BOJAXHIU NË ART

bojatisjaNë Bari, një pastruese e muzeut mblodhi gabimisht disa vepra arti dhe i hodhi në kazanët e plehrave. Në Ravena disa muratorë stukuan një vrimë në mur që ishte vepër e një artisti të njohur. Dy incidentet e fundit të artit, me të cilat Xhaxhai na ilustroi dilemën e pastruesit, janë aktuale por jo të vetmet. Në vitin 1978 gjatë Biennale-s së Venecias, disa bojaxhinj i dhanë një dorë vaj asaj që atyre iu duk një derë e rëndomtë, por që në të vërtetë ishte vepra artistike 11, rue Larrey, Paris e Marcel Duchamp. Thonë se zelli i tepruar i bojaxhinjve i kushtoi Biennales një thes me parà, meqë në atë kohë veprat e artit nuk siguroheshin me çmime të ekzagjeruara, siç bëhet sot kundër dëmtimeve të ndryshme. [1]

Francezi Duchamp është një nga artistët më të njohur të artit “ready-made”, një nga eksponentët e dadaizmit e të surrealizmit që nga dhjetëvjeçarët e parë të 1900-s. I njohur për urinoren e famshme prej qeramike të ekspozuar më 1917 dhe për mustaqet e pikturuara mbi fytyrën e Gioconda-s, ka provokuar gjithnjë me idenë tij origjinale të artit që shpesh fillonte e mbaronte me efektin surprizë. Duchamp është konsideruar si një nga pararendësit e artit që anashkalon cilësinë estetike të veprës së artit për t’i dhënë peshë aspektit intelektual, duke e reduktuar ligjërimin artistik në vlera ngushtësisht subjektive.

Dera si vepër arti, kishte qenë në realitet dera e studios së Duchamp-it. Shtypi bëri me dije se bojatisja e derës u konsiderua dëm i madh nga Gjykata e Venecias, e cila vendosi që koleksionisti i veprës të dëmshpërblehej.  Para se të jepnin vendimin përfundimtar, gjykatësit i kishin kërkuar një ekspertizë prof. Raffaele De Grada, që e kishte shprehur kështu mendimin  e vet: “Jemi përballë një sendi të vjetër të mitizuar e të sakralizuar, që ka kuptim artistik vetëm sepse ajo derë e vjetër, e pistë e pa kuptim, është përdorur dikur nga Duchamp që i ka vënë firmën e datën, duke i dhënë nga ai çast e tutje një vlerë prej fetishi”.

Polemikat nëse janë apo jo vepra arti provokime të tilla, që përftohen vetëm në kontekst – përndryshe do të Marcel_Duchampishin sende pa kurrfarë vlere artistike e krejt banale –, edhe pse të ligjshme, do të tingëllonin si vijim i të vjetrave, përderisa diskutimet e dyshimet  ende nuk kanë përfunduar. Debate të tilla, për artin trash, mund të ndizen edhe nga incidentet aktuale, si ato të mësipërmet, ku punëtorët e thjeshtë i ngatërrojnë veprat e artit për sende banale. Në fakt, edhe për urinoren e famshme nuk do të kishte qenë çudi e madhe sikur të ishte ricikluar, ose hedhur në kazan si mbeturinë, nga hidrauliku i radhës që kontrollonte banjat e ekspozitës.

Çfarë kanë të përbashkët këta bojaxhinj, muratorë dhe pastrues të ekspozitave? Pa dyshim i bashkon ndërveprimi me sendet e muzeut dhe ndërhyrja ndaj tyre. Ka nga ata që e krahasojnë ndërhyrjen e punëtorit me rolin aktiv të spektatorit ndaj veprës së artit, madje e vlerësojnë naivitetin dhe bonsensin e atyre që në realitet nisen për mirë, për të korrigjuar mungesën e kulturës, ose pavlerën e “veprave artistike”.

Mirëpo, ky këndvështrim, pavarësisht se mund të jetë përftuar nga simpatia që ngjallin akte të tilla instiktive, nuk mund të vihen në të njëjtin plan me “lector in fabula”, sa për ta thënë me titullin e librit të mirënjohur të semiologut Umberto Eco. Me fjalë të tjera, roli i lexuesit të veprës së artit është vërtet aktiv në interpretimin e saj, sepse lexuesi ose spektatori ndërhyn me njohuritë e veta gjatë procesit të zbërthimit të tekstit, mirëpo duhet pranuar se zelltarët e ndryshëm nuk rikrijojnë premisat e semiozës tekstuale për faktin e thjeshtë se nuk e pranojnë veprën e artit si të tillë.

Më thjeshtë: bojaxhiu ose pastruesi nuk e hodhën sendin sepse e konsideruan si vepër të rëndomtë artistike, por sepse nuk e njohën atë si vepër artistike. Incidentet, në fakt, janë pjellë e keqkuptimit, ngaqë sendet janë marrë si plehra për t’u pastruar e jo si vepra për t’u lexuar. Në këtë kuptim, xhenuiniteti i korrigjuesve duhet kuptuar edhe si pasojë e mungesës së paktit midis autorit e spektatorit, meqë vera e artit nuk u pa si e tillë. Këtu roli i kontekstit është vendimtar, por edhe vetë konteksti është viktimë e vetvetes, meqë i njëjti vend që për qytetarin e thjeshtë përbën vendin ideal të ekspozimit të artit, është vendi i punës së punëtorit çfarëdo, i cili shfrytëzon përvojën e vet për dallimin e artit nga plehrat, ndaj edhe e ka të vështirë t’i dallojë kartonët, derën, vrimën, oturakët, nga sendet artistike.

tre burra dhe nje kembeTek filmi i njohur italian “Tre burra e një këmbë” (1997), me humoristët e njohur Aldo, Giovanni e Giacomo, ka një protagoniste të çuditshme: skulptura prej druri me formën e këmbës të një skulptori avangardist. Vepra është blerë nga vjehrri i njërit prej humoristëve, i cili shpreson të fitojë shumë nga shitja, meqë autori i veprës është duke vdekur, si rrjedhim mendohet se vlera do të rritet. Këmba prej druri kalon peripeci të jashtëzakonshme: qeni e përmjerr, shokët e përdorin si portë futbolli në plazh, dikush e hedh në lumë. “Edhe zdrukthëtari im kishte për ta bërë më të bukur”, thotë njëri nga protagonistët kur merr vesh për koston e saj. Metafora e artit trash e të komercializuar është mëse e qartë. Kontrasti me ndjenjat e vërteta po ashtu (historia e dashurisë që lindi gjatë udhëtimit).

Dilema e pastruesit është edhe dilema jonë, në kuptimin që edhe ne, në atë masë që ai nuk e dallon, jemi viktima të kontekstit, me ndryshimin që neve na shfaqet në çastin e prerjes së biletës.

Bibliografi
Xha Xhai, Dilema e pastruesit, Peizazhe të fjalës, 19.2.2014.
Roberto Bianchin, Verniciarono un Duchamp ‘Era una semplice porta’, La Repubblica, 13.2.1987.
Duchamp, Marcel, Enciclopedia Treccani, 2005.
Nino Mater, Se l’opera d’arte è colta in fallo, il Giornale, 22.04.2010.
Maurizio Cecchetti , E l’arte spazzatura… finisce nel bidone, l’Avvenire, 22.2.2014
Filmi “Tre uomini e una gamba”, 1997.
Rizzoli Larousse, Enciclopedia Tematica, Arte, Milano 2005.
Advertisements
%d bloggers like this: