KUR FLET SËPATA

 dru-me-sepateNë pamje të parë dy janë armiqtë e pyjeve: në verë janë zjarret, në dimër janë prerjet. Në Shqipëri prej vitesh po bëhet kërdia mbi pyjet, si gjatë stinës së verës ashtu edhe gjatë dimrit; madje në mënyrë proporcionale, sa më e nxehtë është vera, aq më shumë bie zjarri në pyje, sa më i ftohtë është dimri aq më shumë i bie sëpata drurëve.

Po t’i referoheshim fjalëve, pyjet do të ishin sot pothuajse të paprekura. Kur flitet për pyjet, te gjithë e pranojmë se përbëjnë pasuri kombëtare, me vlera të pallogaritshme për çdo banor dhe në tërësi për bashkësinë. Figurativisht nuk mungojnë as lotët, as klithmat, në kuptimin që nuk mungojnë njerëzit të cilëve u dhembin vërtet pyjet, sikurse nuk mungojnë ata që e kanë ngritur zërin lart prej kohësh. Megjithatë, çdo vit, sipas stinës, pyjet i nënshtrohen masakrimit ritual me bazë stinore.

“Gjirokastër, abuzime me prerjet ilegale, dëmtohen 50% e pyjeve” shkruante para ca kohësh një e përditshme shqiptare (Shqiptarja, 9 janar 2014). Ata që e njohin sadopak gjeografinë shqiptare, e dinë fare mirë se zona e Gjirokastrës nuk është shquar ndonjëherë për pyje, as për prodhim drunor. Megjithatë e ka sipërfaqen e vet të pasur me pyje. Tani, edhe kjo zonë është prekur nga “sëmundja” e dëmtimit të pyjeve. Kjo do të thotë se në zona të tjera, ku ka traditë të shfrytëzimit pyjor, sëpata do të ketë rënë edhe më keq. Në lajmin e mësipërm përcillet deklarata e Shërbimit Pyjor Rajonal, i cili njofton se janë bllokuar katër ngarkesa me lëndë drusore të prera në mënyrë ilegale dhe se janë gjobitur personat përgjegjës. Tani, bllokimi i katër ngarkesave me lëndë druri nuk është ndonjë fitore e madhe, po të mendosh se janë dëmtuar gjysma e pyjeve në atë zonë. Por më e rëndësishme është të kuptojmë se nuk do të jenë masat ndëshkimore ato që do ta ndërpresin agoninë e pyjeve.

Folëm më sipër për zjarrin në verë e për prerjet në dimër. Nuk duhet fantazi për ta imagjinuar se prapa shkrepëses e sëpatës është gjithnjë dora e njeriut. Kush kujton se zjarret në verë bien nga vapa duhet ta ndryshojë mendimin, sepse specialistët e kanë vërtetuar se dukuria e zjarrit për shkaqe natyrale ndodh në vende me kushte klimatike te ndryshme nga ato të vendit tonë. Për prerjet nuk ka pse zgjatemi, e dimë të gjithë se as ariu, as ujku, nuk e presin degën ku janë ulur, siç bën ndonjëherë njeriu.

Siç jemi vënë në dijeni herë pas here nga masmediat, nuk janë kursyer as parqet kombëtare e as masivet  me vlera te veçanta turistike, mjedisore e shkencore, si ato gjatë bregdetit, por edhe në Dajt, Lurë, Theth, Valbonë, Qafshtamë, Llogara, Priskë, etj. Madje nuk janë kursyer as lloje drurësh me vlera te jashtëzakonshme, siç është për shembull gështenja.

Meqë ra fjala, me rastin e prezantimit të librit “Gështenja. Një mike e harruar”, u zhvillua edhe një konferencë ndërkombëtare me titull “Të kultivojmë të bukurën, të mirën, shëndetin, zhvillimin. E ardhmja e pylltarisë prodhuese”, që më shumë se titull ishte program. Më pati rënë në sy atëherë se titulli i librit për gështenjën mund të ndërrohej në “Pylli. Një mik i harruar”, çka nuk do të shkonte larg nga qëllimet e botimit. Në një farë mënyre, gështenja është emblematike: hijeshon, jep ushqim, ofron lëndë drusore. Duket pedante ta përsëritësh, por pyjet janë të lidhura ngushtë me turizmin, mjedisin, shëndetin, ekonominë, etj. Pra me jetën e njeriut.

Në Strategjinë Shqiptare për zhvillimin e sektorit të Pyjeve e Kullotave theksohet me të drejtë se “Pyjet dhe kullotat përbëjnë një  trashëgimi me vlera jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin e më gjerë. Ajo duhet të mbrohet dhe të qeveriset në mënyrë të tillë  që të mundësojë një zhvillim më të madh ekonomik në të ardhmen, duke kontribuar në uljen e nivelit të varfërisë, pa prishur ekuilibrat  biologjike natyrore”. Mirëpo, me sa duket, jemi në nivelin e fjalëve, të formalitetit verbal. Nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. Por jo pylli, i cili rrezikon të zhduket.

Kur lexoj akoma se në Shqipëri pyjet vazhdojnë të dëmtohen, kam frikë se ato nuk janë harruara aspak, sepse zjarret dhe prerjet nuk ndodhin nga moskujdesi, ose nga harresa, por nga babëzia për fitim, ose për shfrytëzim personal. Mbrojtja e pyjeve do të arrihet nga formimi i një kulture të re, jo nga masat e ndryshme administrative që janë të nevojshme, por jo vendimtare.

Personalisht nuk kam pasur kurrë një vizion të skajshëm për pyjet e natyrën, në kuptimin që nuk më tremb shfrytëzimi racional i tyre, përkundrazi më duket se pylltaria moderne është ajo që e respekton pyllin, madje e ndihmon atë të ripërtërihet duke i shërbyer më mirë njeriut. Pyllin dhe njeriun i shoh si dy aleatë, që jetojnë e lulëzojnë në harmoni pranë njëri tjetrit, duke i shërbyer njëri tjetrit. Mirëpo, a mund të ketë harmoni kur tjetri merr në dorë sëpatën e çakmakun?

Advertisements
%d bloggers like this: