se janë marrë parasysh vetëm ata që e botojnë foton, ndërkohë që edhe në Shqipëri bëhen shumë selfie, por vështirësitë e internetit njihen, sikurse dihet se jo të gjitha fotografitë përfundojnë në një mjedis të vetëm virtual.

Nuk është e vështirë ta pranojmë se në botë, gjithashtu në vendin tonë, fenomeni selfie po shtrihet dita ditës. Njëkohësisht, e nuk mund të ndodhte ndryshe, janë shtuar kritikët e kësaj mënyre të “vetëshkrepjes”. Më poshtë, me një përmbledhje subjektive, po japim disa nga interpretimet e kritikat më të shpeshta që i bëhet këtij fenomeni social.

Bëj selfie, ergo sum. Akti i vetëfotografimit tregon nevojën e subjektit për t’i treguar botës se ekziston dhe çfarë po bën në atë çast.

Narcisizëm postmodern. Selfie ka një aspekt vetëkënaqësie, që realizohet në momentin kur fotografia shikohet nga vetë individi dhe botohet në hapësirën virtuale, e cila merr pamjen e një pasqyre gjigante. Kështu rrjetet sociale nuk janë gjë tjetër veçse pasqyra autoreferenciale kur njerëzit më shumë shikohen se sa shikojnë.

Individualizëm i pafre. Fakti që të gjithë fotografohen e postohen, tregon se gara kolektive nuk ka në qendër tjetrin, por veten. Individi e shikon veten si qendër të garës fotografike e përpiqet të zërë vendin e parë si në numër ashtu edhe në estetikë.

Përjetësim identitar. Në epokën e shoqërisë së lëngshme, dëshira për ta fiksuar identitetin bëhet imperative, edhe nëpërmjet selfie-it, që shndërrohet në simbol të orvatjes për ta fiksuar një herë e mirë identitetin, sidomos në këtë periudhë frike e pasigurie sociale.

Vështrim i tjetrit. Ata që bëjnë selfie janë gjithnjë në kërkim të vështrimit të tjetrit, në përpjekje për t’ia tërhequr vëmendjen. Autorët e selfie-t kërkojnë konfirmim të vazhdueshëm të imazhit të vetes tek të tjerët, me fjalë të tjera kërkojnë njohjen e tyre në mjedisin virtual.

Sukses i domosdoshëm. Selfie është rrjedhojë e kërkimit të përhershëm të suksesit, si objektiv i kulturës që e kërkon vetëm tek bukuria dhe pasuria materiale.

Vetëvlerësim përtokë. Duket se dukuria selfie ka ndikuar në rritjen e mungesës së vetëvlerësimit. Kësaj patologjie American Psychological Association i ka vënë emrin “Selfitis”. Nuk është rastësi që vitet e fundit janë rritur shumë operacionet plastike, sidomos ato që kanë të bëjnë me fytyrën (rinoplastikë, lifting, etj.).

Ekzibicionizëm në kub. Mediat moderne dhe rrjetet sociale e kanë kthyer shoqërinë e sotme në një skenë të stërmadhe, ku të gjithë janë aktorë e spektatorë njëkohësisht, ku dallohen ata që duan të duken më shumë.

Ka edhe interpretime të tjera më fine, por duhen kërkuar në raftet e rënda të lëndëve si sociologjia e psikologjia. Ndërkohë mediat kanë filluar t’i fryjnë zjarrit apokaliptik, duke i tejkaluar kufijtë e interpretimit. Kështu mund të shihet lajmi për gruan në Misuri të Amerikës që mbeti pajetë në aksident automobilistik, vetëm pak çaste pasi kishte shkrepur një selfie me shoqen e vet. Përshoqërimi mediatik në këtë rast ishte i tepruar, por nuk mund të mohohet se akte të tilla janë të rrezikshme nëse bëhen gjatë drejtimit të automjetit, njëlloj siç është e rrezikshme të shkruash një sms me timon në dorë.

Megjithatë nuk mungojnë lajme komike si ajo e pleqve që bënë fotografi me celular, ende pa dalë nga makina e përmbysur. Tragjikomike njoftimet për të rinjtë që “vetëshkrepen” edhe në raste funeralesh (funeral selfie). Interesante viktima e fundit e selfie-it, ose më mirë e projeksionit të gjestit në shoqërinë e sotme. Një monument historik në Kazakistan u hoq me nxitim pasi vendasit i shikonin intelektualët e statujës si dy persona që pozonin për të bërë “selfie”. Lajmin e dhanë edhe mediat e Tiranës, çka më kujtoi interpretimin që i jepnim dy statujave, të Leninit e të Stalinit përballë njërit tjetrit, që “hijeshonin” dikur bulevardin totalitar “Dëshmorët e Kombit”.

Që kemi të bëjmë me një dukuri globale nuk ka më asnjë dyshim. Edhe Shqipëria ka hyrë në rrjedhën e botës, ashtu edhe të selfie-t, edhe pse ende nuk rezulton në klasifikimet përkatëse. Interpretimet e mësipërme janë të vërteta, por nënvizojnë kryesisht aspektet patologjike të dukurisë; nuk besoj se dukuria duhet anatemuar pa vëzhguar edhe disa aspekte normale, siç është dëshira për të rrëfyer. Selfie bëjnë pothuajse të gjithë, përfshirë Obamën e Papën, por motivimet janë të ndryshme. Siç dihet, mjetet e reja mundësojnë gjuhë të tjera, që i shërbejnë dëshirës së përhershme për të treguar, ku dallohen edhe zonat e errëta që u përmendën më sipër.

Advertisements
%d bloggers like this: