MJAFT OPOZITËS

Vlerësimi që lëvizja “Mjaft” i bëri punës së qeverisë Rama pati jehonë të madhe në shtyp. Ishte fjala për një raport të posaçëm për rezultatet e analizës së 100 ditëve të para të qeverisë shqiptare. Lëvizja “Mjaft” praktikisht monitoroi premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale dhe më pas realizimet e tyre, në kuadrin e një projekti të quajtur Vërtetëmatësi. Rezultatet e studimit u bënë të ditura përballë mediave të cilat, siç e thamë në fillim, u treguan të interesuara duke e informuar publikun gjerësisht.

Ajo që u vu re ishte diferenca e madhe në informacionin që iu dha publikut. Gazeta Panorama, shkrimin për raportin e Mjaft-it, e titullonte kështu: “Qeveria mbajti 7 premtime në 100 ditë”. Teksti i artikullit, natyrisht ishte më i detajuar: “Del në përfundimin se nga 17 premtime, janë mbajtur vetëm 7 prej tyre, 8 premtime nuk janë realizuar, ndërsa dy prej tyre janë ose të paqarta ose të pjesshme”.

Bota sot përdorte një titull më informativ: “100 ditët e qeverisë Rama, raporti i Mjaft: Nga 17 premtime u realizuan vetëm 7”. Po kështu, por në mënyrë më sintetike, gazeta Koha: “Mjaft: qeveria Rama realizoi 7 nga 17 premtimet”. Në të njëjtën linjë mund të gjenden edhe organe të tjera informative.

Pak më ndryshe e trajtoi lajmin gazeta Tema: “100 ditët e para të Qeverisë/ Mjaft: Qeveria përmbushi premtimet kryesore”, çka tregoi se e përditshmja shqiptare e shikon gotën të mbushur përgjysmë. Më optimist u duk qëndrimi i televizionit Vizion plus: ““Mjaft”: Qeveria mbajti premtimet”. Natyrisht nuk qenë organet e vetme që e lexuan raportin në këtë mënyrë. Për t’u veçuar gazeta “Shqiptarja” që titullonte “Mjaft: Në 100 ditët e qeverisë nga 17 premtimet PS realizoi 7“, por që jepte jo vetëm reportazhin në video, por bashkëlidhte edhe raportin origjinal në formatin pdf.

Nga ana e përkundërt, pati media që e panë ndryshe gotën proverbiale. Televizioni Klan ishte më i qartë në qëndrimin e vet, duke nënvizuar aspektet negative të raportit. “Edhe Mjaft i zhgënjyer nga qeveria Rama”, ishte titulli i shkrimit të tij. Tërhiqte vëmendjen paragrafi i parë i shkrimit, ku thuhej se jo vetëm opozita, por edhe organizata Mjaft mendonte se qeveria nuk i kishte mbajtur premtimet e bëra. Në shkrim, Mjaft-i cilësohej si organizatë e pavarur edhe pse nga gjiri i saj kanë dalë shumë drejtues që i janë bashkuar Partisë socialiste.

Përveç paraqitjes bipolare të mediave, kemi edhe një tjetër element me interes: tani e tutje, mund të thuhet pa frikë se koncepti i 100 ditëshit ka hyrë zyrtarisht në ritualet e politikës shqiptare, meqë tashmë po fiksohet në kujtesë nëpërmjet studimeve të posaçme.

Por ajo që është më e rëndësishme, fshihet në rolin që lëvizja Mjaft luan në skenën politike shqiptare. Pavarësisht nga gjykimet që mund kemi për raportin interesant Vërtetëmatësi, veprimtari të këtij lloji, dashur pa dashur, i japin Mjaft-it një rol kontrollues ndaj qeverisë, çka mbetet në realitet detyrë kryesore e opozitës. Kjo nuk do të thotë se organizatat jo qeveritare nuk mund ta thonë mendimin e tyre për punën e qeverisë, por që këto nisma me karakter të përgjithshëm politik i heqin vizibilitet, në mos hapësirë, kryesisht opozitës. Në fakt, jo çfarëdolloj opozite, por asaj konstruktive, të moderuar, për sa kohë raporti i lart cituar jep meritat dhe të metat e qeverisë, pra duke analizuar premtimet dhe realizimin e tyre. Kjo është aq e vërtetë saqë mediat zgjedhin nga raporti çfarë duan të komunikojnë.

Diskutime e spekulime për qëllimet e Mjaft-it mund të bëhen plot, duke filluar nga ricilësimi i identitetit në këtë fazë të re të politikës shqiptare – që shkon ndesh me “antagonizmin” e shprehur nga vetë emri -, për të vijuar me lidhjet e supozuara me Partinë Socialiste, por do të ishte e udhës që reflektimet të fokusoheshin mbi rolin e opozitës shqiptare, që në këto çaste ka disa vështirësi për ta krijuar profilin e saj të vërtetë, duke lënë hapësira bosh nga ana e veprimit opozitar.

Siç dihet, sikurse natyra, edhe politika nuk e pranon zbrazëtinë si koncept.

Advertisements
%d bloggers like this: