PARATHËNIA PËRTHYESE

Meritat e përkthimit

Dy janë meritat kryesore të botimit në italisht të librit “Rrno vetëm me tregue” të At Zef Pllumit. E para lidhet me veprën e mirënjohur të fratit françeskan, që mund të konsiderohet si vepër monumentale në kuadrin e publicistikës, për mesazhin dhe kontributin që i ka dhënë kulturës shqiptare, por me vlera universale të pamohueshme. Merita e dytë del në pah me mungesën e njohjes së Shqipërisë në Itali. Megjithëse sistemi demokratik çoi në hapjen e Shqipërisë ndaj botës, kjo hapje fizike nuk solli automatikisht – gjithsesi jo në përpjesëtimet e duhura – në njohjen autentike të kulturës dhe të realitet shqiptar. Me pak fjalë, mund të thuhet se Shqipëria është më shumë e (për)folur, se sa e njohur.

Il-sangue-di-abele-ballinaMjaftojnë këto dy merita kryesore për ta përshëndetur pozitivisht botimin e librit me titull “Il sangue di Abele – Vivi per testimoniare” të At Zef Pllumit, nga shtëpia botuese italiane “Diana” me përkthim të Keda Kacelit. Publikut italian i ofrohet një vepër me vlera të jashtëzakonshme në kuadrin e memorialistikës, por edhe të historisë dhe kulturës në kuptimin më të gjerë të fjalës, pa lënë mënjanë vlerat e thella njerëzore që shpreh libri i françeskanit shqiptar. Përkthimi dhe botimi i librit “Rrno vetëm me tregue” duhet parë si një operacion kulturor i shumëanshëm, për potencialitetin poliedrik të veprës së religjiozit të përvuajtur shqiptar, që shkon përtej peripecive dramatike personale, madje përtej mekanizmave djallëzorë të totalitarizmit shqiptar, duke e përshkuar përmasën historike për të hyrë në atë filozofike, ku preken telat dhe misteret e shpirtit njerëzor.

Një vepër e tillë, me mesazhe të gjithanshme e meriton pa dyshim përhapjen sa më të gjerë, sikurse meriton shpjegimin e kumteve të saj, meqë Shqipëria ishte vërtet laboratori i çmendurisë totalitare, por mësimet e eksperimenteve që u bënë në atë kohë i përkasin të gjithë botës e nuk është e thënë t’i takojnë definitivisht historisë. Objektivin për arritjen e publikut sa më të gjerë e kanë të gjitha librat, por në veçanti e ka libri “Rrno vetëm me tregue”, sidomos kur bëhet fjalë për lexuesit italianë, të cilët janë natyrisht të interesuar edhe për historinë e tyre të vonë, përveçse për arsye të afërsisë gjeografike. Në këtë këndvështrim, merr kuptim edhe zgjedhja për t’ia besuar Silvio Berluskonit, liderit politik italian, parathënien e librit të At Zef Pllumit botuar së fundi në vendin fqinjë.

Akrepi i busullës mediatike

Si e pritën mediat italiane prezantimin e librit “Il sangue di Abele – Vivi per testimoniare” të At Zef Pllumit? Nuk është e thjeshtë t’i përgjigjesh pa cituar disa burime. Pjesa më e madhe e mediave të shkruara dhe elektronike folën për eventin ditën e mëpasshme (7 mars 2014), por në mënyrë krejt të veçantë. “Corriere della sera” e titulloi kështu artikullin për eventin: “Berlusconi: una mafia di giudici decide su di me” (Berluskoni: një mafie gjykatësish vendos për personin tim), e me nëntitullin e gjatë “Il ritorno al Senato per presentare un libro. ‘Il matrimonio? Troppo vecchio’. L’invito alla modella. Il Cavalliere invita ad Arcore una modelua con il fidanzato: ti faccio fare un provino” (Kthimi në Senat për të prezantuar një libër. ‘Martesa? Shumë plak’. Ftesa modeles. Kavalieri fton në Arkore një modele me të fejuarin: do t’u them të të bëjnë një provë”. Gazeta “La Repubblica” e përmendi librin e At Zef Pllumit në shkrimin me titull: “Berlusconi attacca i giudici: ‘Mafia che decide su di me’” (Berluskoni sulmon gjykatësit: “Mafie që vendos për mua’”).

Gazetat e krahut të djathtë e paraqitën kështu ngjarjen e prezantimit të librit. “Il Giornale”: “Il Cavaliere torna al Senato: anche con Renzi attenti al PD” (Kavalieri kthehet në Senat: edhe me Renzin kujdes me PD”, kurse e përditshmja “Il Messaggero” e titullonte artikullin në këtë mënyrë: “Il Cavaliere: non mi sposo, sono vecchio. Ma poi invita ad Arcore la bella Susanna” (Kavalieri: non martohem, jam plak. Por pastaj fton në Arkore bukuroshen Suzana). Gazetat “Nazione, Carlino, Giorno”, që dalin së bashku e paraqisnin ngjarjen brenda një shkrimi me këtë titull: “Il Cavaliere: Non mi sposo, troppo vecchio…” (Kavalieri: Nuk martohem, jam shumë plak”). Gazeta “il Tempo”: “Napolitano e pm rossi. Berlusconi all’attacco” (Napolitano e prokurorët e kuq. Berluskoni në sulm), ndërsa e përditshmja “Libero” shkruante: “Silvio non si sposa più: sono vecchio” (Silvio nuk martohet më: jam plak).

Nga ana tjetër ishin gazetat kundërshtare të Berluskonit. “L’Unità” titullonte: “Il Cav reparte dal libro nero del comunismo albanese” (Kavalieri riniset nga libri i zi i komunizmit shqiptar), ndërsa “il Fatto Quotidiano”, që shquhet për sulmet e saj ndaj liderit të Forza Italia-s nënvizonte: “I Giudici sono una mafia e non mi risposerò” (Gjykatësit janë mafie e nuk do të martohem”, kurse nëntitulli sqaronte më tej: “Silvio Berlusconi prima si sfoga in un video esclusivo del fattoquotidiano.it. Poi ritorno al Senato per il libro di una pupilla. Nuovi gossip su liti con Francesca” (Silvio Berluskoni në fillim shfryhet në një video ekskluzive të fattoquotidiano.it. pastaj kthehet në Senat për një libër të beniamines së vet. Thashetheme të reja për zënka me Franceskën”.

Gazeta “Il Tempo” online titullonte “Cav-show tra elezioni, pm e comunisti”, por në tekst citonte deklaratat e Berluskonit për librin e botuar dhe komunizmin shqiptar. Edhe gazeta tjetër me bindje të djathta i kushtonte vëmendje mendimeve të shprehuar nga politikani italian. “Il Giornale” online titullonte: “Berlusconi: “Il comunismo non è un’ideologia ma una malattia” (Berluskoni: “Komunizmi nuk është ideologji por sëmundje”). Në shkrim lexohej: “Berluskoni u kthye në Senat për prezantimin e librit ‘Gjaku i Abeles, jeto për të dëshmuar’, të at Zef Pllumit. Në tekst autori e thyen heshtjen për gjenocidin e bërë nga regjimi komunist shqiptar kundër urdhrave religjioze dhe kundërshtarëve politiko-intelektualë. […] Duke e marrë fjalën Kavalieri tha se e njihte mirë Shqipërinë: ‘E kam ndriçuar për 30 vjet me televizionet e mia, të gjithë flasin italisht e ka një ferment të pabesueshëm nga pikëpamja industriale e kulturore që më ka befasuar’. Pastaj foli në mënyrë specifike duke përdorur fjalë të ndezura kundër atij që mund të konsiderohet kundërshtari i tij më i madh: “Komunizmi nuk është vetëm ideologji por sëmundje, një çmenduri e vërtetë aq është i pezmatuar realizimi i tij. Ideologjia komuniste është ideologjia më kriminale e më çnjerëzore në historinë e njeriut, që ka shkaktuar mbi njëqind milionë të vdekur”.

Edhe mediat elektronike, pak e shumë ndoqën të njëjtën skemë. Projektorët e mediave u drejtuan kryesisht nga figura e Berluskonit, duke nënvizuar deklaratat e tij me karakter politik  e personal. Me ndonjë përjashtim të vogël, titujt e artikujve treguan se interesi i mediave ishte i tëri ndaj Berluskonit dhe mendimeve të tij në lidhje me aktualitetin e politikës italiane. Madje në disa raste vëmendja shkau drejt thashethemeve personale. Nga shembujt e mësipërm, nuk është e vështirë të vihet re se botimi i librit dhe kuptimi i tij kulturor kaloi në plan të dytë, kur nuk përfundoi thjesht si citim i rregullit të famshëm “where” të gazetarisë, pra thjesht si vendi e rasti ku u bënë deklaratat. I vetmi titull që prekte qartë temën e librit të rëndësishëm – zgjedhje paradoksale vetëm në pamje të parë – ishte ai i gazetës “l’Unità”, organ i Partisë Demokratike, pra i majtë, i themeluar shumë vite më parë nga Antonio Gramsci.

Për ta kuptuar vëmendjen morboze ndaj Berluskonit duhet kuptuar konteksti politik italian. Kthimi në një nga selitë e Senatit italian ishte i pari pas dëbimit të tij si i dënuar nga gjykata për evazion fiskal. Pritshmëria ishte e madhe edhe për shkak të dinamikave të fundit politike, para së gjithash marrëveshja për ligjin elektoral që Berluskoni bëri personalisht me kryetarin e PD, Matteo Renzi. Ky ligj ishte në atë moment në shqyrtim e sipër në Dhomën e Deputetëve. Nga ana tjetër, sapo ishte bërë e njohur një deklaratë e Berluskonit kundër gjykatësve, të cilët do të vendosin në prill masën e dënimit (arrest në shtëpi ose shërbim social) ndaj liderit italian. Së fundi, busulla anonte nga poli berluskonian edhe për arsye thashethemesh, meqë prej disa kohësh ishin hapur fjalë se do të martohej me të fejuarën e vet Francesca Pascale. Ky magnetizëm i përftuar nga një përzierje origjinale me karakter politik, gjyqësor e personal, bëri që vëmendja e mediave të devijohej nga objekti i prezantimit për t’iu dedikuar kryesisht autorit të parathënies.

Implikimet e parathënies

Parathënia e një libri ka rëndësi parësore, e jo vetëm nga ana e vendosjes tipografike, meqë hap vallen e faqeve të veprës. Autori i parathënies, kur nuk përputhet me autorin e librit, mund të shpjegojë shkurtimisht thelbin e librit, qëllimin, përmbajtjen, metodën e zbatuar, etj. duke pasur si synim t’i shpjegojë lexuesit përse ia vlen të zërë vend në raftet e bibliotekës. Shpeshherë parathëniet nënvleftësohen, sidomos kur shkruhen nga vetë autori ose nga personazhe të kalibrit të vogël. Megjithatë, parathënia është ndër pjesët më të rëndësishme të librit, sepse e ndihmon lexuesin në rrugën që po ndërmerr nëpër tekst, e orienton atë në labirintin kuptimor, i jep çelësat e leximit të duhur.

Jo vetëm çka thotë parathënia ka rëndësi, por edhe autorësia ka peshën e vet. Fakti që parathënia e versionit italisht të “Rrno vetëm me tregue” të At Zef Pllumit iu dha Berluskonit nuk mund të mos ndikojë në leximin e veprës. Parathënia nuk ka veprim neutral ndaj veprës. Tek e fundit, nuk është rastësi që autori i parathënies njoftohet zakonisht me shkronja të mëdha në ballinë. Në rastin tonë, vlerësimet që i bën librit Berluskoni kanë rëndësinë e vet për lexuesin. “At Zefi thyen vite heshtjeje e vdekjeje – shkruan Berluskoni – në gulagun shqiptar me kurajën e njeriut që e do lirinë e lufton në emër të saj. Ai e hap zemrën tonë, e mbush me ngashërim e me indinjatë, për të na shtyrë më pas të ndërtojmë diçka që i ngjason të mirës dhe të drejtës. E vërteta, si gjithnjë, është se dashuria është më e fortë se urrejtja. Sa varre duhet të gërmojmë ende në kujtesën e popujve për të gjetur të gjitha viktimat e komunizmit?”. Janë fjalë që e vlerësojnë figurën dhe veprën e At Zef Pllumit, duke dhënë gjykime të përgjithshme me të cilat çdokush prej nesh është dakord, sikurse të gjithë e pranojmë se si komunizmi në Shqipëri “reduktoi një tokë të pasur me fisnikëri në laborator të inxhinierisë sociale” dhe se si ekzistonin kampe përqendrimi ku njerëzit “trajtoheshin si kafshë”.

Parathënia e Berluskonit ka nevojë për një studim shumëpërmasor, sepse nuk mjaftohet vetëm me konsideratat ndaj librit. Në tekst ai i referohet miqësisë së komunistëve italianë dhe atyre shqiptarë, përmend njëherësh Stalinin, Titon e Togliattin, dhe shpreh nevojën që ky libër të shpërndahet jo vetëm në të gjitha bibliotekat e të ripërshtatet për film, por të lexohet posaçërisht në shkolla, me qëllim që të njihet “se si e mori pushtetin komunizmi dhe si e administroi mizorisht”. Kjo parathënie ka nevojë të shqyrtohet edhe brenda narrativës berluskoniane, tashmë të konsoliduar që nga viti 1994, në kuadrin e së cilës lufta ndaj komunizmit zë një vend të posaçëm. Forca politike e drejtuar nga lideri italian është përftuar e profilizuar edhe në sajë të kundërshtimit frontal të forcave të majta italiane, të cilat janë akuzuar vazhdimisht si komunistë të ricikluar.

Pavarësisht nga fjalët e Berluskonit në parathënien e librit, me të cilat mund të jemi ose jo dakord, pjesërisht ose tërësisht, problemi është se personaliteti politik i Berluskonit, gjithnjë pa pasur parasysh e duke lënë mënjanë bindjet tona politike, është tejet i fortë dhe imponues për të mos e ndikuar lexuesin italian. Kush e njeh politikën italiane e di fare mirë se lideri karizmatik i Forza Italia-s e ka aftësinë ta polarizojë përplasjen politike, madje duke i kthyer ngjyrat dhe nuancat kromatike në bardhë e zi. Me fjalë të tjera, Berluskoni është nga ata liderë që në vartësi të bindjeve politike ose adhurohen, ose nuk durohen nga zgjedhësit. Ndonëse jo të gjithë qytetarët kanë ndjenja kaq të skajshme, duhet pranuar se edhe kategoria e moderuar që nuk ka luhatje të forta ndjenjash politike, kushtëzohet gjithsesi nga fjala e Berluskonit. Personaliteti i tij, në kuptimin e mirë të fjalës, është kabà, i madh, i prekshëm, çka do të thotë se zë vend shumë, nuk mund të mospërfillet, pavarësisht se si gjykohet si prezencë.

Rreze të përthyera

Megjithëse nuk mund ta marrim si vërtetim përfundimtar, mund të themi se paraqitja e mediave shqiptare dëshmoi në mënyrë indirekte se versioni italisht i librit “Rrno vetëm me tregue” kaloi detyrimisht nga prizmi personal i Berluskonit, meqë pjesa më e madhe e gazetave shqiptare e dha lajmin duke përmendur emrin e tij, madje duke e personalizuar nismën editoriale në event të filtruar nga personazhi politik. Pati edhe përjashtime si ndonjë kronikë televizive (Irida Cami, Top Channel) ku iu kujtua publikut se përse ishte dëbuar Berluskoni nga Senati, sikurse pati ndonjë reagim të ashpër, të mëvonshëm e jashtë korit natyrisht, si ai i Orgest Azizit në gazetën Mapo. Por nuk është nevoja ta kalojmë detin për ta kuptuar se parathënia e Berluskonit e kushtëzon fort lexuesin, sikurse bën me elektoratin, i cili pjesërisht sillet ndaj tij si lulja e diellit kah diellit, pjesërisht sikur gjendet afër hithrave ose ferrave.

Qëndrimi paragjykues ndaj Berluskonit, si rrjedhim edhe i sugjerimeve të tij për lexime të mundshme, amplifikohet kur perceptohet një farë përvetësimi i veprës së prezantuar. Në këtë drejtim, deklarata e tij se do ta shndërronte librin e At Zef Pllumit në “ungjillin e kaltër”, pra të partisë së vet, duke e shpërndarë nëpër seksionet e Forza Italia-s, ka efekt më ndarës se vetë parathënia, sepse “ungjilli” është term fetar thelbësor, kurse “e kaltra” është ngjyra e partisë berluskoniane. Është afërmendsh se deklarata të tilla të forta e ndajnë publikun në dy fusha kundërshtare, duke e parë kumtin e autorit në dritën e farit berluskonian. Megjithatë, kishte nga ata që nyjën e parathënies e kishin pikasur që më parë. Vetëm në këtë mënyrë shpjegohet moscitimi i parathënies, heshtja e plotë, në recensionin e bukur të gazetës Avvenire që iu bë librit disa ditë para se të prezantohej.

Për ta kuptuar mirë figurën e at Zef Pllumit mund të lexohen një sërë botimesh si numri Hylli i Dritës (1/2008) “In memoriam At Zef Pllumi”, ku kanë shkruar një sërë personalitetesh të kulturës shqiptare, duke ofruar analiza e vështrime personale të veprës së françeskanit shkodran. Një nga ata që e kanë njohur personalisht, si Ardian Ndreca, ka shkruar: “Vetë jeta për të qe nji shkëndi e mundimshme, e cila veç, përflaku gjithshka, kudo që ai lëvizte, tue ndjellë ndër njerz mallin, që ata mshehin me ngulmim mbrenda vetes, për dashuri, paqë dhe mirësi të pasosun”.

Në hyrjen e akteve të konferencës shkencore të organizuar nga instituti i kërkimeve politike “Alcide De Gasperi” me titull “At Zef Pllumi mes shkrimit dhe historisë” lexohet: “I konsideruar si ndërgjegjja e një treve dhe historie të tërë, Ai, pati një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica, por besnik ndaj fjalës së zotit dhe bindjeve të tij diti t’i mbijetojë për rreth tre dekadave burgjeve komuniste. I burgosur për herë të parë në moshën 22 vjeçare, At Zefi dëshmoi fitoren morale dhe njerëzore kundër një prej regjimeve më totalitare në Europën Lindore. Si i tillë, ai përfaqësoi disidentin politik, luftëtarin antikomunist dhe simbolin e qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”.

Ka studiues që e kanë parë figurën e at Zef Pllumit në kornizën shumëformëshe të disidencës. Kështu studiuesi Edmond Çali e konsideron si një figurë të rëndësishme, duke e marrë në shqyrtim veprën e tij brenda treshes Kasëm Trebeshina, Ismail Kadare e at Zef Pllumi, si tre disidentë të realizimit socialist si rrymë letrare, ndonëse me karakteristika të veçanta. Vetë shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare është shprehur kështu për At Zef Pllumin: “Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për të ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që nuk e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë”.

Jo vetëm studiuesit e at Zef Pllumit, por edhe lexuesit e thjeshtë e kuptojnë se mesazhi tij është universal, pra si i tillë është përbashkues jo ndarës, është paqësor jo konfliktual, i flet të ardhmes jo të kaluarës. Në fund të fundit, libri flet për totalitarizmat e të gjitha ngjyrave, për ata të së djeshmes e të nesërmes, për totalitarizmin shqiptar e për atë me qindra kilometra larg, deri nga ana tjetër e globit; vepra dhe jeta e At Zef Pllumit rrëfen ultësinë dhe njëkohësisht ngadhënjimin e shpirtit njerëzor; e përdor rrëfimin si formulë për ta larguar djallin me yshtje, duke e shkatërruar ferrin nëpërmjet tregimit të procesit të ndërtimit dhe rezistencës së martirëve që u flijuan nën këmbët e tij. Por edhe duke e kultivuar kujtesën kolektive shqiptare e njerëzore, çka do të thotë se hedh farën për një të ardhme më të mirë. Siç e thekson edhe në një intervistë, ai u sugjeron brezave të ardhshëm: besim, shpresë, dashuri.

Në këtë kuadër, përkthimi i “Rrno vetëm me tregue”, në italisht e në gjuhë të tjera, është detyrimisht nismë e vlefshme. Mirëpo, karakteri universal i mesazhit të librit shkon e komprometohet nga një parathënie që ia kufizon frymëmarrjen, që ia ngushton diapazonin, që ia redukton domethënien. Ka parathënie që perceptohen si etiketë, duke i dhënë veprës konotacione që nuk i kishte në origjinë, ose duke ia devijuar trajektoren fillestare. Ky operacion ndoshta shkon përtej vullnetit të autorëve të saj, që mund ta kenë menduar thjesht si operacion editorial. Prezantimi i librit të At Zef Pllumit nga Berluskoni mund të çojë pa dyshim në shitje marramendëse e në shpërndarje të pashoqe të vëllimit, por suksesi editorial nuk do të përkthehet automatikisht në sukses kulturor, për sa kohë libri i françeskanit do të shikohet si ungjilli i kaltër, pra si vepër e njëanshme, pothuajse e partishme, duke prekur praktikisht thelbin e tij. Ky rezultat i kimisë editoriale nuk do të shmangej edhe sikur autorësia e parathënies të ishte kërkuar nga vetë autori. Siç dihet, kur libri sheh dritën e botimit, bëhet gjithnjë e më pak i autorit dhe gjithnjë e më shumë i lexuesve.

Kjo përndrydhje kuptimore do të ndodhte edhe sikur ta kishin përgatitur personazhe të tjera të politikës italiane, qoftë edhe nga e majta, personaliteti i të cilëve do të ishte shumë i theksuar nga ana partiake. Nga kahu tjetër, përfshirë të djathtën, libri do të shikohej si i damkosur përfundimisht e do të perceptohej si i përdorur për qëllime jashtë veprës e autorit. Pikërisht për këtë arsye nuk kuptohet përse parathënia nuk iu dha ndonjë autoriteti tjetër që të ishte jashtë politikës. Nuk guxojmë ta përfytyrojmë librin me parathënien e Papës Françesco, sepse do të ishte diçka fantastike, ndoshta e paarritshme nga shumë pikëpamje, edhe pse jo e pamundur përderisa me françeskanët si At Zef Pllumi, Papa aktual ndan shumë gjëra të përbashkëta. Në rast të tillë, mesazhi i librit do t’i shkonte krejt ndryshe lexuesit italian, sikurse do ta përcillte ndryshe parathënia e përgatitur nga vetë Urdhri i Françeskanëve, ose nga intelektualë të tjerë që kanë shkruar për të si p.sh. Ardian Ndreca, ose vetë Ismail Kadare.

Ky i fundit, pasi tregon se andej nga mbarimi i vitit 2005, gjatë nismës kulturore për Dante Alighierin në Tiranë, frati vjetër u ngrit e tha me zë tingëllues: “Dante Alighieri e ka shkruar poemën e tij jo për ju, po për ne”, e shpjegon kështu kuptimin e librit “Rrno vetëm me tregue”: “Ky libër është njëherësh një përshpirtje e një akt i madh moral. Duke qenë thellësisht shqiptar, ai është po aq universal, sa që s’do të ishte çudi që në ndonjë tubim të ardhshëm në trevat e ish-perandorisë komuniste të shqiptoheshin fjalë të ngjashme me ato që At Zef Pllumi u tha italianëve më 2005: ky libër, aq sa për ju, shqiptarët, është shkruar për ne, sllovakët, hungarezët, rusët…”.

E pra, tek ato tre pika vijuese gjenden pa dyshim edhe italianët, që rrezikojnë të mos e kuptojnë deri në fund librin e jashtëzakonshëm të fratit shqiptar.

Bibliografi

At Zef Pllumi mes shkrimit dhe historisë, aktet e konferencës shkencore të organizuar nga Instituti i kërkimeve politike “Alcide De Gasperi”, Tiranë 2008, f. 12.

Ardian Ndreca, At Zef Pllumi: Ai që dinte me bashkue në emën të shpirtitIn memoriam At Zef Pllumi, “Hylli i Dritës” (1/2008), Shkodër, f. 13.

Edmond Çali, Il dissenso nella letteratura del realismo socialista albanese. Kasëm Trebeshina, Zef Pllumi e Ismail Kadare, temë doktorature, Napoli 2009.

Ismail Kadare, Një vepër për ndërgjegjen tonë, “Hylli i Dritës” (1/2008), Shkodër, f. 33.

Shtypi italian e shqiptar.

Advertisements
%d bloggers like this: