VESA E MËNGJESIT

Zgjedhjet e fundit shqiptare për parlamentin duken tashmë të largëta. Është shuar prej kohësh edhe jehona e analizave paszgjedhore. Mirëpo heshtja ndonjëherë flet më shumë se zhurma, sidomos kur heshtja bëhet shurdhuese si në rastin e Aleancës Kuqezi. Ku është vallë kjo forcë politike? Çfarë bën? Nuk dëgjohet më. Kemi bllokadë mediatike, apo Akz mund të konsiderohet e mbyllur si përvojë politike?

Është e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetje. Aktivistët e Akz-së me siguri nuk janë dakord. Megjithatë, është fakt, se pas zgjedhjeve të fundit, aktivitetet e kësaj partie, në qoftë se ka pasur, janë pllakosur nga heshtja totale. Si shpjegohet kjo? Nuk mund të akuzojmë mediat, sepse ishin po ato që i dhanë hapësira të jashtëzakonshme kësaj force politike gjatë dy viteve të fundit, sidomos nga përvjetori i Pavarësisë deri në zgjedhjet parlamentare, duke i dhuruar dukshmëri të paparë. Përse do ta bojkotonin tani?

Fenomeni Akz pret ende të studiohet nga politologët shqiptarë, anipse, e pranoj, nuk mund t‘ia dorëzojmë çështjen historianëve.  Fakti është se nga dukshmëria e lartë në media, ku tregonte aktivizëm e energji të lartë, kjo forcë politike kaloi pothuajse në harresë, e nga pikëpamja e veprimtarisë pothuajse në letargji dimërore. E njëjta gjë mund të thuhet për praninë e jashtëzakonshme në rrjetet sociale. Pa pritur, pa kujtuar, aktiviteti i Akz-së, nga Shqipëria në diasporë, u shkri si vesa e mëngjesit, pas rrezeve të para të diellit.

Nuk besoj se ndjenjat që frymëzonin Akz-në janë zhdukur nga trojet shqiptare, por projeksioni politik i tyre nuk pati jetë të gjatë në skenën politike. Arsyet mund të jenë të shumta. Pa mëtuar zhbirimin e motiveve që çuan në disfatën politike të Akz-së gjatë zgjedhjeve të fundit, mund të ngrihet ndonjë hipotezë për  ta shpjeguar atë.

Faktet treguan se Akz-ja nuk gëzon sot për sot mbështetjen e gjerë të qytetarëve shqiptarë. Rezultatet e fundit folën hapur. Po përse vallë? Ja disa arsye të mundshme. Programi i Akz-së ishte i paplotë, ose me fjalë të tjera i çekuilibruar. Shpeshherë ngjasonte me një çorbë politike, ku brenda gjeje copa mendimesh krejt pa lidhje. I qartë nga pikëpamja politike (projekti mbarëkombëtar), i mjegullt nga pikëpamja ekonomike (programi ekonomik mbeti i panjohur). PD-ja e Berishës, e cila u kërcënua prej saj nga ana e djathtë e spektrit, bëri disa zhvendosje në atë krah, sidomos gjatë festimeve përkujtimore të pavarësisë, çka mund ta ketë shfryrë pëlqimin e forcës së re politike. Kjo lëvizje djathtas e Berishës, me karakter mbrojtjeje nga ai kah, mund të ketë çuar në erozion të mëtejshëm të partisë qeveritare, duke lënë zbuluar sektorë të tërë andej nga qendra.

Akz-ja mund të ketë qenë meteorit politik: shkëlqim i jashtëzakonshëm në një periudhë të caktuar, admirim i përhapur, vështrim me kokën lart i turmave, interes nga të gjithë, pastaj shkrirje dhe përhumbje në hapësirën e errët të politikës shqiptare. Retorika e rëndë që përdori Akz-ja gjatë fushatës elektorale nuk solli frytet e pritura. Kjo dëshmon se qytetarët shqiptarë dinë ta dallojnë në një farë mënyre retorikën e pastër e të ekzagjeruar, sidomos ajo kombëtariste, nga objektivat e realizueshme politikisht. Këtu kundërshtia midis retorikës dhe realizmit është e dukshme. Akz-ja mund të ketë pasur më shumë simpatizantë se sa votues. Kjo mund ta shpjegojë flamujt e valëvitur nga numri votave të mara, zhurmën e madhe mediatike nga heshtja e rëndë paszgjedhore.

Shprehjet mediatike e shpeshherë folkloriste të Aleancës Kuqezi nuk na e vërtetonin a priori pëlqimin e popullsisë, por débâcle zgjedhor dhe veçanërisht harresa e mëvonshme tregoi se kjo lëvizje nuk ishte e rrënjosur në territor. Tani nuk flitet fare për të, por heshtja ka mbuluar edhe projektet që ajo trumbetonte, ndërkohë që duhet të shënojmë se mungojnë edhe forca të tjera që mund t’i përqafonin ato ide. Si të thuash, nuk është se ia vodhën idetë ose programin parti të tjera konkurruese. Disa dashakeqë shohin tek Akz-ja vetëm një operacion parazgjedhor, gjithsesi instrumental, që pasi e përmbushi misionin e vet, nuk ka arsye të mbijetojë; të tjerë e shohin  si flluskë retorike që u shpua nga sensi realist i qytetarëve.  Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Akz-ja nuk ishte parti politike, me program organik politik, por një forcë që shprehte disa ndjenja që nuk arritën të kondensoheshin politikisht.

Rezultatet zhgënjyese të zgjedhjeve parlamentare mund të kenë qenë shokuese edhe për vetë aktivistët e saj. Pritshmëria ishte e madhe për të gjithë, në kuptimin që kujtonin se Akz-ja do ta merrte ndonjë vend në Parlament. Kjo nuk ndodhi. Për më tepër, muajt paszgjedhore u karakterizuan nga mungesa e propozimeve politike të kësaj force, çka mund të jetë edhe për arsye organizative, megjithatë kemi të bëjmë me heshtje të pashpjegueshme politikisht, ndërkohë që temat e nxehta nuk kanë munguar.

Në qoftë se heshtja rreth Akz-së do të vijojë gjatë, së bashku me rezultatet politike të deritanishme, atëherë arsyet e saj do t’i lexojmë në librat e historisë politike.

Advertisements
%d bloggers like this: