SI FLAKA E QIRIRIT

qiri elektrikPolitikani italian Giulio Andreotti është i njohur për shumë gjëra, por jo më pak për batutat e aforizmat e tij shpotitëse. Njëra prej tyre u bë e famshme për aktualitetin të cilës i referohej, por edhe për vlerën e vet universale. “Pushteti konsumon ata që nuk e kanë”, kështu mund të shqipërohej batuta andreotiane, që parafrazonte (duke e mohuar) thënien e konsoliduar se pushteti në realitet i konsumon, i tret dhe i sfilit ata që e mbajnë.

Mendohet se batuta në fjalë e ka autorësinë tek diplomati e politikani francez Charles Maurice de Talleyrand-Périgord – çka përbën punë për historianët e politikës –, por fakt është se famën dhe freskinë, të paktën në Itali, ia dha në realitet Andreotti, të cilit i shkonte për shtat edhe nga përvoja e ushtrimit të pushtetit.

Aforizmi nuk është pa baza, por e njëjta gjë mund të thuhet për të kundërtën. Është e vërtetë që pushteti të konsumon e të sfilit, por është po aq e vërtetë se mungesa e tij shkakton të njëjtat efekte. Këto pohime mund të bëhen edhe falë përvojës personale ose aftësisë së vëzhgimit të gjithsecilit. Megjithatë, disa dallime duhen bërë, sidomos kur flasim për konsumim, çka mund të jetë politik, në nivel pëlqimi të publikut, por edhe personal, d.m.th. psikologjik e mendor.

Si gjithnjë kërkimet shkencore e mbështesin bindjen popullore në atë masë që e hedhin poshtë. Disa vite më parë shtypi njoftonte se thënia e Andreotti nuk ishte e vërtetë, meqë nga studimi amerikan i Northwestern University i Chicago-s dilte se pushteti konsumon ata që e kanë. Sipas atij studimi, që merrej me mekanizmat e autoritetit, pushteti të jep iluzionin sikur je i pagabueshëm, çka shkakton me kalimin e kohës humbjen e arsyes. Sipas autorit të kërkimit shkencor, pushteti praktikisht e deh personin, i cili kujton se mund t’i kontrollojë të gjitha gjërat.

Për të kundërtën njoftonte një gazetë tjetër jo shumë kohë më parë. Titulli? “Pushteti konsumon ata që nuk e kanë. Shkenca i jep të drejtë Andreotti-t”. Në artikull lexuesi mësonte se liderët kanë nivele stresi më të ulëta se sa vartësit, gëzojnë gjithashtu kënaqësi e shpërblime të shumëllojta. Sipas studimit amerikan të botuar në Proceedings of the National Academy of Sciences, i cili maste nivelet e kortizolit, hormonit kryesor të stresit, shefi duket shumë i zënë dhe i stresuar, gjithnjë me axhendën plot angazhime, por në realitet është më i relaksuar se sa ai që nuk ka pushtet. Megjithatë, studiues të tjerë mendojnë se stresi i perceptuar nga truri është diçka tjetër nga stresi i provuar nga trupi.

Pak a shumë të njëjtin rezultat arriti edhe kërkimi izraelit i Tel Aviv University, botuar në revistën Psychological Science, sipas të cilit nuk është e vërtetë që të pushtetshmit jetojnë në vetmi e të trishtuar. Ata që drejtojnë dhe kanë pushtet e ndjejnë veten mirë e të kënaqur, edhe nga pikëpamja e marrëdhënieve ndërpersonale e afektive. Edhe një herë, shtypi italian na kujtoi se thënia e Andreotti-t nuk ishte pa baza shkencore.

Siç rezulton nga citimet e mësipërme, të cilat natyrisht nuk janë shteruese, studimet janë shpesh kontradiktore. Gjithsesi, duket qartë se thënia e pushtetit konsumues, është marrë më shumë nga pikëpamja individuale, pra nga mënyra se si reagon personi që ushtron pushtetin, se sa nga pikëpamja e pëlqimit të qytetarëve. Ky këndvështrim i fundit nuk është pa interes, e jo pa lidhje me psikologjinë personale e kolektive të një populli.

Po realiteti shqiptar çfarë na tregon? Nuk kemi studime në këtë fushë. Po ta gjykosh nga dëshira e njerëzve për ta marrë pushtetin nuk ka pikë dyshimi. Pushteti nuk të konsumon, përkundrazi, të rigjeneron nga të gjitha pikëpamjet. Përndryshe, si mund të shpjegohen bërrylat për një vend në parlament e/o në qeveri?

Nga pikëpamja e pëlqimit të elektoratit, ose thjesht politik, gjërat duken disi më të thjeshta. Në Shqipëri pushteti nuk e konsumon personin politikisht, përkundrazi, dëmton atë që nuk e ka. Të paktën në një periudhë afatshkurtër. Po të studiohet historia e demokracisë së re shqiptare, por edhe aktualiteti, do të shikohet se pas përfundimit të zgjedhjeve problemet më të mëdha i ka pala humbëse, e cila duhet ta metabolizojë verdiktin negativ të kutive të votimit. Pala fitimtare i gëzohet fitores dhe merret për shumë kohë me shpërndarjen e pushtetit të sapo marrë. Këtu duhet t’i japim të drejtë Andreotti-t. Në periudha afatgjata efektet ndryshojnë, sepse pushteti fillon e bëhet gjithnjë e më i vështirë, sidomos kur nuk ushtrohet drejt. Përvoja shqiptare ka treguar se pas tetë vjet pushteti, ky vjen e rëndohet dhe perceptohet si barrë, dhe mazhorancat e konsumuara anojnë të shndërrohen në pakica.

Po nga pikëpamja personale, pushteti i konsumon apo jo politikanët shqiptarë? Vështirë ta thuash me siguri. Po t’i shikosh nga pamja e jashtme nuk duket se pushteti i bën dëm, por kjo nuk e përjashton aforizmin andreotian, sepse po flasim për efektin e mungesës së pushtetit. Shumëkush mendon se pushteti i humbur e konsumon politikanin shqiptar. Ka mundësi, por çështja është më e koklavitur seç duket, sepse pushteti nuk përkufizohet kollaj, meqë mund të shpjegohet si nga pikëpamja sociale (si ndikim i sjelljeve të grupeve shoqërore), ashtu edhe juridike (si autoritet e mundësi për të vepruar). Në këtë kuadër, dhe pa i hyrë temës së nivelit apo të forcës, pushteti zgjerohet si koncept nga politikani tek shkrimtari, nga legjislatori tek gjykatësi, nga arsimtari tek trajneri, nga sipërmarrësi tek nëpunësi. Nejse, Andreotti e kishte fjalën vetëm për pushtetin politik, pavarësisht se mund ta zgjerojmë fushën e veprimit.

Në një libër të vetin me aforizma, Andreotti paska shpjeguar se frazën e famshme e kishte shqiptuar në vitin 1951 si përgjigje ndaj dikujt që kishte kërkuar dorëheqjen (për arsye moshe) të Presidentit italian De Gasperi. Titulli i librit? Il potere logora… ma è meglio non perderlo (Pushteti të konsumon… por është më mirë të mos e humbasësh).

Falë kësaj batute të mëvonshme, edhe ne të Shqipërisë, mund të gjejmë ndonjë shpjegim të mëtejshëm.

Advertisements
%d bloggers like this: