SELFIE

foto-selfieU desh të vinte 2014 që unë ta vija në jetë fjalën e vitit 2013. E pranoj, pak me vonesë, gjithashtu me tendencën globale, megjithatë e realizova. Po flas për fjalën e vitit 2013, që u zgjodh nga prestigjiozi Oxford English Dictionary, pra të famshmen selfie. Pse e bëra është histori më vete, megjithatë rëndësi ka rezultati. Në të vërtetë bëra një gjysmë selfie, sepse në qoftë se me këtë fjalë nënkuptojmë fotografinë që ia bëjmë vetes me celularë modernë, për ta botuar më pas në rrjetet sociale, pjesën e dytë të procesit ende nuk e kam kryer. Ndoshta për t’i kursyer vetes komente sikletuese, ndoshta për t’u mos u homologuar tërësisht; ndoshta për asnjërën nga këto arsye.

Tani, le ta themi që në fillim se mua më vjen pak keq për fjalën selfie. Nuk ka dalë ende nga materniteti, nuk është përkthyer akoma në të gjitha gjuhët e botës, ndërkohë të gjithë i janë qepur me bukë në torbë, ja për ngjashmërinë fatale me fjalën selfish, ja për smirën që ngjall si fenomen. Djem e vajza të bukura, gjysmë të veshur e gjysmë të zhveshur, që i shkrepin fotografi vetes lumturisht dhe ia hedhin publikut pa teklif si mishin luanit në kopshtin zoologjik. Vetëm që shpeshherë – por ky është efekt i bollëkut – “publiku luan” është i tejngopur dhe as që e kthen kokën nga copat e mishit fotografik.

Të flasësh keq për fenomenin selfie është bërë sport i gjithanshëm. Por kësaj i thonë të qëllosh jo mbi Kryqin e Kuq, por mbi turmën, pa asnjë dallim. Meqë ra fjala, turma nuk do të arrijë kurrë të bëjë një selfie. Ky është limiti i selfie-t apo i turmës? Apo kemi të bëjmë me sipëri? Nejse, të flasësh keq për selfie-n është bërë modë. Tek e fundit, çdo modë e ka një antimodë. Le të shohim se ç’thuhet përgjithësisht për këtë dukuri sociale.

Ka nga ata që shohin tek fotografia selfie një formë të përhapur të narcizizmit. Nuk janë larg realitetit, po të kemi parasysh procesin e vetëfotografimit me celular. Pasi shkrepet një selfie, akti i parë është shikimi i fotografisë në ekran, çka e shndërron smartphone-n tënd në pasqyrë të njëmendtë. Dallimi i vetëm është se pasqyra ta rikthen imazhin në kohë reale, ndërsa fotografia disa sekonda më vonë. E çfarë ndryshoi ndërkohë? Pothuajse asgjë. Këtë efekt ta jep edhe aparati fotografik digjital, sepse e shikon menjëherë rezultatin mbi ekranin e vogël.

Asgjë të përbashkët nuk kemi me periudhën e fotografive me celuloid, kur duhet të prisnim me ditë të tëra për ta parë në letër, pas larjes së filmit, artin e shprehur me objektivin e aparatit. Qindra vjet larg duket koha e fotografive bardhezi, që bëheshin nga fotografët profesionistë në lulishten pas statujës së Skënderbeut në Tiranën e para 1990-s. Por të paktën dije me kë të nxeheshe, kur dilje në foto me sy mbyllur, edhe pse fotografin nuk e gjeje dot për ndonjë hakërrimë të shpejtë, sepse studioja ku tërhiqeshin fotografitë ishte larg vendit të “krimit”.

Ka nga ata që e shohin aktin e vetëfotografimit si obsesion që e pezullon përvojën. Studiuesja amerikane, Sherry Turkle, mendon se jemi në epokën e dokumentimit me çdo kusht. Sipas saj, kërkimi i gjurmëve për të vërtetuar ekzistencën tonë na pengon ta jetojmë atë. “Një selfie, si çdo fotografi, e ndërpret përvojën për të shenjuar momentin”. Ka të drejtë. Mirëpo cili është dallimi nga fotografimi kompulsiv për të cilin, ndoshta pa të drejtë, japonezët janë bërë të njohur në botë? Të bësh me mijëra fotografi, duke përdorur edhe aparate automatike që gjuajnë breshëri fotosh në sekondë, a nuk është edhe ky asgjësim i përvojës personale? Patjetër. Do të shtoja se shpeshherë është eliminim i përvojës emotive përballë së bukurës. Ka vizitorë të ekspozitave që nuk përdorin syrin, por objektivin e aparatit, çka përbën edhe një lloj perdeje të padukshme për t’i mbuluar emocionet, për sa kohë fotografia mëton t’i fiksojë ato, ose t’i shtyjë në kohë për t’i shijuar më vonë. Në rastin më të mirë, vizitori e fotografon veprën e artit pasi e shijon emocionalisht, mirëpo shkrepja e fundit rrezikon ta çekuilibrojë gravitacionin magjik të krijuar ndërkohë, ta shuajë vibracionin përballë estetikës së veprës, për t’ua besuar emocionet pixelave të imazhit.

Mirëpo duhet pranuar se selfie ndryshon nga fotografitë logorroike të epokës digjitale. Kryesisht për objektin e fotografisë, çka nxjerr në pah autoreferencialitet të theksuar, që sipas ndonjë psikanalisti tregon një lloj ekzistence problematike që lëkundet e ka dyshime për veten. Mirëpo ky vështrim sikur vihet në dyshim nga të tjerë, si p.sh. prof. Chiara Giaccardi, e cila nuk e pranon as idenë e autoreferencialitetit, përderisa selfie nuk bëhet për vete, por për të komunikuar me të tjerët. Vështirë mos t’i japësh të drejtë, sepse me gjithë mend fotografia e bërë vetë dhe e postuar në internet nuk është gjë tjetër veçse mesazh për të tjerët. Përmasa sociale e këtij akti komunikativ nuk mund të mohohet, ngaqë kërkon bashkëndarje të “përvojës”. Mirëpo këtu, pra me fjalën përvojë, situata ndërlikohet pak.

Karakteristika komunikative e fotografisë së vetëshkrepur duhet parë sa në qëllimin e autorit, aq edhe në medium-in vetë. Do të thosha se vetë përkufizimi i selfie-t e përmban brenda komunikimin, përderisa fati i saj, destinacioni pra, është botimi në rrjetet e ndryshme sociale. Mesazhi i këtyre fotografive moderne është i llojit “ja kush jam”, ose “më ndihmo ta kuptoj veten”, mendon Giaccardi. Ka mundësi që mesazhi njerëzor të jetë i tillë, çka i relativizon akuzat për narcisizëm e fetishizëm që i drejtohen zakonisht. “Tek selfie – shton Giaccardi – fotografia nuk është përmbajtje, por medium, lidhës, ftesë për dialog duke filluar nga përditshmëria e secilit”. E kuptoj ç’thotë  studiuesja italiane, e jam dakord se disa fenomene nuk duhen parë nga “etnocentrizmi breznor”, me skepticizmin e zakonshëm, por duhen kuptuar me themel pa paragjykime.

Megjithatë, disa selfie nuk kanë asnjë kuptim përveç aspektit ekzistencial. Si të thuash, po e bëj fotografinë thjesht për ta bërë, për të komunikuar se ekzistoj, ndoshta më shumë vetes se të tjerëve. Ndryshe është kur “portreti” me iPhone përfshin edhe njerëz të tjerë; në këtë rast kuptimi mund të ishte i qartë, i padiskutueshëm, sikurse vetë dëshira për komunikim. Edhe shpeshtësia e mesazheve e ka semantikën e vet. Oxford Dictionary jep një shembull interesant pas përkufizimi të fjalës selfie: a photograph that one has taken of oneself, typically one taken with a smartphone or webcam and uploaded to a social media website: occasional selfies are acceptable, but posting a new picture of yourself every day isn’t necessary. Me pak fjalë, mund ta bësh por nuk duhet tepruar, edhe nga pikëpamja e komunikimit.

Autoportretet që kemi admiruar në shekuj, të piktorëve më të njohur të botës, a mund të konsiderohen pararendëse të selfie-t? Nuk besoj se duhet të guxojmë deri në këtë pikë, sepse piktura është në thelb interpretim, çka do të thotë se ndryshon nga fotografia e çastit që i bëhet vetes. Nga ana tjetër, ndryshe nga efimeriteti i fotografisë në fjalë, autoportreti me penelat e piktorit synon përjetësinë. Artistja Gillian Wearing, citohet ta ketë cilësuar si brilante fjalën selfie, meqë jep idenë e çastit, të shpejtësisë e të zbavitjes; e ngaqë tingëllon ironike dhe si diçka që hidhet, flaket tej. E përkohshme, me një fjalë. Si rrjedhojë, është krejt ndryshe nga ideja e portretit klasik. Megjithatë duhet pranuar konstatimi se fotografët që kur janë shpikur aparatet e tyre, janë përpjekur t’i bëjnë fotografi vetes; megjithëse shembulli që jep Wearing duket pak si reduktiv, kur citon Cezarin që vuri imazhin e vet mbi monedhat e Perandorisë romake; për motivin e thjeshtë se paraja nuk ka vlerën sociale të selfie-t dhe se qëllimet e imazheve në fjalë janë në thelb të ndryshme.

Personalisht nuk do ta demonizoja kurrë selfie-n si mjet komunikimi. Por që të komunikosh duhet të kesh diçka për të komunikuar, edhe pse maksima e Paul Watzlawick thotë se “nuk mund të mos komunikojmë”. Duke parë shumëzimin viral të autofotografive në rrjetet sociale – falë edhe modës së yjeve të spektaklit, që bëjnë selfie edhe kur janë me grip, pa përmendur rastet e funeraleve – të vjen në mend nga një anë imazhi pozitiv i letrës në shishe, që hidhet në oqeanin e pafund të Instagramit, nga ana tjetër të përftohet imazhi i oqeanit plot me shishe të mbyllura me tapë; sepse në qoftë se të gjithë hedhim letra në shishe, duhet që dikush t’i hapë e t’i lexojë përndryshe do të hasnim, herët a vonë, në probleme ekologjike edhe për hapësirën komunikative.

Si mund ta përkthejmë fjalën selfie në shqip? Vetëshkrepje? Do të kishte ndërlikime kuptimore… edhe pse disa fotografi ngjajnë përnjimend si vetëvrasje pamore. Ka një farë absurditeti tek selfie që bëhet përballë pasqyrës, sepse nuk kuptohet nëse fotografohet imazhi i pasqyruar apo direkt vetja, duke e përdorur pasqyrën si mjet për pozim. Si do ta përfytyronim sot Narcisin përballë pellgut me ujë të kulluar? Me celular në dorë? Sidoqoftë, përfundimi do të ishte i njëjtë, për sa kohë ai u dashurua me veten dhe uji kishte rolin e pasqyrës.

Nga ana tjetër, selfie ka të mirat e veta praktike. Kam vënë re se kohët e fundit janë rralluar kërkesat e turistëve që të kërkojnë t’u bësh ndonjë foto me sfond të bukur. Tani nuk kanë shumë nevojë, madje as për aparate. Fotografitë i bëjnë vetë me aparatet moderne, edhe pse nga ana artistike, le ta themi shkoqur, lënë pak për të dëshiruar. Moda e selfie-t do t’u japë mundësi atyre që kanë pasionin e fotografisë, gjithnjë me aparat në dorë, të duken ndonjëherë në arkivat e fotografive familjare, ku rregullisht mungojnë si armiqtë e dikurshëm në fotografitë zyrtare të Shqipërinë totalitare. Zakonisht, kur shohim fotografi e harrojmë gjithnjë autorin e saj, sepse ajo na e monopolizon vëmendjen. Tani po shkojmë drejt eliminimit fizik të atij që dikur, para se ta shkrepte aparatin, thoshte: “Cheese!”.

Tani le t’i kthehemi gjysmë selfie-t që bëra unë në këtë fillim viti. Pse e bëra? Ja, që të shkruaja këto radhë…por jo për fotografinë në vetvete, se sa për objektin e saj. Njeriun. Sepse ka fotografi që më shumë fshehin se sa tregojnë.

Advertisements
%d bloggers like this: