MUAJI I MJALTIT

zemer ne rereMuaji i mjaltit në kuptimin fillestar është periudha e parë e martesës. Thonë se shprehja vjen nga kohë të largëta përderisa përdoret në shumë gjuhë të botës, ku fjala muaj jepet shpeshherë me hënën (en. honeymoon, fr. lune de miel, it. luna di miele, es. luna de miel), por pa ia ndryshuar kuptimin dhe ëmbëlsinë. Detyrën për t’ia gjetur origjinën fjalës “mjaltë” brenda togfjalëshit, po ua lëmë të tjerëve.

Fakt është se muaji i mjaltit, përveç nga çiftet para e pas martese, përdoret në botë edhe në politikë. Shprehja shënjon periudhën kohore menjëherë pas zgjedhjeve, gjatë së cilës qeveria fitimtare gëzon “mirësinë” e opinionit publik, të mediave, të qytetarëve në përgjithësi. Studiuesit e shpjegojnë me kapitalin politik të përfituar gjatë fushatës elektorale dhe me pritshmërinë e krijuar para e pas zgjedhjeve.

Klima pozitive që rrethon qeverinë e re gjenerohet gjithashtu nga mekanizma të thjeshta psikologjike, për sa kohë çdo qytetar, madje edhe më opozitari, arsyeton me një farë tolerance. Një qeverie të porsavotëbesuar nuk mund t’i kërkosh shumë, sepse i duhet kohë për ta marrë situatën në dorë. Ministrat vetë kanë nevojë për një periudhë të caktuar për t’u ambientuar me problemet, praktikat e hapura, funksionarët, nëpunësit, etj. Të gjithë kanë nevojë gjithsesi për të marrë në dorëzim zyrën, për të pastruar tryezat e punës dhe për të gozhduar kornizat e rastit.

Sa zgjat muaji i mjaltit në politikë? Nuk ka periudhë të sanksionuar me ligj, por dihet që nuk është një muaj fiks siç e thotë shprehja. Mund të jenë edhe disa muaj. Thuhet se muaji i mjaltit përkon me 100 ditët e para të qeverisë. Këtu na duhet të kujtojmë diçka për këtë numër “magjik”. Mendohet se miti i 100 ditëve ka lindur gjatë periudhës së Roosevelt-it më 1933-in, që më pas u ripërtërit nga pasardhësit e tij deri në ditët e sotme me Obamën. Në realitet, nuk ka ndonjë arsye logjike që bilanci i parë të bëhet pikërisht pas tre muajsh e kusur ditë. Përse jo, ta zëmë, pas pesë muajsh, ose 200 ditësh, në rast se na tërheqin numrat e plotë me zero?

Tradita ndërkombëtare e 100 ditëve ka trokitur edhe në derën e politikës shqiptare. Pak kohë më parë Rama zhvilloi një konferencë të posaçme shtypi për të bërë bilancin e 100 ditëve të para të qeverisë së tij. Ja disa artikuj shtypi që përshkruanin ngjarjen: 100 ditët e para të qeverisë Rama, Rama 100 ditë, prezantohen reformat e Qeverisë, Rama: Përmbushëm prioritetin për një qeveri të njerëzve, 100 ditët, Rama: Mbajtëm premtimet. Në të vërtetë, nuk është i vetmi kryeministër që ka marrë në shqyrtim këtë periudhë “magjike”. Edhe Berisha në vitin 2009 e respektoi ritin e krijuar: Kryeministri Berisha mbi 100 ditët e para, Berisha: 100 ditët e para, bilanc pozitiv, Berisha: “100 ditët historike të qeverisë time”

Që miti i qindëshes së parë ka zënë rrënjë e vërtetojnë edhe pritshmëritë që qarkullojnë për këtë periudhë. Mediat u kërkojnë politikanëve pronostikimet pikërisht për këtë periudhë, sapo i fitojnë zgjedhjet. Në një intervistë të njohur në televizion, kryeministrit shqiptar iu bë kjo pyetje: “Cilat do të jenë 100 ditët e para të qeverisë së “Rilindjes”?” Nga ana tjetër, pikërisht për këto ditë bëhen anketime të ndryshme online (Rezultati i Sondazhit: Si do të vlerësonit 100 ditët e para të qeverisë Rama?), çka tregon se tashmë numri është popullarizuar.

Megjithatë thelbi qëndron gjetiu, pavarësisht numrit të saktë të ditëve pas krijimit të qeverisë. Muaji i mjaltit për çiftet e porsamartuara përfytyrohet të jetë muaji i ëndrrave, i dashurisë, i qetësisë, i lumturisë. Zakonisht çifti e kalon muajin e mjaltit me pushime, gjatë të cilave mund të “hidhen themelet” e ndonjë jete të re. Praktikisht është muaji i mirëbesimit, i kënaqësisë, i moskokëçarjes. Të metat nuk falen, sepse nuk dallohen fare.

Paralelizmi me politikën është i thjeshtë. Gjatë muajve të parë, të metat e qeverisë – edhe kur dallohen – harrohen menjëherë. Justifikimi është në majë të gjuhës, sepse e reja ka aftësinë për t’i magjepsur disi njerëzit. Jehona e urimeve dhe festimeve për fitoren është ende në veshët e gjithkujt. Nga ana tjetër, pas andrallave, zhurmës dhe lodhjes së zgjedhjeve, qytetarët preferojnë pak qetësi.

Problemi më i madh i muajit të mjaltit është se një ditë mbaron.  Vjen një çast që çiftit i duhet të përgatisë valixhet, të bëjë kontrollin e mërzitshëm në aeroport, të kthehet në shtëpinë e pluhurosur e të zhytet në përditshmëri. Është rutina që i zgjon njerëzit nga hipnoza e risisë dhe e moskokëçarjes. Në këtë periudhë çifti fillon ta dallojë se trëndafili ka edhe gjemba. Kjo ndodh pak a shumë edhe në politikë. Pas efekteve speciale të risisë qeveritare, njerëzit fillojnë t’i hapin sytë më mirë, duke u bërë më pak tolerantë. Kjo mund të shkaktohet edhe për faj të pritshmërisë së krijuar në kohën parazgjedhore. Sa më e lartë të jetë ajo, aq më i mundshëm bëhet zhgënjimi. Nga një qeveri që ka ardhur në pushtet me qëllime revolucionare e me premtime spektakolare priten rezultate të shoqëruara me fishekzjarrë. Zhgënjimi i afrohet pragut edhe pa mbushur njëqind ditët.

Me kalimin e kohës administratorët e rinj të pushtetit humbasin edhe alibinë e qeverisjes së mëparshme. Brenda muajve të parë, është bërë tashmë sport ndërkombëtar, kritikohet ashpër menaxhimi pararendës. Si edhe në Shqipëri, zbulohen llogari të mbrapshta, borxhe, korrupsione, djallëzi të ndryshme, të bëra e të pabëra, të vërteta e teprime. Është pjesë e lojës politike. Mirëpo kjo teknikë nuk mund të përdoret sine die. Me fjalë më shqiptare vjen një moment që i del boja, sepse nuk mund t’i akuzosh për dëmet në kiç ose në bash ata që e drejtonin anijen dy vjet më parë. Edhe sikur të ishte e vërtetë ke pasur kohë ta riparosh ti vetë, pa humbur kohë me ankesa.

Aspekti më pozitiv i muajit të mjaltit në politikë është se gjatë kësaj periudhe qeveria i ka duart disi të lira për të ndërmarrë reforma madhore, madje edhe të dhimbshme nga pikëpamja sociale. Më pas gjërat ndërlikohen pak. Historia botërore tregon se gjatë muajve të parë janë realizuar objektivët më ambiciozë, sepse më vonë hovi fillestar vjen duke e humbur energjinë e vet.

Tani, shumëkush prej nesh mund të pyesë nëse për qeverinë shqiptare muaji mjaltit ka mbaruar. Nuk kam ide të saktë, sepse muaji i mjaltit nuk është periudhë fikse, por dihet që muaji mjaltit mbaron për çdokënd. Herët a vonë. Këtë e di edhe vetë qeveria Rama. Megjithatë, mbarimi i muajit të mjaltit nuk përkon me mbarimin e përvojës së bukur; në fund të fundit, tek vështirësitë e jetës së përditshme dallohet dashuria e vërtetë që i reziston kohës. Në këtë kuptim, muaji i mjaltit i tërheq urimet për përjetësi, sikurse ato për përfundim të shpejtë. Kundërshtitë e zakonshme njerëzore.

Advertisements
%d bloggers like this: