LIBRA NË FARMACI

libri me stetoskopKa nga ata që e shikojnë letërsinë si një lloj psikoterapie. Ideja nuk është e re. Por në qoftë se ky konceptim është i vërtetë, atëherë sipas skemës tradicionale e të thjeshtuar “pacienti” është lexuesi, autori ka bluzën e bardhë të mjekut, kurse libri përbën barin e recetës, ilaçin përkatës për shërimin e sëmundjes. Natyrisht, kjo skemë është shumë e brishtë, sepse rolet në procesin e leximit ngatërrohen e shkëmbehen rregullisht. Kështu, vetë shkrimi mund të shihet si terapi për autorin që hedh fjalët mbi letër, kurse për lexuesin autori mund të jetë vetë vepra, çka do të thotë se lexuesi shndërrohet në një farë doktori për vetveten, por edhe libri mund të përfytyrohet me stetoskop në duar. Pa hyrë në labirintet e interpretimeve letrare dhe dinamikave të pasura shkrimtar/vepër/lexues, desha të them që në fillim se më intereson krahasimi i librave me barnat, për të dalë diku tjetër. Prandaj po e marr si të mirëqenë.

Në një shkrim të vetin, gazetari F. Camon propozonte në shtypin italian që librat, nga ana e shtetit, të konsideroheshin si barna, pra me taksa të ulëta e në disa raste të jepeshin falas, sikurse bëhet për diagnoza të rënda ose kronike. Që ka diçka utopike në këtë propozim, autori nuk e mohon, megjithatë ideja mbetet e bukur. Shembulli i të sëmurit nga racizmi, që i rekomandohen libra për vëllazërinë njerëzore, ose shembulli i sëmundjes së fanatikëve fetarë që u këshillohen libra për jetën e misionarëve të krishterë që shkojnë në vende të largëta për t’i ndihmuar, ose vetë shembulli se të internuarit në kampet naziste kërkonin bukë dhe libra njëkohësisht, janë vërtet domethënëse për krahasimin.

Më vijnë ndër mend dy raste gjatë periudhës totalitare. Visar Zhiti, shkrimtar i mirënjohur, dikur viktimë e burgjeve totalitare, ka thënë diku se nëpërmjet librave që lexonin në burg ata kultivonin lirinë. Me sa duket, leximi ishte një lloj “arratisjeje” nga qelitë e burgut, një ilaç kundër trishtimit, pezmatimit, klaustrofobisë… Librat në këtë mënyrë mund të imagjinohen si tableta, por edhe si bombola me oksigjen kundër asfiksisë totalitare.

Kujtoj qartë se në ushtri, ose gjatë zboreve, lexohej shumë libri Ushtari i mirë Shvejk. Unë vetë në atë kohë nuk e kuptoja mirë përse para e gjatë zboreve më gjendej nëpër duar libri i njohur i Jarosllav Hashekut. Të njëjtën gjë bënin miq e shokë, aq sa kur na vinte ndonjë oficer për të na vënë në rresht, fillonin thumbat me batutat e Shvejkut. Sa për kuriozitet, në një periudhë të caktuar flitej se ky libër ishte ndaluar për arsye se denigronte ushtrinë e ushtarakët. Flitej, por nuk besoj se ka pasur ndonjë dekret të hapur. Megjithatë me siguri organet e posaçme e kanë diskutuar si opsion. Gjithsesi, libri qarkullonte me diskrecion nga një dorë në tjetrën. Edhe pse fliste për Luftën e Parë botërore, gjithmonë më ka habitur fakti si e kanë lejuar të botohej, sepse referimet për regjimin, kontrollin policor, ushtarakët, luftën, psikozën e konfliktit, propagandën, etj. ishin lehtësisht të kalueshme në realitetin shqiptar. Nejse, për ne Ushtari i mirë Shvejk ishte përnjimend bar shërues. Ai na ndihmonte t’i kalonim vështirësitë e zboreve dhe egërsinë e sistemit. Me një fjalë: të mbijetonim.

Librat pra, janë barna për sëmundje të ndryshme. Shoqëria shqiptare është e shëndoshë, apo ka nevojë për mjekim? Pyetja është retorike. Shqiptarët, më shumë se kombet e tjera, kanë nevojë të kurohen masivisht me lloj lloj librash. Këto mund të shihen si ilaçe të mjekësisë klasike, por edhe si barna natyrale, me bimë mjekësore, që veprojnë ngadalë por pa efekte anësore. Në fakt, shpeshherë vetë ushqimet janë barna dhe librat hyjnë në kategorinë e ushqimit shpirtëror me veti shëruese. Sëmundjet tipike të shoqërisë shqiptare si egoizmi, korrupsioni, egocentrizmi, amoraliteti, cinizmi, hipokrizia, materializmi, mosrespektimi i Tjetrit, traumat e trashëguara, e kështu me radhë, mund të kuroheshin fare mirë me libra.

Krahasimi i librave me barnat ta nxit imagjinatën. Mendoni për një çast. Librarive u mungojnë vetëm kryqet e gjelbërta dhe simboli i Asklepit. Bibliotekarët e librashitësit nuk janë veçse farmacistë që i këshillojnë qytetarit barin e duhur, por edhe dozat për t’u respektuar. “Jeni i vetmuar? I mërzitur?  Ju këshillojmë librin Tre vetë në një barkë (pa llogaritur qenin) me autor Jerom K. Jerom. Duhet ta lexoni dy herë në ditë, më mirë pas buke”. “Jeni i plogështuar? Ju dhemb pak koka? Nuk keni dëshirë për të dalë? Atëherë filloni terapinë me disa vepra të Emilio Salgarit e Zhyl Vernit. Pastaj ejani përsëri”. “Për moshën tuaj të re do t’ju këshilloja Princi i vogël i Antoine de Saint-Exupéry. Por më pas vijoni me romanin 1984 i George Orwell. Keni për ta parë se ajo ndjenja e konfuzionit, e çorientimit, do t’ju kalojë. Do ta kuptoni të tashmen nga e kaluara. Ose e kundërta”. Çdo të gjenim në kapakun e ndonjë libri të vështirë për t’u kuptuar, ose të papërshtatshëm për moshën, ose përgatitjen? “Nuk jepet pa rekomandimin përkatës”, ose “Mos e tejkaloni dozën e këshilluar”.

E si mund t’i shpëtosh zinxhirit logjik të krahasimit? Në farmaci ka edhe ilaçe të falsifikuara, të bëra keq, të kaluara pa doganë, me doza të gabuara. Ka libra të tillë plot: përkthime të këqija, libra të shëmtuar, krejt të paefektshëm, ose të dëmshëm. Shtriganë që sillen si mjek, manipulues që sillen si shkrimtarë. Megjithësie liria është bujare e ka vend për të gjithë. Por bibliotekarja e ndershme, në ndonjë rast të skajshëm, do të sugjeronte: “Mein Kampf-in mund edhe ta merrni, nuk ju ndaloj, por është helm i gjallë. Duhet të pini menjëherë antidot, merrni këtë librin tjetër, ose ndoshta jeni imunizuar prej tij nga librat e mëparshëm”. Ka edhe raste më “të rënda”: “I nderuar pacient, ju vuani nga Dementia Pelasgica”, ju këshilloj të mos lexoni librat e mëposhtëm, mos kaloni për ca kohë nga libraria. Merrni në bibliotekë klasikët e gjuhësisë shqiptare, ose për ajrim lexoni material të arsyeshëm e qetësues, p.sh. Peizazhe të fjalës, e gjeni falas online“.

Edhe pse i lezetshëm, nuk duhet të kalamendemi pas krahasimit, i cili u bë fillimisht për trajtimin që shteti duhet t’u bëjë librave. Jam mëse i bindur se në Shqipëri librat duhet të konsiderohen si barnat mjekësore. Nga pikëpamja e konsumatorit (lexuesit/pacientit) librat duhet të jenë të lirë e cilësorë. Kjo do të thotë se taksa mbi vlerën e shtuar, ose angari të tjera shtetërore, duhet të zbresin në minimum, ose të hiqen fare, sikurse bëhet me barnat. Për kategori të tëra sociale ato duhet të jepen falas, madje të bëhen fushata intensive profilaktike. Sikurse ilaçet, botimet cilësore kërkojnë paraprakisht studime e kërkime shkencore, çka do të thotë se shtetit i bie barra, pardon shteti ka nderin, madje largpamësinë, që t’i subvencionojë autorët e botuesit bashkë. E kërkon “shëndeti” publik i shqiptarëve. Në këtë mënyrë, kultura do të bëhet jetëgjatë e do të riprodhohet e shëndetshme. Si rrjedhim, e tërë bashkësia do të jetojë cilësisht më mirë.

Tani të më falni, por më duhet të lexoj kapitullin e darkës. Ma kanë dhënë me recetë.

Advertisements
%d bloggers like this: