GJUHA E DINJITETIT

libra me shkronjaÇfarë reagimi kemi kur na dërgojnë sms të shkruara mirë, kur na flasin me shqipe të rregullt në telefon, kur lexojmë komente pa gabime në internet, ose kur dëgjojmë një intervistë me gjuhë të këndshme? Mendoj reagim pozitiv, ose të paktën ashtu duhet të jetë normalisht.

Kënaqësia nuk është vetëm estetike, sidomos kur bëhet fjalë për komunikime ku stili nuk ka ndonjë peshë të veçantë, siç mund të jetë për shembull një letër zyrtare, ose komunikatë shtypi. E megjithatë, duke filluar nga vërtetimi i shkruar qartë, e deri tek vendimi i gjyqit, ose mesazhet në Whatsapp, gjuha e rregullt, pa gabime gramatikore e ortografike, me shenjat e duhura të pikësimit, na shkakton një farë ndjesie pozitive.

Kohët moderne të komunikimit të shpejtë, nëpërmjet sms-ve, cicërimave, mesazheve në rrjetet sociale, bisedave në linjë, na kanë çmësuar disi me gjuhën e saktë, për sa kohë mjete të tilla ta imponojnë shpejtësinë e përgjigjes, duke shkaktuar si rrjedhim mosrespektimin e rregullave drejtshkrimore, madje duke birësuar një lloj gjuhe që pak i ngjason klasikes, d.m.th. gjuhës së shkruar me të cilën jemi mësuar në libra. Gjuha e përftuar në kohërat e internetit, kryesisht në mjetet ku mesazhet duhet të jenë të shpejta e të shkurtra njëkohësisht, na i ul detyrimisht kërkesat për gjuhë të saktë, ndaj edhe shkurtimet e shumta, emotikonet me fytyrëza shprehëse, shenjat e pikësimit, bëhen shpeshherë opsionale e pa ndonjë rëndësi të veçantë.

Nuk duhet ta ngatërrojmë gjuhën e saktë, pra atë që respekton rregullat gramatikore, me regjistrat e komunikimit. Një shok i ngushtë, që do të më shkruante me gjuhë erudite për të më pyetur nëse më kaloi gripi, sipas gjasës do të shkaktonte efekt të përkundërt, përderisa jemi rritur bashkë dhe kemi përdorur gjithnjë forma informale në komunikim. Me fjalë të tjera, nuk do të ishte mënyra më e mirë për të më dëshmuar afërsinë dhe miqësinë e vet. Në këtë kuadër futet edhe përdorimi i dialektit, që pasi instaurohet si gjuhë komunikimi mes dy a më shumë personave me të njëjtën prejardhje, do të interpretohej krejt ndryshe në rast kthimi mbrapa, sidomos nëse nuk do të ishte justifikuar nga rrethana të caktuara. Pra është normale që në kontekste të veçanta të përdoren regjistra të ndryshëm, meqë në kafene, në restorant e në krevat flasim ndryshe, por në klasë, në familje, ose përballë një mikrofoni flasim në mënyrë tjetër.

Megjithatë, në cilindo kontekst që të jesh, gjuha e qartë dhe e rregullt vlerësohet instinktivisht. Në pamje të parë kjo vjen ngaqë respektohen rregullat e komunikimit, përfshirë ato gjuhësore. Kjo do të thotë se mund t’i flasësh mikut pa e masakruar gjuhën shqipe, mund t’i drejtohesh komshiut pa i rënë në qafë gramatikës, mund t’i shkruash koleges pa i bërë lesh e li rregullat e drejtshkrimit, mund t’i komunikosh publikut pa e sakatuar sintaksën. Siç dihet, edhe shenjat e pikësimit – që në disa kuvende rrezikojnë shuarjen nga faqja e gjuhës – janë shpikur për ta lehtësuar komunikimin njerëzor, jo për ta çoroditur. Gjuha e saktë, me pak fjalë, është funksionale.

Në të vërtetë, gjuha e rregullt nuk duhet vlerësuar sepse dëshmon përgatitje kulturore, as ngaqë përbën vajin e domosdoshëm për mekanizmat e komunikimit, por mbi të gjitha sepse është tregues i respektit ndaj tjetrit. Kontekstet, sikurse regjistrat, mund të ndryshojnë edhe brenda ditës, nga dialekti në standard, por përdorimi i një gjuhe të rregullt do të thotë kryesisht respekt ndaj bashkëfolësit. Leksikologu italian Silverio Novelli, midis të tjerash autor i librit “Thuhet? Nuk thuhet? Varet” (Si dice? Non si dice. Dipende, Laterza 2014), shkon edhe më tej kur shprehet: “Respektimi i gramatikës gjatë të folurit e të shkruarit është çështje dinjiteti personal dhe pranimi të dinjitetit të bashkëbiseduesit”. Më tej shton se respektimi i rregullave gjuhësore është edhe pasqyrë e shëndetit të vendit.

Si duhet t’i kuptojmë pohimet e mësipërme?  Për këtë mund të na vijë në ndihmë një thënie e njohur e shkrimtarit portugez Vergílio Ferreira, sipas të cilit “gjuha është vendi nga ku shihet bota e ku përvijohen kufijtë e mendimeve dhe ndjenjave tona. Nga gjuha ime shikohet deti. Nga gjuha ime dëgjohet zhurma e tij, sikurse nga gjuhë të tjera do të ndihet ajo e pyllit ose heshtja e shkretëtirës”. Këto fjalë na e përçojnë gjuhën me një përmasë tjetër, më të prekshme, më materiale, më të dukshme. Si të thuash, gjuha jo vetëm flitet në një vend, ose territor të caktuar, por edhe ajo vetë mund të konsiderohet si një vend i posaçëm.

Ky vizion i gjuhës si hapësirë mbështetet edhe nga vetë karakteri material i saj; në fakt, gjuhës nuk i mungojnë shprehjet konkrete sikundër janë tingujt, shkronjat, fjalët. Kjo është aq e vërtetë saqë ndonjë studiues si Roberto Mulinacci e konsideron gjuhën si “shtëpi për t’u bashkëjetuar e kufij për t’u kaluar […] Gjuha është në thelb një çështje hapësire: fizike, historike, relacionale. Mbajtëse e vizionit të botës, por edhe objekt i vështrimit të botës”. Pavarësisht, se studiues të tillë e kanë parë gjuhën kryesisht brenda kuadrit gjeostrategjik, ku territori dhe gjeografia e kushtëzojnë këndvështrimin ndaj saj deri në skajshmëri, duke e konsideruar shpeshherë si mjet pushteti, nuk mund të mohohet se gjuha e ka përmasën materiale, një lloj trupësie, për sa kohë mbështjell dhe bujt identitetin tonë, duke i mbijetuar brezave, por duke i ruajtur në kohë shenjat e tyre.

Në qoftë se do ta huazonim metaforën e shtëpisë, e do të vijonim me të në kërkim të tipareve të gjuhës, do ta pranonim se hapësira e përbashkët e një komuniteti kërkon midis të tjerash rregulla të përbashkëta, përndryshe rreziku i anomisë është prapa derës. Në shtëpi, asnjë familje nuk mund të bashkëjetojë e të merret vesh pa respektuar rregulla të përbashkëta. Ndoshta e tepërt të shtohet gjithashtu se shtëpia ka nevojë për zbukurime e për meremetime të vazhdueshme, me qëllim që ta ruajë rolin e saj si strehë e ngrohtë e familjes dhe e riprodhimit të saj. Ata që e konsiderojnë si han, sa për të cituar ndonjë prind të dikurshëm, ose si hotel, sa për të përmendur ndonjë baba modern, nuk i bëjnë mirë shtëpisë sepse e përdorin atë keq, duke treguar në radhë të parë mungesë respekti.

Për t’iu kthyer përdorimit të saktë të gjuhës, duhet pranuar se në Shqipëri ka kohë që shtëpia e shqipes korrekte cenohet nga gjithfarë agjentësh atmosferikë. Nga një anë era e acartë e ideologjive, me diskutimet për lashtësinë, purizmin, unicitetin, pasurinë, etj., nga tjetra reshjet e vazhdueshme të përdorimit të gabuar në komunikim, pa folur për tërmetet demografike dhe furtunat sociale.

Skizofrenia e qëndrimit tonë ndaj gjuhës shkon deri atje sa diskutojmë publikisht për prejardhjen e shqipes nga pellazgjishtja, ose për pastërtinë nga fjalët e huaja, duke përdorur një shqipe të çalë, çka tradhton retorikën me të cilën trajtohet argumenti i gjuhës, pa i dhënë realisht prestigjin e duhur. Shumëkush harron se komunikimi me shqipe të saktë është shprehja më e mirë e dëshirës për të ndenjur bashkë në të njëjtën banesë në mënyrë të respektueshme. Fakti është se shtëpia e shqipes ka nevojë të jetohet, pra të lëvrohet si gjuhë sidomos në sferën publike, duke filluar nga mirëmbajtja drejtshkrimore, deri tek pasurimi leksikor dhe njësimi terminologjik.

Sidoqoftë, sfidat e shqipes në të ardhmen nuk mund të përballohen pa e konsideruar përdorimin e saj si shenjë dinjiteti dhe respekti të ndërsjellë.

Bibliografi

R. Mulinacci, La geopolitica delle lingue in poche parole, revista “Limes”, Roma 2010, 3/2010, ff. 7 – 12

A. Vehbiu, Kur flasim për shqipen, Peizazhe të fjalës, 23 shkurt 2010

Intervista e Silverio Novelli, Lingua, i nuovi tribuni sono i tuoi nemici, Avvenire, 27 shkurt 2014.

Konferenca shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, Durrës, më 15, 16 dhe 17 dhjetor 2010, në Peizazhe të fjalës.

Vergílio Ferreira, “A Voz do Mar”, në Espaço do Invisível 5, Lisboa, Bertrand, 1999, ff. 83-84. (Uma língua é o lugar donde se vê o Mundo e em que se traçam os limites do nosso pensar e sentir. Da minha língua vê-se o mar. Da minha língua ouve-se o seu rumor, como da de outros se ouvirá o da floresta ou o silêncio do deserto. Por isso a voz do mar foi a da nossa inquietação) Në anglisht mund të lexohet këtu.

Advertisements
%d bloggers like this: