CENET E PËRSOSMËRISË

Është praktikisht e pamundur ta vizitosh Romën e mos ta njohësh sadopak Gian Lorenzo Bernini-n, skulptor e piktor i famshëm i 1600-s, protagonisti më i madh i artit barok. Edhe kur nuk e kërkon, e takon rastësisht në sheshet Navona, Barberini, Spanja, e të tjera vende të njohura, ku ia dallon dorën tek skulpturat, shatërvanët, statujat. Mirëpo nga larg, ose në hapësira të gjera si sheshet, për arsye hapësinore, vështirë t’ua dallosh hollësitë veprave të artit. E megjithatë arti i Berninit bazohet tek hollësitë, detajet, nyjëtimet.

Rrembimi i Persefonit_BerniniPër ata që duan ta njohin më mirë gjenialitetin e Berninit (Napoli 1598 – Romë 1680), edhe pa qenë ithtarë të barokut, ka një stacion të detyrueshëm: Galleria Borghese. Aty gjenden, midis shumë veprash të tjera, katër grupe statujash në mermer, të cilat u porositën nga pronari i vilës kardinali Scipione Borghese, personazh interesant e kontrovers, por që falë tij bota sot mund të shijojë një galeri artistike përrallore. Nga katër veprat, të cilat u krijuan nga Bernini në moshë fare të re (rreth moshës 20 vjeç), mund të veçohet pa dyshim “Rrëmbimi i Persefonit” (Ratto di Proserpina, 1621-1622).

Vepra artistike, e punuar në mermer, paraqet çastin kur Hades (Plutoni në kulturën romake), perëndia e botës së përtejme, rrëmben vashën e bukur Persefoni (Proserpina në kulturën romake), bijën e perëndisë së tokës dhe pjellorisë. Sipas mitit të njohur të rrëmbimit, që gjendet tek Memorfoza e Ovidit, por edhe në vepra të tjera romake, Hades, perëndia e nëntokës, u dashurua pas bukuroshes Persefoni dhe vendosi ta rrëmbente. Momentin e duhur e gjeti kur vajza ishte duke mbledhur lule buzë të liqenit Perguza, afër Enës. Nëna e saj u dëshpërua shumë kur mori vesh se e bija ishte rrëmbyer. Gati e çmendur nga zemërimi dhe dhimbja, si perëndi e tokës dhe e pjellorisë që ishte, Demetra shkaktoi një thatësirë të tmerrshme, çka e detyroi Zeusin të ndërhynte pranë vëllait të vet për lirimin e vajzës. Falë kësaj trysnie të jashtëzakonshme, sipas marrëveshjes me Hadesin, nëna arriti që ta kishte vajzën me vete gjashtë muaj në vit.

Dy pamje te RrembimitSkulptori italian ka kapur pikërisht aktin kryesor të rrëmbimit. Është çasti kur perëndia e fuqishme e mbërthen me krahët e veta vashën e re për ta marrë me zor në mbretërinë e vet. Që skulptura karakterizohet nga veprimi i skajshëm e kupton çdo spektator. Nuk ka pjesë nga skulptura që mos të “mishërojë” veprim e lëvizje: gjymtyrët e Hades, trupi i Persefonit, gojët e Cerberit. Forca e veprës së artit duket edhe nga paraqitja e lëvizjes. Ndryshe nga skulptura të tjera të kohës, Bernini nuk tregon vetëm një figurë, një qëndrim, një pozicion, por një skenë të vërtetë. Nga kjo pikëpamje, spektatori e percepton se ka diçka prej kinematografie në atë skulpturë – me 3D do të shoshim sot -, sepse mermeri është vërtet i ngurtë, por tregon lëvizje, zhdërvjelltësi, dinamizëm, thellësi, madje rrëfen një para dhe një mbrapa, në kohë e në hapësirë. Autori ka përjetësuar në mermer jo vetëm aktin e rrëmbimit, por edhe mitin vetë.

Mirëpo tërësia e aktit nyjëtohet në detajet e shumta të veprës. Bernini, i njohur për aftësinë e tij të punimit të mermerit pa shumë vizatime përgatitore, ka nxjerrë prej tij pak e nga pak, daltë pas dalte, detajet e një skene dramatike, që ia shumëfishojnë forcën ekspresive. E si mund të jepen nëpërmjet ftohtësisë dhe fortësisë së mermerit skena të vrullshme, energjike, të nxehta, dinamike? Këtu qëndron arti i Berninit. Spektatori e gjen veten përballë një skene të hovshme, madje në kulmin e saj dhe e percepton menjëherë vrullin e skenës. Muskujt e tendosur të Hadesit tregojnë jo vetëm lëvizjen e rrëmbimit, por edhe vendosmërinë e tij, pse jo edhe pandjeshmërinë e rreptë ndaj përpjekjeve të Persefonit. Kjo rreket t’u shpëtojë krahëve të fuqishëm, ngre duart lart, me njërën i prek fytyrën, si për t’u çliruar me një lëvizje të fundit dramatike, por njëkohësisht e kupton se përpjekja është e dëshpëruar dhe se nuk ka më shpresë. Qeni me tri koka, që shikon nga të gjitha anët, leh si i tërbuar. Spektatori pothuajse ia dëgjon hungërimën. Skena vjen e njëmendtë nga thellësitë e miteve të lashta.

duart BerniniNuk ka daltë që të ketë punuar mbi atë mermer. Për këtë bindet gjithkush gjendet përballë veprës, edhe pse është e pamundur në realitet. E si mund të shpjegohet atëherë butësia e formave, vërtetësia e figurave, lëmuarësia e pjesëve, kreshpëria e qimeve? Me aftësinë e shkëlqyer teknike të Berninit i cili, sipas studiuesve, prek kufijtë fizikë të mermerit, duke i dhënë formë reale lëvizjes e njëkohësisht vërtetësi aktit të përfaqësuar, karakteristika që nuk viheshin re në skulpturat e kohës.

Forca plastike e shprehjes gjendet Rrembimi i Persefonitgjithkund në vepër, por disa detaje e nxjerrin në pah më mirë. Dora e djathtë e Hadesit mbërthen me forcë kofshën e majtë të Persefonit, ndërsa dora e majtë e shtrëngon në hijen e saj të majtë. Në të dyja rastet, arti e kthen mermerin në një lëndë tjetër, të epshme, elastike, sepse gishtat duken të futura në mish, ku dallohen qartë shenjat e trysnisë së tyre. Duart e muskujt e rrëmbyesit tendosen në maksimum nga forca e përdorur, çka dallohet edhe nga damarët e krahëve. Edhe pse në momente dramatike, bukuria e vashës nuk fshihet, madje pelerina e saj duket sikur bie qëllimisht për të dëshmuar se marria e Hadesit e ka shkakun tek hijeshia e saj. E megjithë vërtetësinë e skenës, ka diçka teatrale në lëvizjet e protagonistëve, ndoshta e kushtëzuar nga lëvizja e tyre në formë spiraleje, që i ngjan disi vallëzimit, ku nuk humbet aspak karakteri dramatik i aktit, që nuk kushtëzohet as nga viriliteti i rrëmbyesit, as nga feminiliteti i nimfës. Ndërkohë, mermeri e ka humbur krejtësisht ftohtësinë, për të marrë përfundimisht ngrohtësinë e jetës, nëpërmjet frymës artistike të Berninit.

lotet e PersefonitKa edhe detaje të tjera që e bëjnë veprën të gjallë. Flokët e Persefonit ndjekin lëvizjen e vrullshme, në tentavën e fundit për t’i ikur duarsh rrëmbyesit; coha e hollë e veshjes i zbulon hijeshitë dhe rrëshqet tutje; dora e majtë e saj që i shtyn fytyrën Hadesit, duke i tërhequr pjesën anash syrit; dora e djathtë që tendoset lart pothuajse si lutje për shpëtim; muskulatura që ndjek forcën e tkurrjes; thonjtë e duarve të protagonistëve; dhëmbët e qenit me tri koka… Por jo vetëm studiuesve u kanë tërhequr vëmendjen lotët e Persefonit, ku del qartë edhe dhimbja e saj, sikurse beteja e humbur kundër rrëmbimit të dhunshëm. Lotët janë aq të vërtetë, saqë nuk mund të shkëputeshin nga shprehja e fytyrës së saj, sytë e shuar dhe goja gjysmë e mbyllur, ku del qartë dhimbja e përzier me dëshpërim. Lotët bëhen kështu pjesë e skenës që nuk mbaron vetëm me aktin e treguar.

shpinaThuhet se vetëm vitet e fundit kanë zbuluar se në shpinën e Hadesit të skulpturuar nga Bernini ka disa puçrra të vogla, njëra prej të cilave më e dukshme (në pjesën e parashpinore të kurrizit). Deri vonë besohej se ishin pjesë e mermerit, defekte ose karakteristika të tij, por që u skartuan më vonë pas vëzhgimeve të hollësishme. Pra puçrrat në kurrizin e skulpturës prej mermeri sipas gjasës ia ka vënë vetë Bernini (çka ka tërhequr edhe vëmendjen e mjekëve). Kjo tregon se artisti nuk është kufizuar të luajë vetëm me format e trupit, por ka guxuar ta paraqesë atë në nivel epidermik, sfidë që kërkon guxim e aftësi njëkohësisht. Nga ana tjetër autori rreket të na e japë figurën muskuloze e të zhdërvjellët të Hadesit të lashtë, jashtë rregullave të përsosmërisë me të cilat është dhënë normalisht. Kështu figura e perëndisë së lashtë na vjen sot më njerëzore, duke krijuar një efekt më të drejtpërdrejtë tek spektatori, duke e bërë skenën edhe më reale. Duke ulur idealizmin e përsosmërinë e figurës së perëndisë, artisti i njohur italian ngre lart vlerat e veprës, duke dëshmuar edhe një herë se rruga drejt përsosmërisë kalon edhe nga të metat.

0775_ 032Cerberi tek Rrembimi i Persefonit

 

 

 

 

 

 

 

Bibliografi e përgjithshme

Faqja zyrtare internet e “Galleria Borghese”

Enciklopedia Treccani

Medicine e arte, Roma, 3 shtator 2013.

Aldo González-Beicos, Aldo González-Serva, Carmen Cantisani, Neoformazioni cutanee sul dorso di Plutone, 2 maj 2012.

Advertisements
%d bloggers like this: