STATISTIKAT E BESIMIT

grafike te ndryshem

Problemet e statistikave në Shqipëri i kemi ngritur prej kohësh në këtë hapësirë, duke e trajtuar çështjen nga pikëpamja e sasisë, cilësisë dhe e besueshmërisë. Të dhënat statistikore, që të jenë të vyeshme për publikun dhe politikën, duhet të jenë të shumta, cilësisht të vlefshme e, së fundi, të jenë të besueshme.

Në shkrimet e botuara në “Peizazhe të Fjalës” kohë më parë (Gishti i statistikësNumërim me gishta dhe Lost in Statistics) u trajtuan jo vetëm aspektet e mësipërme, por u shkua edhe më tej. Përsiatjet e mësipërme lindën pas debatit që pasoi rezultatet e censusit të fundit të popullsisë në Shqipëri. Megjithatë, u prekën disa çështje strukturore të statistikës shqiptare, që shkojnë përtej regjistrimit të popullsisë ose të dhënave të tjera specifike.

Shkrimi i Ermelinda Meksit, “Statistikat, si matës i zhvillimit”, me të drejtë vë theksin mbi rëndësinë e statistikave në Shqipëri:

Statistikat zyrtare janë të një rëndësie të veçantë, sepse u paraprijnë ndërtimit të strategjive të zhvillimit ekonomik dhe social të një vendi. Kjo ka ndodhur dhe ndodh rëndom në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim. Pa njohje të saktë të situatës aktuale, nuk mund të ndërtosh të ardhmen afatmesme dhe aq më tepër atë afatgjatë. Ka një gjykim, i cili merr vlerën e një “aksiome”: “Niveli i statistikave zyrtare tregon masën e zhvillimit të një vendi!”.

Më tej, prof. Ermelinda Meksi vë re se zhvillimi i sistemit statistikor nuk ka shkuar siç duhet në vendin tonë dhe se kritika na janë bërë edhe nga Bashkimi Europian:

Në këtë këndvështrim, zhvillimi i sistemit statistikor në Shqipëri, nuk ka ecur me shpejtësinë që kërkonin ritmet e zhvillimit të një vendi që aspiron anëtarësimin në BE. Kritika të drejtpërdrejta janë bërë në raportet e BE-së për sistemin statistikor në vend. Në çdo raport-progresi për Shqipërinë është theksuar: Nevoja për ndërtimin e një sistemi statistikor kombëtar të mbështetur në parimet themelore të statistikave të besueshme dhe cilësore, ndër të cilët i pari dhe më i rëndësishmi është ai i pavarësisë institucionale dhe profesionale të agjencive statistikore.

Në shkrimin e politikanes shqiptare kërkohet që instituti i statistikave të ketë pavarësi të garantuar me ligj e të respektuar në praktikë. Meksi e pranon se mungesën e të dhënave statistikore e ndjejnë të gjithë dhe ankohet për cilësinë e metodologjinë e statistikave të tregut të punës, të cilat “më shumë çorientojnë sesa japin një vlerësim të saktë”. Statistikat e çmimeve të konsumit, statistikat e ndërmarrjeve, statistikat monetare, janë për artikullshkruesen problematike. “Në tërësi – nënvizon Meksi – sistemi statistikor, kryesisht ai që lidhet me INSTAT-in, është i avashtë dhe pak aktiv”.

Diagnostikimet që i bën Ermelinda Meksi sëmundjeve të statistikave zyrtare shqiptare janë të sakta. Në cilësinë e ekonomistes dhe të politikanes në nivele të larta, madje me poste të rëndësishme qeveritare, Meksi e ka edhe më të lehtë për t’ia dalluar të metat sistemit statistikor. Megjithatë, lexuesi pret diçka më konkrete jo vetëm përsa i përket metodologjisë, ose aspekteve të tjera teknike të të dhënave, por për mënyrën se si duhet rritur besueshmëria e sistemit që përpunon të dhënat. Është e vërtetë se besueshmëria buron nga cilësia e të dhënave që i ofrohen publikut, por nuk duhet harruar se besueshmëria varet në thelb nga shkalla e pavarësisë që institutet e statistikës gëzojnë nga politika.

Aspekti sasior, cilësor dhe i besueshmërisë duhet të ecin përpara krah për krah, përndryshe të dhënat statistikore do të jenë gjithnjë të mangëta. Statistikat e shumta nuk kanë vlerë sikur të kenë cene nga ana cilësore, por edhe të dhënat e pakta, metodologjikisht të sakta, nuk është se hyjnë shumë në punë për realitetin kompleks të ekonomive dhe shoqërive moderne; sikurse të dhënat e vlefshme nga pikëpamja sasiore e cilësore nuk kanë vlerë në rast se nuk besohen fare nga qytetarët dhe përdoruesit e ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, për sa kohë perceptohen si mbështetëse të versionin zyrtar të partisë së radhës.

E kështu, kthehemi tek domosdoshmëria e krijimit të institucioneve edhe në kuadrin e sistemit statistikor, ku besimi përbën pa dyshim një nga shtyllat kryesore.

Advertisements
%d bloggers like this: