Shqipëri: 1943 – 1945

Lufta e Dytë botërore na vjen shpeshherë si jehonë e largët dhe ndonjëherë si periudhë tashmë e zbardhur historikisht. Kjo bën që shqisat e kureshtjes sonë të jenë disi të mpita. E megjithatë, kemi të bëjmë me një nga periudhat më interesante të historisë shqiptare, ku u ndërthurën në mënyra të ndryshme tre diktatura: fashizmi, nazizmi dhe komunizmi. Faqe pa dyshim tragjike të historisë shqiptare. Rreziku që kujtesa jonë për ato vite të komprometohet nuk është imagjinar; e do të ishte gjysma e së keqes sikur dëmi të ishte vetëm me karakter historik, po të kemi parasysh se nga ajo luftë varen shumë nga vlerat e shoqërisë së sotme, duke filluar nga demokracia dhe liria.

Periudha 1943 – 1945 në Shqipëri është me shumë interes për historianët dhe publikun, çka doli në pah nga kumtesat e konferencës “1943 – 1945: Italia, Albania. Memorie, scritture, immagini, canti della Resistenza”, promovuar në Romë nga shoqata italo-shqiptare Occhio Blu.

Shumë aspekte të Luftës së Dytë botërore në Shqipëri na vijnë ende të filtruara ideologjikisht, pavarësisht se tashmë ka kaluar një farë kohe nga mënyra se si e lexonte atë periudhë historia zyrtare e regjimit enverist. E kam fjalën kryesisht nga pikëpamja metodologjike, për sa kohë edhe sot historinë e shikojmë si të dhënë një herë e përgjithmonë, ose si të ndarë me thikë, ose si pamje bardhezi, pa asnjë nuancë të ndërmjetme. Ndërkohë që historia, siç e dimë, është gjithnjë e komplikuar, sidomos në raste luftërash.

Në kumtesën e vet, prof. Roberto Morozzo Della Rocca, historian i mirënjohur, risolli në vëmendjen e publikut disa elemente interesante të Luftës së Dytë botërore. Sipas studiuesit italian, viti 1943 ishte vit kthese në historinë e rajonit. Viti i kapitullimit erdhi pasi shqiptarët e kishin humbur besimin tek Italia fashiste dhe tek premtimet e saj, pavarësisht projektit të bashkimit të trojeve shqiptare. Rënia e besimit u përforcua sidomos pas fushatës kundër Greqisë. Viti 1943, shënoi natyrisht edhe ardhjen e nazistëve në Shqipëri.

Ka disa aspekte të njohura, por që nuk përmenden sa duhet kur flitet për atë periudhë kohore. Morozzo Della Rocca nënvizoi faktin se gjermanët në Shqipëri, ndryshe nga italianët, kishin vetëm arsye strategjiko-ushtarake. Me fjalë më të thjeshta, gjermanët në Shqipëri ndërhynë vetëm që të siguronin ndërlidhjen dhe transportin me trupat në Greqi. Nga ana tjetër, gjermanët gëzonin një farë virgjërie pozitive në marrëdhëniet me shqiptarët, sepse nuk kishin precedentë negativë. Gjithsesi, dëshira ishte që shqiptarët të trajtoheshin më mirë seç bënë italianët nga pushtimi deri në kapitullim. Kjo edhe për arsye gjeostrategjike dhe politike: a) marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Turqisë, ndërkohë që kjo e fundit përpiqej të rrinte neutrale; b) politika favorizuese e Hitlerit ndaj popullsisë myslimane, çka duhej parë si kundërpeshë ndaj Britanisë së madhe.

Sipas arkivave gjermane, të studiuara posaçërisht nga historiani italian, del se nazistët nuk kishin synime të tjera në Shqipëri përveçse strategjike, në kuptimin që nuk kishin ndër mend ta ndiqnin politikën fashiste, as qëllimet e mëparshme për ta italianizuar ose fashistizuar Shqipërinë. Por ndoshta pikërisht për këtë arsye, por edhe të tjera me karakter historik e gjeografik, duhet pranuar nga të gjithë se italianët e njihnin më mirë Shqipërinë se sa gjermanët.

Nazistët nuk kishin ndonjë besim të madh tek shqiptarët. Vetë Mehdi Frashëri, që vendosi të bashkëpunonte me gjermanët, ishte në realitet filobritanik. Për shembull, gjermanët u nxehën jashtë mase me Frashërin kur mësuan se donte ta akreditonte Shqipërinë si neutrale në fushën e luftës së dytë botërore. Që nuk ekzistonte ndonjë besim i madh e vërteton edhe kontrolli i drejtpërdrejtë nazist i ushtruar ndaj radios shqiptare në atë kohë.

Historia e atyre viteve ka nevojë për studime të mëtejshme. Ka cepa ende të errëta ku duhet hedhur dritë. Edhe dëshmia e arkivistes Nevila Nika shkoi në atë drejtim. Qëndrimi i partizanëve shqiptarë ndaj ushtarëve italianë të hapërdarë pas kapitullimit nuk ka qenë aq i kthjellët. Ka pasur raste ekzekutimesh e keqtrajtimesh. Ushtarë italianë që janë vrarë nga partizanët, të tjerë që u janë dorëzuar gjermanëve, duke përfunduar përballë skuadrës së pushkatimit. Ndërkohë që popullsia ka reaguar duke i dhënë strehim e duke i shpëtuar ushtarët që endeshin tashmë të shpartalluar në territorin shqiptar.

Historia e Luftës së Dytë botërore në Shqipëri është minierë ku duhet gërmuar ende. Megjithëse shumë gjëra janë tashmë të ditura – duke filluar nga vlera e padiskutueshme e Luftës çlirimtare, ose siç është fakti se shqiptarët gjithsesi u çliruan vetë, pra pa ndihmën e trupave aleate – ka disa aspekte që mund të përçohen ndryshe. Sipas historianit Morozzo Della Rocca, vitet 1943 – 1945 duhen studiuar edhe më tej, për t’i ofruar publikut një tjetër imazh të asaj periudhe. Me fjalë të tjera, një imazh më të nyjëtuar e jo të thjeshtëzuar. Megjithatë, historiani italian nuk harroi t’i kujtojë publikut se historia shprehet me përafërsi, nuk mund të thotë të vërteta absolute.

Pohimi i mësipërm është tejet i rëndësishëm jo vetëm për studimin e Luftës së dytë botërore, e sidomos për një vend që ka njohur orvatje të vazhdueshme për manipulim të historisë. Kjo e fundit nuk duhet konceptuar si tërësi të dhënash absolute e të padiskutueshme, por si një degë e njohjes njerëzore që ecën përpara duke zbuluar gjithnjë gjëra të reja. Në këtë kuptim, historia i thotë gjërat përafërsisht, nuk sanksionon të Vërtetën absolute. Por edhe ky parim nuk është më pak i rëndësishëm se dokumentet prej scoop-i që mund të gjenden nëpër arkiva nga dita në ditë. Përkundrazi. Si të thuash, edhe një hije mund të vërtetojë se ka dritë dielli, ndërkohë që kërkimi i së vërtetës ndoshta ka më rëndësi se e vërteta vetë. Por këtu historinë po e lëmë pas dhe po hyjmë në filozofi…

Advertisements
%d bloggers like this: