NJERIU–CELULAR

celulare_duarAndej nga fillimi i viteve dymijë, në një revistë shkencore shqiptare, pata botuar një sprovë me titull “Shqiptarët dhe celulari”, ku përpiqesha të hidhja dritë mbi disa dinamika moderne të përdorimit të celularit në shoqërinë shqiptare. Ishin vitet e boom-it të celularëve në Shqipëri, që përkonin gjithashtu me tërmete të tjera sociale, siç ishin për shembull lëvizjet e popullsisë. Kohë të tjera nga disa pikëpamje, por edhe të njëjta nga të tjera.

Një nga nënkapitujt e sprovës titullohej kështu: “Njeri-celular apo njeri me celular?”. Sikurse studiues të tjerë, vija re se ardhja e celularit në jetën tonë kishte krijuar një entitet të ri në shoqëri: një hibrid, njeri me celular, madje, njeri-celular. Ky konstatim bazohej nga një anë tek vëzhgimi i njohur se mjetet teknologjike janë shpeshherë shtojca shqisore të njeriut; nga ana tjetër tendenca shihej qartë tek dëshira e pakufishme e subjektit të ri i cili, nëpërmjet hiperndjenjave të veta teknologjike, donte ta bënte realitet ëndrrën utopike të lirisë komunikative pa kufi. Kjo ëndërr universale, gjente në Shqipëri një shtytje të posaçme, ngaqë shqiptarët ishin rritur prej kohësh në serrën komunikative të kontrolluar nga regjimi totalitar.

Celulari i njeriut celular është pjesë e tij, është organ (ekstra)shqisor, që personalizohet siç bëhet me lëkurën me tatuazh, për t’i dhënë vetvetes identitet, individualitet, kuptim. Që celulari është tashmë pjesë trupi e vërteton edhe ndjesia e mangësisë që rëndon përdoruesit e celularit kur dalin nga shtëpia pa të. Celularët inteligjentë janë sot jo vetëm kujtesa jonë, por përfshijnë edhe shqisa të tjera që, siç dihet, nuk mund të zëvendësoheshin nga celularët e brezit të vjetër. Tani, me celular, mund edhe të shikohemi ndërsa flasim e mund të fotografojmë e të bëjmë selfie.

Për njeriun që po shndërrohet në cyborg është folur shumë. Letërsia e kinematografia e kanë prekur prej kohësh. Mjafton të kujtojmë dy filma të njohur si Robocop – historia e një polici që pasi i mbijeton një atentati shndërrohet në cyborg, pra në organizëm kibernetik, bionik – ose filmin I, Robot – ku protagonisti i interpretuar nga aktori Will Smith është cyborg, në luftë kundër robotëve që nuk duan t’i respektojnë ligjet e robotikës të shkruara nga i madhi Isaac Asimov.

Është e vërtetë që sot celulari na paraqitet më shumë si protezë mendore e fizike. Por kjo ndoshta është vetëm çështje kohe, për të kaluar në një fazë të përjetjme. Ka shumë filma që flasin për mjete komunikuese që punojnë brenda në trup. Hidhini një sy filmit Total Recall (2012) ku videocelularët shfaqen nën lëkurë. Për ta nxjerrë, praktikisht duhet derdhur gjak. Kush na siguron se nuk kanë filluar që tani eksperimente në këtë drejtim? Tek e fundit, shumë kafshëve ua ngulin mikro-chip-in në trup, për t’i ndjekur në shtegtimet e tyre.

Fantashkencës ia ka kaluar tashmë jurisprudenca, por më mirë duhet thënë se realiteti ua kalon të gjithave. Mësoj nga shtypi italian, por e verifikova edhe në shtypin amerikan e botëror, se në datën 25 qershor 2014, Gjykata e Lartë amerikane, me një vendim të posaçëm në lëmin e privatësisë digjitale – lidhur me rastin e disa të arrestuarve që u ishin kontrolluar menjëherë celularët sanksionoi se forcat e rendit nuk mund t’i kontrollojnë informacionet që përmban celulari pa mandat gjyqësor. Kjo për arsye se nuk kemi të bëjmë me telefona të thjeshtë, por me aparatura që kanë brenda një sërë informacionesh për individin.

Të gjithë e dimë se po ta humbasim smartphone-n personal rrezikojmë postën elektronike, faqet në internet, rrjetet sociale, sms-të, rubrikën, etj. praktikisht të gjithë identitetin dhe marrëdhëniet sociale që kemi. Nga celularët e brezit të fundit mund të na gjejnë çdo gjë që na përket: vendbanimin, lidhjet familjare, shoqërore, afektive, të punës, por edhe gjendjen ekonomike, idetë politike, bindjet fetare, etj. Aspekti më i rëndësishëm i vendimit të Gjykatës amerikane është se celulari konsiderohet në një farë mënyre pjesë e trupit tonë, pra pjesë e ngushtë e privatësisë.

Zhvillimet e fundit, përveçse në lëmin teknologjik edhe në atë juridik, duket se i kanë dhënë përgjigje pyetjes sime të kahershme: “Njeri-celular apo njeri me celular?” .

 

 

Advertisements
%d bloggers like this: